Astrit Çerma:“Politika jonë ka vetëm aritmetikë e jo gramatikë”

680
Sigal

*aktor, regjisor

Ndonjëherë s’mbrapsem dhe i qortoj veten: Ç’ke me qeverinë? Me kryeministrin e oborrin e tij ministror, ç’ke?…Pse nuk i sulesh atij që ke përballë dhe që zgërdhihet? Eeee…im Atë, në atë “kohë”  thoshte:”Sipas blegërimës dhe lehjes së stanit dhe fishkëllima e sokëllima e çobanit… “

Astrit Çerma, aktori dhe regjisori, një nga personalitetet e kinemasë dhe të teatrit shqiptar, edhe pse jeton larg Atdheut, interesohet, informohet dhe shqetësohet për të përditshmen e Shqipërisë. Në intervistën për “Telegraf”, “Artisti i Merituar”, Astrit Çerma, e përshkruan realitetin politik shqiptar, ashtu siç e ndjen, duke e cilësuar “një kazan me turli lloj lëtyrash, që ziejnë e vlojnë”, natyrisht, jo për të mirën e popullit. Kjo lloj turlie politike, sipas zotit Çerma,  ndodh ngaqë “demokracia e konceptit, ka mërdhi”. Ndaj, edhe zgjedhjet e 23 Qershorit, nuk mund të sjellin rotacion, por një shkëmbim. Astrit Çerma, shprehet, se, këto parti jo vetëm nuk mund të demokratizohen, ky sistem politik, nuk mund të reformohet, por, “Çfarë respekti kanë “udhëheqësit” tanë për popullin. Tallen me të…Po, po…Tallen me popullin, nëpërmjet ligjit, pushtetit”.

– Zoti Çerma, si do ta vlerësonit situatën politike parazgjedhore?
– Si një kazan me turli lloj lëtyrash që ziejnë e vlojnë. Drutë e zjarrit poshtë tij i shtojnë dhe i pakësojnë, i largojnë dhe afrojnë dy kryetarët e nderuar. Pranë kazanit presin me gavetë në dorë dhe lugë në brez, duke shtyrë e pështyrë njëri- tjetrin, ata që shpresojnë, luftojnë, vajtojnë, lëpijnë për t’u listëzuar në listën e 140 përfaqësuesve të popullit në parlamentin që po na lë pa mend të gjithëve…
– A ekziston koncepti i demokracisë në politikën shqiptare sot?
– Koncepti?!..Si jo?…Ku do shkojmë pa konceptin ne?…Koncepti i demokracisë ekziston, por demokracia e konceptit ka mërdhi…Jo, po…le të guxojë ndonjëri po të dojë, nga të dyja krahët ta demokratizojë konceptin…He, he…Titullin “armik”e ka pak…Tregon  historia jonë për këtë, por flet edhe realiteti.
– Çfarë shprese kanë shqiptarët nga këto zgjedhje dhe cili duhet të jetë motivi i tyre për të votuar?
– Keq më vjen, po…Kështu si kanë vajtur punët, njerëzit janë ndërsyer kaq keq, sa “shpresa dhe motovi” përmblidhen, të më falni, po…me pak fjalë: “Më q…kockën, po fitova…Ty që më ke bërë të vuaj, do q… ç’të përmban pragu dhe tej…”. Banale po…Kjo hale është gatuar për këto 20 vjet në atë “konceptin e demokracisë” nga politikanët dhe shtetarët tek ne.
– A ka interes ky sistem politik të ndryshojë për të mirë?
– As nuk diskutohet. Por, të ndryshojë sistemi politik, duhet të ndryshojë politika mbi sistemin. Ne nuk kemi ndryshuar “kuzhinën”, ku gatuhet politika, as “kuzhinierët” që gatuajnë politikën, kemi po atë kuzhinë dhe ata kuzhinierë, që kemi pasur para demokracisë. Kemi ndryshuar vetëm uniformat e tyre dhe qylafët, asgjë tjetër. Hë, po..Kemi shtuar “erëza” nga bota, shumë erëza, për të mbuluar çorbën e ndyrë…
– A mund të reformohet së brendshmi ky sistem politik, ekonomik, shoqëror dhe kjo kastë politike 20- vjeçare, e cila është ndërtuesja dhe interpretuesja e këtij sistemi?
– Po. “sistem politik, ekonomik, shoqëror”, po. 100 herë po. Por, pa këtë “skortë” të ndyrë politikanësh xhambazë…Koha ka treguar dhe ka vërtetuar katërcipërisht se, “kjo kastë” kurrë nuk ndryshon… Është pjellë nga hidra në labirinthe të ndyra dhe s’ka se si…
– A mund të shpresojmë se, me kohën, këto parti politike që kemi, do të demokratizohen?
– Ah, sa ma ka qejfi…Por…partitë duan të demokratizohen, por…Kush i lë?…Të le Sala?…Po, se mos vetëm Sala?! Në “këtë fushë” të gjithë “salinj” janë… Dinastia e kryetarëve të partive shqiptare është unike , e njëtrajtshme, solide dhe e pandryshuar. Edhe “krushqit” brenda tyre i sajojnë. Edhe shihni se çfarë dhëndurësh që gjejnë. Ca lakej, që dinë vetëm të lëpihen dhe të lehin…
– A ka moral në politikën shqiptare dhe cili duhet të jetë raporti i moralit me kulturën demokratike?
– Në politikën shqiptare mund të jenë të gjitha, por vetëm moral mos kërko. Le që, kujt i thonë “moral” një herë? Kujt?…Që të kesh moral, mes shumë e shumë gjëra, së pari duhet të kesh turp. Ku është turpi?..Turp sot është :Të kesh turp. Asgjë tjetër. Të kesh moral, duhet të kesh respekt për atë që voton për ty. Çfarë respekti kanë “udhëheqësit” tanë për popullin. Tallen me të…Po, po…Tallen me popullin, nëpërmjet ligjit, pushtetit, punësimit, arsimimit, edukimit, civilizimit…Tallen…Dëgjo, i dashur mik. Një populli që i imponohet fshirja e kujtesës, degradohet në turmë…A vini re sa shumë “harrojmë”.? Çfarë morali?…Ja…Dje politikani vjell ndyrësirat me të qelbura për një çështje a për një person, sepse ashtu i intereson, dhe, sot, po ky politikan, sepse ashtu i intereson, atë çështje dhe për atë person, pa pikë turpi, i’a servis në tryezë popullit, si gjellën e mrekullueshme. Dhe populli…harron…dhe gëlltit e gëlltit…Ç’duhet morali këtu?…Raporti i moralit me kulturën demokratike është “frika”kundrejt atij që të besojë dhe të votojë, “frika” kundër ligjit të shtetit, që të kanë besuar ta zbatosh,”frika” kundrejt vetes tënde, familjes dhe shoqërisë mos i “ndysh”…Kjo “frikë” ka kohë që është degjeneruar…
– Cila është gramatika politike e klasës sonë politike?
– Çfarë gramatike?..Nuk ka “gramatikë” në politikën e klasës tonë. As ka pasur, as ka. Ka “aritmetikë”. Vetëm aritmetikë. Ja tek dy koalicionet e të majtëve dhe të djathtëve, ku është gramatika?… “Aritmetikë”, po…- Kaq unë, kaq ti…- Pse-po dhe pse-jo, se si dhe se qysh, me kë dhe për kë? As mos pyet…Unë nuk kam dëgjuar deri tani në asnjë nga institucionet tona, që nga Parlamenti e deri tek komuna më e humbur. të hyjë me ndonjë “germa” gramatika. Numrat e aritmetikës, po…Apo e kam gabim?…- Ore!…Të marr numrat unë…Aq sa më duhen, pa,  pastaj ore?…Hë… Gramatikë, histori, gjeografi,
ekonomi di unë si i vërtisë…

