Astrit Çerma: “Asgjë nuk ndryshon, nëse nuk ndryshojmë ne”

816
Sigal

Astrit Çerma, nja nga artistët më të mirë të plejadës së famshme të kinematografisë shqiptare, në intervistën për “Telegraf”, me stilin e tij humoristik, thotë se Shqipëria kishte detyrimet e saj, si anëtare e NATO-s, për të kontribuar, në shkatërrimin e armëve kimike, sepse disa u bënë si dhëndurë që thonë “Lepe? Peqe!”. Nuk lë pa ironizuar edhe Me-hë-diun e Gërdecit, që u ngrit të protestonte. Ndërsa për pritshmërinë që kemi ndaj qeverisë së re, zoti Çerma thotë se “Duhet pluguar e pluguar thellë, prashitur, hedhur fara, lëshuar që të rilind e reja. Nëse kështu, “tërhiq që e mos këput’, mendohet se me kohët e tanishmja gabohet shumë, sepse vritet e ardhmja”.

A mendoni se Kryeministri Edi Rama ka thënë të vërtetën, në lidhje me armët kimike?

– Nga “të thënat” dhe “të dhënat”, nga “rreth e qark”,  asgjë konkrete nuk është deklaruar, as si “e thënë” dhe as si “e dhënë” nga “qendra”. Llafe ka dhe, siç thotë populli: “ku ka zë, s’është pa gjë”, por unë nuk u besoj më llafeve. Tani, Kriiie-ministri i ri, shpresojmë që nuk është si Kryyyy-ministri i vjetër, që gënjente edhe kur thoshte të vërtetën, përkundrazi…Sa për shtypjet e shtypit të huaj…llafet janë gjëja më pavlerë për shoqërinë tonë, që na falën nga shtypi i huaj…

– A është e detyruar Shqipëria, në kuadrin e NATO-s, apo detyrimeve që rrjedhin nga aleanca me SHBA-të, që të pranonte armët kimike të Sirisë, që të demontoheshin në Shqipëri?

– Patjetër. Pse u futëm në NATO ne? Që të “dhëndërojmë”? Hë. As NATO as SHBA-të dhe as të tjerët, që bën si bën dhe na futen atje s’kanë nevojë për dhëndurë. Kanë ca dhëndurë ata që, hë…Na kanë zgjedhur të nusërojmë: – Lepe?- Peqe!.. Gjë e mirë me kaq, se – aq është Siria, po…Ku i dihet se çfarë shpifet edhe në vende të tjera?…Dritëroi i madh e thotë bukur: “Përse e thërrasin gomarin në dasmë”? Mjaft kemi pëllitur, tani, hë… shtro kurrizin ngarko samarin edhe duro thuprat e thanës që të fishkëllejnë… Po, si pa dashje, ndonjëherë edhe belbëzoi: “Shyqyr që “pllakosën” këto lëndët kimike se, ja: bashkë me njerëzit që e duan Shqipërinë të shëndetshme e të pastër, na protestuan edhe ata që kanë shtypur me dhunë e me gjakderdhje protestat. Se, ja: PD-ja dhe kryetari i saj, si me “marifet’, kërkojnë të ngrenë brekët që u kanë rënë në fund të shalëve. Se, ja: U kujtua se fundi të dalë në “demonstratë” për të mbrojtur “të drejtat e njeriut” edhe Kryetarja e të Drejtave të Njeriut, Ballaurka…Hë, se desh harrova: Me-hë-din e Gerdëcit…I lumtë për besë: Bëri thirrje “që të mos përsëritet…Gërdeci”….

 – Si do ta vlerësonit performancën e qeverisë “Rama 1”, në këtë ndërkohë 2- mujore?

 – E “shushatur”. Po, po. Ndofta nuk e priste kaq këtë fitore dhe është shushatur aq shumë, nga përmasat e asaj, sa akoma nuk po e mbledh veten. Dihet: Është më lehtë marrja, sesa mbajtja e pushtetit. Sidomos, kur ke premtuar shumë. Mirëpo, fatmirësisht, populli ynë harron shpejt, kështu që, besoj se edhe qeveria “Rama1” do të arrijnë shpejt të “parfumojë” performancën e qeverisjes… Ja, opozita po punon në këtë drejtim. E shihni ç’bën? Me ato që thonë e kërkojnë për ligjet dhe drejtat ligjore ish- politikanët dhe ish- pushtetarët e ish- pushtetit nga politikanët dhe pushtetarët, që e morën pushtetin, “të këpusin shpirtin”. Bo, bo, bo…Gjynah që i hoqëm, – thonë të gjithë…

– A e ka justifikuar pritshmërinë e elektoratit, qeveria e maxhorancës, apo akoma është ende në start?

