Asnjë kryetar partie në listat e PS-së

51

Koalicioni i së majtës: Përpunohet strategjia e bashkëpunimit dhe përcaktohen kriteret e bashkëqeverisjes

Koalicioni opozitar u mblodh pasditen e djeshme  në selinë e Partisë Socialiste për të diskutuar platformën e bashkëpunimit për zgjedhjet e 23 Qershorit. Kryesocialisti Edi Rama iu paraqiti një projekt platformë për bashkëpunimin elektoral dhe postelektoral.

 Mungesat. Dule përfundimisht, e ndarë nga PS-ja. Zogaj në pikëpyetje, nëse bashkëpunon

Së pari, në këtë takim, ra në sy mungesa e  PBDNJ-së, e Vangjel Dules, i cili, deri para pak kohësh, ishte pjesë e Aleancës së Majtë.  Në fakt, divorci politik i PBDNJ-së me PS-së është bërë më kohë dhe më dukshëm  kjo ndarje u duk në votën e anëtarit të KQZ-së, të propozuar nga PBDNJ-ja, i cili u bashkua në votim me maxhorancën. Mirëpo, siç ka deklaruar edhe Dule, ai mund të jetë në koalicion me çdo parti që do të jetë në qeverisje. Kjo, edhe pse e lë të hapur një mundësi bashkëpunimi pas zgjedhor me PS-së,  PBDNJ-ja, përfundimisht, është  ndarë me PS-në. Gjithashtu, mungoi edhe koordinatorit Preç Zogaj dhe ndoshta, mungesa e Zogajt, tregon se PS-ja e ka marrë vetë në dorë koordinimin e bashkëpunimit me aleatët.

Secila parti do të nënshkruajë kontratë bilaterale me PS-së

Ndre Legisi, i cili luan rolin e koordinatorit të PS-së me partitë aleate, në prononcimin për “Telegraf”, pohoi se  Platforma e bashkëpunimit, që PS-ja parashtroi aleatëve, ishte më tepër një platformë parimesh, ku u pasurua me sugjerimet që partitë kishin dhënë në takimin e para dy muajve. Ndre Legisi, gjithashtu pohoi, se kjo platformë akoma nuk është në trajtën e saj përfundimtare, por do të shtohen edhe propozimet, idetë që aleatët parashtruan në takimin e djeshëm, të cilat, sipas vetë Legisit,  kësaj here, ishin të pakta. Por, kryesorja, theksoi Legisi për “Telegraf”, është se çdo parti aleate do të nënshkruajë një kontratë bashkëpunimi bilateral me PS-së, ku do të parashtrohen kushtet e bashkëpunimit paszgjedhor.

Votat e fituara nga çdo parti, do të përcaktojnë edhe pjesëmarrjen në qeverisje

Kryetari i partisë Uniteti Kombëtar, Idajet Beqiri, i pyetur nga “Telegraf”, pohoi, se në platformën e bashkëpunimit që u diskutua në takimin e së djeshmes, kriteri përcaktues i bashkëpunimit të secilës parti aleate me PS-në, ose më qartë, pjesëmarrja që do të ketë secila parti në bashkëqeverisjen lokale dhe qendrore, pas zgjedhjeve, do të varet nga numri i votave që çdo parti do të fitojë në zgjedhje. Sikurse pohoi zoti Idajet Beqiri, që çdo parti aleate të ketë të drejtën e pjesëmarrjes në qeverisjen vendore, duhet të ketë fituar 500-1.000 vota në bazë qarku. Ndërsa, për pjesëmarrjen qendrore, numri i votave do të jetë nga 5.000-10.000 vota të fituara në bazë vendi.

