Astrit Patozi “kërcënon” Lulzim Bashën: Nuk e gëzon dot partinë me vota të vjedhura

511
Pas disa ditë heshtje, Astrit Patozi, njëri nga kritikët më të mëdhenj të Bashës, është hedhur në “sulm”. Paralajmëron se do të nis një betejë të fortë brenda PD
“Lufta” politike brenda radhëve të Partisë Demokratike, duket se nuk ka përfunduar. Kritikët e Bashës nga dita në ditë janë duke hedhur akuza të forta kundër tij, madje një prej tyre është edhe standardi me të cilat u zhvilluan zgjedhjet e brendshme. Astrit Patozi ka reaguar me anë të një statusi në “Facebook”, ku shkruan se ‘askush nuk e ka gëzuar manipulimin e votës”, duke iu referuar zgjedhjeve që u bënë në PD për kreun e kësaj force politike. Ndërsa më tej, ai i është përgjigjur dhe ish-ministrit të PD-së, Jemin Gjana, i cili i ka kërkuar Bashës, që t’u hapë “kutinë e zezë”, atyre që e kritikojnë. 

“Dikush duhet t’i thotë Jeminit se gjyqtari nuk flet asnjëherë, nëse do që ndeshja të mos quhet e trukuar. Dhe ai nuk ishte gjyqtar i thjeshtë, por kryegjyqtar i Lulzim Bashës”, shkruan Patozi. Ndërkohë ai këshillon edhe Jemin Gjanën, i cili pati një rol shumë të rëndësishëm në organizimin e zgjedhjeve për kryetar të partisë. “Fakti që ai mendon se duke sulmuar kritikët e kryetarit po hap kutinë e zezë të Partisë Demokratike, është mjerimi dhe faqja e zezë e Lulzim Bashës dhe e gjithë procesit farsë të 22 korrikut. Dhe është gjithashtu një arsye më shumë se, përse demokratët e nëpërkëmbur e kanë detyrim që të ngrihen e të marrin në dorë fatin e partisë së tyre”, shkruan ndër të tjera Patozi. “Manipulimet dhe deformimet flagrante të votës nuk i ka gëzuar askush në Shqipëri. Në të gjitha llojet e zgjedhjeve. Si kur kemi qenë ne në pushtet, ashtu edhe kur kanë “fituar” socialistët. E kujtova këtë histori, pasi shoh se Lulzim Basha po përpiqet më kot ta lërë të harrohet farsën e 22 korrikut për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike. Janë tashmë të provuara rastet e rënda të Vlorës, Korçës dhe Durrësit, ku rezulton se janë hedhur në kuti më shumë se dyfishi i fletëve të atyre që kanë shkuar të votojnë. Por këto nuk kanë qenë raste të izoluara, sepse ajo ka qenë epidemi kombëtare. Të kërkosh ta fshehësh këtë flamë me iluzionin se shqiptarët janë me pushime dhe nuk e kanë shumë mendjen tani, është teprim i madh. Sepse opozita nuk mund të jetë në asnjë rast me pushime. Nuk e ka këtë luks. Me vakanca le të shkojë qeveria, por ndoshta edhe ata që e ndihmuan Edi Ramën që të jetë sot politikani më i relaksuar, megjithëse ka qeverisur shumë keq. Në këtë përpjekje të dëshpëruar për të fshehur kokën në rërë nuk ndihmon as protagonizmi i Jeminit. Madje, ai bën të kundërtën, i hedh edhe më shumë benzinë zjarrit. Jo thjesht për cilësinë e ligjërimit, sepse ajo nuk habit askënd dhe ka pak rëndësi. Fakti që ai ka qenë njësoj si dikush tjetër, nxënës i mirë në fillore apo që dikush nga ne nuk paska qarë sa duhet kur atë e hoqën nga lista e 2013-ës, nuk e bëjnë më të mirë farsën e 22 korrikut. Dikush duhet t’i thotë Jeminit se gjyqtari nuk flet asnjëherë, nëse do që ndeshja të mos quhet e trukuar. Dhe ai nuk ishte gjyqtar i thjeshtë, por kryegjyqtar i Lulzim Bashës. Dhe është gjithashtu një arsye më shumë se përse demokratët e nëpërkëmbur e kanë detyrim që të ngrihen e të marrin në dorë fatin e partisë së tyre. Vetëm gara reale sjell bashkimin dhe ringritjen e shpejtë të Partisë Demokratike. Kjo ka për të ndodhur shpejt”, shkruan Patozi.
Sigal