– Deri tani vetëm shfaqje kemi parë. Shfaqje me një tekst banal, regji banale dhe aktor banal. Kjo qeveri i ka të gjitha mundësitë të dalë nga ky qefull banal. Çuditem përse heziton? Natyrisht, për mbjelljen e re duhet pastruar fusha nga grami, gurët, ferrat e drizat, por jo kaq gjatë, sepse ikën koha e mbjelljes. Duhet pluguar e pluguar thellë, prashitur, hedhur fara, lëshuar që të rilind e reja. Nëse kështu, “tërhiq që e mos këput’, mendohet se me kohët e tanishmja gabohet shumë, sepse vritet e ardhmja. Këtë bëri pushteti i shkuar dhe përfundoi atje ku është. E ardhmja rrallë duartroket me të tashmen, bile shpesh të tashmen e ka rivale të egër, por ajo të përjetëson me historinë. Unë kështu e kuptoj “Rilindjen” nga një “përmbysje”. Kryeministri, Kryetari Parlamentit, ministrat, deputetët, duhet ta kuptojnë se këtë “dhuratë maxhorance”, që i bëri populli nuk i dha për të vjedhur të tashmen, por për të ngritur të ardhmen, pa hezitim dhe pa u marrë shumë me ata që lehin…Tre muaj dhe asgjë me peshë në kandarin e ligjeve të drejtësisë nga Kuvendi…Debate e vetëm debate…Jo…Historia këtë zvarritje e stepie nuk do t’ua fali…

– A mund të themi se sjellja e maxhorancës së re, ka ndryshuar – për të mirë- ndaj opozitës, meqë ky ka qenë premtimi elektoral i Edi Ramës?

– Ka ndryshuar!? Në të vërtetë, edhe mua më duket “sikur” ka ndryshuar, por, kam frike se, tani për tani, kjo vjen nga “diferencat”numerike dhe jo nga “të përbashkët” logjike. Kemi një maxhorancë të ekzaltuar nga fitorja glorofike dhe një minorancë e tromaksur nga humbja katastrofike. Dhe, çuditërisht, të dy palëve u duken pozicionet, ku janë të pabesueshëm. Asnjë analizë nuk kam dëgjuar unë as për shkaqet e humbjes as për shkaqet e fitores, por vetëm kërcëllitje dhëmbësh nga humbësit për vjedhje votash dhe zgërdhirje dhëmbësh nga fituesit për meritë votash. Nuk e di se si mund të matet “sjellja” kundrejt njëri -tjetrit në këtë pozitë? Të fiksohen mbarë ligjet për këtë marrëdhënie, t’i mbartin ato, qoftë humbësit, qoftë fituesit, pastaj le të vlerësojmë sjelljet e maxhorancës dhe të minorancës…

– Akti Normativ, për shtyrjen 6 muaj të Ligjit “Për nëpunësin civil”, rriti në maksimum tensionin e konfliktualitetit politik. Besoni se kjo maxhorancë, vërtet ka vullnetin që të ndërtojë një Administratë Publike profesionale dhe do të zbatojë kriterin e meritokracisë për punësimet?

– Ky “Akt Normativ”, më duket se bie shumë, shumë erë. Mbas tetë vjetësh qeverisje, siç i donte bytha ish- Kryeministrit dhe stanit të tij,  të sillej e përcillej me “nëpunësin civil”, befas “kujtohet” në ditët e “numëruara” të pushtetit, të jetësojë ligjin!!! Çfarë mendje e mbrapsht?  Ju “dogj barku” për nëpunësin, posi, ish -Kryeministrit! Për atë nëpunës, që gjatë gjithë qeverisjes së tij e përdori si llakë, si klloun, si shërbëtor dhe si lypës…Mirë bënë që e shtynë, por kjo shtytje mos qoftë “harresë”. E kemi pësuar ne nga “harresa” të tilla.

 – Pas gjykimit tuaj, çfarë do të ndryshojë në Shqipëri, në politikëbërje, pas dhjetorit, nëse Shqipëria merr statusin kandidat për në BE?

– Asgjë nuk na ndryshon po nuk ndryshuam. Mblidheni mendjen për këtë.

Mendoni së ndërkoha politike, që do të duhet, që Shqipëria të fillojë bisedimet për anëtarësim të plotë në BE, do të jetë sërish e gjatë?

– Varet nga ajo që thamë lartë.  “Asgjë nuk ndryshon po nuk ndryshuam”. Shanset të zgjedhurit dhe pushtetarët e rinj i kanë që të na ndryshojnë. Le të mos e humbin këtë rast sepse do t’i mallkojë historia.

– Faleminderit!