Asnjë kryetar i partive aleate nuk do të përfshihet në listat e PS-së

Në këtë takim, u vendos që çdo parti aleate me PS-në, do të kandidojë në çdo qark me listat e veta, të ndara nga PS-ja. Kjo kushtëzoi përfundimisht që asnjë kryetar i partive aleate nuk do të përfshihet në listat e PS-së për kandidat për deputet. Kjo do të thotë, që përfundimisht, edhe  këtë radhë, ka shumë të ngjarë që Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo të mos jenë sërish deputetë në Kuvend. Me sistemin e tanishëm zgjedhor, vështirë që PSD-ja dhe PDS-ja të mund të nxjerrin një deputet në ndonjë qark. Gjithashtu, kjo vlen edhe për  Spartak Ngjelën, i cili,  para ca ditësh, kishte publikuar se do të ishte i sigurt në listat  e PS-së për deputetë.  Debati në këtë pikë, u zhvillua se në rast se ndonjë parti fiton ndonjë deputet, atëherë grada e bashkëpunimit me PS-së, d.m.th, pjesëmarrja e kësaj partie në qeverisje duhet të jetë më e madhe sesa kriteri i barazisë së votës. Sepse, siç sqaroi Idajet Beqiri për “Telegraf”, ky mandat i fituar nga partia aleate mund të përcaktojë edhe maxhorancën, ndaj vlerësimi nga PS-ja për këtë parti duhet do të jetë më i madh.

Debati

Spartak Ngjela ishte ndër ata që debatoi për shkak të kriterit të pjesëmarrjes në bashkëqeverisje në bazë të kontributit të votave të fituara nga secila parti. Ngjela ishte kundër pjesëmarrjes në qeverisje në bazë të kontributit të votave që mund të fitojnë, pasi shprehu se ai, p.sh, si figurë politike, me kaq reputacion, nuk mund të krahasohet me ndonjë politikan, që është i panjohur, ose me kontribute të pakta të deritanishme, por që partia që udhëheq, mund të fitojë vota më shumë se partia e tij.

 Formula e re e Ramës, shteg për manipulimin e votës brenda aleancës

Një tjetër problem, që u shtrua nga kryetari iPUK-ut, Idajet Beqiri, ishte se stimuli që çdo parti e aleancës së majtë, meqë do të kandidojë si subjekt më vete, do të marrë votat e elektoratit të PS-së, kështu që mund të jetë me kontribut zero për vetë PS-në. Pra, votat e aleancës së majtë, do të shkojnë nga një xhep në tjetrin, brenda së njëjtës pallto, pa dhënë ndonjë kontribut në fitimin e votave të së djathtës.

 Posti ministror për aleatët i barabartë me ….10.000 vota në shkallë vendi

Sikurse, zoti Beqiri, u shpreh edhe për “Telegraf”, partitë aleate mund ta joshin më lehtë elektoratin e majtë, që t’i japë votën partisë aleate, pasi po të fitojë një shumë që e tejkalon 10.000 vota, në shkallë vendi, mund të marrë një post të sigurt ministror. Dhe, kështu mund të premtojnë e të japin me siguri  për dikë për vende pune, pas zgjedhjeve, sesa një deputet i PS-së, që edhe po të fitojë, mund të mos jetë në postet drejtuese të qeverisjes dhe nuk mund të joshë dot drejtpërdrejtë elektoratin e tij.