– Pandëshkueshmëria, është rrjedhojë e paaftësi profesionale e njerëzve që punojnë në drejtësi, apo mungesë e vullnetit politik?

– Paligjshmëria, më duket mua, vjen edhe sepse, jo vetëm ka shumë ligje, por, ato shtohen e shtohen çdo ditë,  në çdo dikaster, në çdo ministri; shtohen ashtu si shufrat e hekurta në një dritare, pas së cilës qëndron një njeri hallexhi dhe i pafajshëm. Duket sikur ato e mbrojnë, por në të vërtetë robërojnë…

– Me çfarë ngjyra mund ta skiconi realitetin tonë?

– Kur historiani  historinë e tjerr për pushtet,
gjykatësi drejtësinë e shkërdhen me ryshfet,
mësuesi mësimin me para e blen dhe e shet,
kur mjeku mbasi të rrjepë  që të vësh shëndet,
ç’llomotit  të ardhen për komb dhe për shtet?!…

Fatkeqësisht ky është realiteti. Dhe këtë njerëzit dhe shoqëria e jonë  duhet të përpiqet ta luftojë  e ta ndryshojë, por me rotacionin e vërtet demokratik. Ta luftojnë si qytetarë dhe jo si…militantë…

– Po orientimet politike për të rishkruar historinë tonë?

– A s’është bërë Historia kos edhe dhallë,
Nga Zo-gol, En-ver, Fa-tos e Ber-ish?…
Ç’e fut kot lugën në brez o budall,
– Hienat – llupin ç’kërmë lë një bishë…
Historinë në vite gjithmonë e kanë mbjellë,
Me mug dhe errësirë dhe në ditët me diell,
Ndryshe: Si do të ndrisnin disa lapërdharë
Herë pishtar e fanar e herë fanar e pishtar?…

