Astrit Patozi: Beteja jonë me kundërshtarin, deri në 25 qershor të jemi pranë çdo demokrati

505
Pas takimeve të zhvilluara mes të përjashtuarve gjatë paradites së djeshme, një reagim i fortë vjen nga njëri prej tyre, e pikërisht Astrit Patozi. Teksa pranon që Partia demokratike duhet të kthehet sa më shpejt në shtratin e saj, Patozi, garanton çdo demokrat, se në këto momente nuk është koha për të folur për përçarje. Ai gjithashtu është i bindur se përballjen e vërtetë Partia Demokratike dhe ata që tashmë janë të përjashtuar nga lista e kanë me kundërshtarin e tyre, Edi Rama. Për këtë qëllim Patozi u bën thirrje gjithë demokratëve, që sot më shumë se kurrë të jenë të bashkuar dhe të qëndrojnë pranë njëri–tjetrit. Reagimin e tij Patozi e ka bërë në rrjetin social facebook. 

“U bënë ca ditë që kafja nuk na kushton më 100 lekë, por ndoshta 100 fish më tepër, me këdo që ta pimë. Këtë po mendoja tani kur u ktheva në shtëpi dhe pashë në media aq shumë lajme dhe spekulime mbi një takim mes meje, Jozefina Topallit, Ridvan Bodes, Arben Imamit, Majlinda Bregut, Keltis Krujës, Dash Sulës etj.

Është shumë e vërtetë që kemi qenë bashkë sot, siç ka shumë mundësi që nesër e në vazhdim të ketë shumë më tepër kontakte dhe komunikim mes kolegësh të grupit parlamentar të PD, por jo vetëm. Se partia jonë dhe e djathta janë shumë më tepër se aq. Është pjesë e jetës, e punës dhe e përditshmërisë sonë, se jetojmë në Tiranë. Ndaj më duket i ekzagjeruar gjithë ky amplifikim, edhe pse e kuptoj që ethet e fushatës e nxisin ngritjen e temperaturës politike në Shqipëri.

Sa për teoritë e konspiracionit është, jo vetëm fenomen shqiptar, se shtypi është i prirur që edhe aty ku nuk gjenden, ai t’i krijojë. Ndaj për të shmangur çdo keqkuptim mund të them më dy fjalë se me koleget kemi ndarë shqetësimin e përbashkët, se Partia Demokratike, për shkak të udhëheqjes së gabuar, ka rrëshqitur në shtigje të panjohura dhe të rrezikshme, dhe se ajo duhet të kthehet sa më parë që të jetë e mundur në shtratin e saj. Prej të cilit, sipas meje, është larguar tmerrësisht shumë dhe se nuk ka asnjë shans të mos kthehet. Por ndërkohë, kam bindjen se sot që po flasim, ne jemi në fushatë dhe betejën e vetme dhe më të rëndësishme e kemi me kundërshtarin përballë, i cili është Partia Socialiste dhe Edi Rama. Ndaj, duke besuar fort në kauzën tonë, deri më 25 qershor duhet të qëndrojmë në mbështetje të çdo demokrati dhe të Partisë Demokratike”, përfundon fjalën e tij në facebook, Astrit Patozi.
Sigal