Skepticizmi, nëse kryetari i PS-së do të mbajë fjalën e dhënë aleatëve

Pasi dolën jashtë kryetarët e partive aleate të PS-së, filluan të bënin me logjikë më të ftohtë llogaritë e bashkëpunimit. Dhe mendimi i parë që shprehën, në intimitetin me njëri-tjetrin ishte ai skepticizëm, mosbesim që (ende) kanë te fjala e dhënë e Kryetarit të PS-së, Edi Rama. Ndoshta, deri tani, Rama të tjera  premtime u kishte dhënë. Mosfutja në listën e PS-së, për Milon, Gjinushin, Ngjelën, ishte  për ata vetë një zhgënjim, pasi deri në momentin sa të hynin, ata vetë shpresonin se kësaj here kryetari i PS-së do t’i fuste në listë. Kjo edhe ngaqë Berisha e ka bërë me dije që Ndokën, Shehin e ndonjë tjetër, nga aleatët e tij, do t’i përfshijë në listat e PD-së. Edhe, përtej këtij zhgënjimi personal, debati i Ngjelës, shpreh edhe njëfarë skepticizmi të të gjithëve, sidomos Gjinushit, Koçit, Ngjelës, të cilët edhe pse pretendojnë për poste kryesore, në saj të kontributit dhe reputacionit politik të tyre, në bazë të kontributit që duhet të japin me votat që duhet të fitojnë në zgjedhje, mund të mos fitojnë shumën e caktuar dhe të mbeten në stolin e rezervës, edhe në qeverisjen socialiste. Më optimistë janë kryetarët e partive të tjera. Idajet Beqiri u shpreh se marrëveshja me shkrim që do të bëjnë secila parti me PS-në, do të jetë kontratë detyrimi edhe pas zgjedhor për PS-në ndaj secilit aleat dhe kjo kontratë me shkrim është shumë vështirë që të mos respektohet.

Pakënaqësitë

Shoqata e ish-Ushtarakëve të Liruar dhe në Rezervë nuk ishte e ftuar të merrte pjesë, sikurse edhe Shoqata e Veteranëve, të cilët tradicionalisht përbëjnë bërthamën e elektorale të PS-së. Kjo e rëndom edhe më shumë përgjegjësinë e shpërfilljes të PS-së, derisa kishte të ftuar edhe Kurt Kolën, i cili deri dje nuk ka asnjë lidhje me të majtën dhe PS-në. Mehdi Pogaçe, i pyetur nga “Telegraf”, tha: “ Nuk di gjë, nuk na ka njoftuar asnjë. Ndihemi të diferencuar nga kjo shpërfillje, sepse ne kemi barrën më të madhe në elektoratin e PS-së”.

Lista e partive në koalicionin opozitar për 23 Qershorin:

1. Partia Socialiste – Edi Rama

2. Partia Komuniste Shqiptare – Qemal Cicollari

3. Partia e Punës Shqiptare e Reformuar – Marko Dajti

4. Partia Komuniste Shqiptare e Reformuar – Preng Cuni

5. Partia e Bashkimit Republikan Shqiptar – Zane Llazi

6. Partia për Prosperitet dhe Demokraci – Izeir Fetahu

7. Partia Socialiste e Vërtetë ‘91 – Petro Koçi

8. Partia Socialiste e Moderuar – Gjergj Koja

9. Partia Aleanca Arbnore Kombëtare – Gjet Ndoj

10. Partia për Unitet Kombëtar -Idajet Beqiri

11. Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve – Astrit Kosturi

12. Partia e Gjelbër – Edlir Petanaj

13. Partia e Çështjeve Shqiptare – Bujar Shurdhi

14. Partia G99 –Ervin Mete

15. Partia Ardhmëria Shqiptare – Emin Subashi

16. Partia Demokracia Sociale – Paskal Milo

17. Partia për të Drejtat e Emigrantëve – Ymer Kurti

18. Partia Ligj dhe Drejtësi – Spartak Ngjela

19. Partia Rruga e Lirisë – Kurt Kola

20. Partia Kristiandemokrate – Dhimitër Muslia

21. Partia për Mbrojtjen e Punëtorëve – Kadri Isufaj

22. Partia Reformatore Demokratike – Skënder Halili

23. Partia Toleranca e Re e Shqipërisë – Avdi Keci

24. Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman – Sabri Jacaj

25. Partia Demokratike për Integrim e Prosperitet -Halil Seitaj

26. Partia Socialdemokrate – Skënder Gjinushi

27. Partia e Punës së Shqipërisë- Muharrem Xhafaj

28. Partia Aleanca për Demokraci e Solidaritet – Gaqo Apostoli

29. Partia Social Punëtore e Shqipërisë – Ramadan Ndreka

30. Partia e Pajtimit Kombëtar Shqiptar – Spartak Dobi

31. Partia Aleanca për Barazi e Drejtësi Europiane – Valentin Mustaka