– Akoma nuk janë shpallur emrat e kandidatëve për deputetë. Mendoni se kryetarët e partisë e kanë prioritet, që kandidatët të kenë personalitetin dhe integritetin e përfaqësuesit të elektoratit?
– Teorikisht: Me kaq “tradhti, sa na kanë parë sytë e na kanë dëgjuar veshët, u jap të drejtë kryetarëve të partive, që “sitin e stërsitin” kandidaturat…Jo vetëm kjo, por edhe niveli… Jemi koshientë, që niveli i disa të zgjedhurve është nivel nën nivelin… Më kujtohet një shitëse djathi, që u bë deputete me ’92-in, sapo mori mandatin, e shpalli veten “politikane”…Praktikisht: Kam frikë se sitat e kryetarëve të partive po sitin servilët, puthadorët, lakenjtë…Vini re se sa janë “qorrollisur” deputetët e të dy ngjyrave. Purteka po bëhen, duke u përkulur sa andej e këndej…Priten zgjedhjet, priten ndryshimet, por, mos qoftë e thënë, të themi pas zgjedhjeve atë që thotë korçari:-Ku ishim?- Asgjëkundi…
Tek sheh
Në “T.V”
Dikë që vetëm leh,
Një tjetër që veç pall,
Të tjerë që vinë vërdallë,
Kafshojnë, përqafojnë,
Lëpijnë,
Lëvdojnë, mallkojnë,
Ulërinë…
Pyet një kalama
– O Ba, o Ba…
Njerëz janë këta?!…
Psherëtinë ati i shkretë:
– Ehhh…kanë qenë…
Tani janë…deputetë..

– Mendoni se jemi në rrugën e mbarë të demokratizimit të ideve, mentaliteteve dhe politikës për të bërë hopin cilësor e të anëtarësohemi në Familjen Europiane?
– Thonë se, “për tre ligjet”, që ende nuk i voton Rama,  na ka “mbetur në klasë” për “Familjen Europiane”.Të paktën, kështu e përmbledh Sala atë “hopin cilësor” për anëtarësimin. Ndoshta…Familja e Madhe Europiane ka goxha shtëpi, me sallon pritjeje, kuzhinë, dhoma gjumi, korridor, dhoma larje, por ka edhe banjo, edhe bodrum…Nuk e kam idenë, se ku ka ndërmend të na sistemojë, por…E kam fjalën për atë “hopin cilësor”… Se është edhe “hop”, por edhe “cilësor”, këtu është keqja…Me sa di dhe besoj, se e di mirë: Nuk “demokratizohen” idetë, aq më tepër mentalitetet, kur “shkërdhehet” në shtretër kurvërie, drejtësia dhe ligji…
– Përse ia vlen që të ushqejmë optimizmin e ndryshimeve në të mirën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë?
– Shpresë? Gjithmonë ka shpresë atje ku ka ëndrra. Dhe ne gjithmonë kemi ëndërruar dhe shpresuar, por që shpresa ëndrrën ta bëjë realitet, duhet luftuar. Them “luftuar”, sepse në fushë lufte e ka kthyer dhe po kthen në çdo moment Kryeministri Sali fushatën e zgjedhjeve. Për të as ka qenë, as është dhe as ka për të qenë ndonjëherë opozita alternative që duhet respektuar, analizuar, korrigjuar, pranuar, ose kundërshtuar. Për Saliun, opozita, pra mesatarisht 50% i popullsisë, është armike e betuar e 50 % tjetër… Një miku im, H.Dikolli, thotë: “Kam përshtypjen se në botë, janë më të shumtë ata që vdesin të varfër, sesa ata që vdesin nga varfëria!” Ndaj, jo vetëm optimizmin, por edhe besimin, dhe përpjekjen, arritjen e ndryshimin për të mirën brezave të ardhshëm…Është detyrë…

Fushata elektorale

  Hëna i dërgoi Tokës

Notë proteste kategorike:
– Për qentë, që lehin kundra meje,
Pres marrëdhëniet diplomatike.
Ia ktheu Toka:- Moj mike…Ngadalë
Jemi në fushatë elektorale.
Një qen i tërbuar kundër tej leh,
Të tjerët lehin se janë në…koalicion me të.

23 Qershori do të bëjë shkëmbimin, në vend të rotacionit

– Çfarë rotacioni (politik) kërkojnë forcat politike dhe çfarë rotacioni kërkojnë njerëzit dhe shoqëria jonë?
– Për çfarë rotacioni e keni fjalën?  Jo, se…Me sa ma pret mua fjala “rotacion” e ka rrënjën tek “rrota”, apo jo? Dhe rrota, dihet më: vërtitet për të çuar përpara…Në “rraf-baf” po me një vend, o bir. Ne as kemi pasur, as kemi dhe siç duken bathët, as do të kemi ndonjë herë ROTACION. Kemi vetëm SHKËMBIM, asgjë tjetër. Ai që fiton shkëmben me atë që humbet, bashkë me kolltukët në Parlament, në qeveri, edhe diskutimet, fjalimet, idetë, pyetjet, interpelancat, pyetjet, të sharat, mallkimet, ofendimet, akuzat, lavdërimet, përfitimet, kushërinjtë, miqtë, militantët, tenderat, dallaveret… Jashtë këtij fare “rotacion shkëmbimi”, ose “shkëmbim rotacioni” (quajeni si të doni) nuk “luajnë nga istikami” as “forcat politike” dhe më keqja as ” njerëzit e shoqëria  jonë”.