Asnjë hap për kontrollin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve

498
Sigal

Pas Presidentit të Republikës edhe Avokati i Popullit nuk hap procedurat

Avokati i Popullit ende nuk e ka shpallur procedurën aplikimit për ngritjen e institucioneve të vetingut, ndërkohë që nuk ka mbërritur në Tiranë as Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i cili do të mbikëqyrë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë në çdo hallkë të procesit. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë tha për mediat se ONM do të jetë i pranishëm sapo institucionet shqiptare të jenë gati.Edhe pse ligji ka hyrë prej më se dy javësh në fuqi, ende nuk po nis puna për ngritjen e dy institucioneve  që do të bëjnë vetingun e  gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Ekziston vetëm një deklaratë e Presidentit të Republikës, i cili deklaroi për mediat se kompetenca e tij për këtë proces është e ezauruar si afat për shkak se kushtetuta dhe ligji i vetingut nuk u miratuan në të njëjtën ditë. Por procedurën e aplikimit për anëtarë të komisionit të posaçëm të kualifikimit dhe për kolegjin e apelimit nuk e ka shpallur publikisht as Avokati i Popullit dhe nuk ka ende asnjë informacion se pse kjo nuk po ndodh. Gjatë  gjithë procesit, një prani thelbësore e përcaktuar në Kushtetutë dhe ligj është ajo e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, për rolin e të cilit u bë një betejë e madhe politike e diplomatike deri në prag të miratimit të paketës kushtetuese. Pa mbërritjen e përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA në Tiranë, procedura e përzgjedhjes në institucionet shqiptare nuk mund të fillojë.  Nisja e procedurës po vonon, sikundër dhe mbërritja e ndërkombëtarëve, të cilët pritet të kryesohen nga gjermani Rajnhard Priebe, të cilët shqiptarët e kujtojnë si drejtorin për Ballkanin perëndimor në BE gjatë qeverisë Nano. Nuk nëse vonesa e procesit vjen për shkak të mosqenies gati të institucioneve shqiptare, apo të mo kompletimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Për këtë Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë bëri me dije se “Operacioni Ndërkombëtar Monitorues (ONM) është gati ta ndihmojë Shqipërinë në këtë proces shumë të rëndësishëm dhe sensitiv. Së bashku me partnerët tanë strategjikë, përfshirë të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara, jemi të përgatitur që ai të fillojë punë sapo Shqipëria të bëjë hapat e saj të para për të ngritur institucionet e vetingut. Siç e dini, ligji është miratuar dhe është në fuqi në këtë stad. Nga kjo pikë në vazhdim ai kërkon si hap të parë të zbatimit ngritjen e institucioneve të vetingut. Ne po ndjekim nga afër dinamikat e procesit të zbatimit nga institucionet shqiptare përkatëse. ONM do të jetë aty për të kryer detyrën e tij siç përcaktohet në aneksin e Kushtetutës shqiptare”. Lista me emrat e ONM i dorëzohet Këshillit të Ministrave. Puna e ndërkombëtarëve, të cilët kanë rol rekomandues, ndonëse jo vendimmarrës në gjithë hallakat e procesit nis pas mbylljes së aplikimeve për komisionin dhe kolegjin. Avokati i Popullit konsultohet me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit për të përpiluar listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret dhe listën e atyre që nuk i plotësojnë.  Operacioni i monitorimit bën rekomandimet përkatëse, bashkë me të cilat 2 listat shkojnë tek presidenti i republikës.  Presidenti do të duhet të çojë listat në Kuvend brenda 5 ditëve.  Në rast se nuk e bën, këtë procedurë e kryen Avokati i Popullit.  Pasi listat shkojnë në Kuvend, komisionet ad hoc bëjnë procedurën finale të zgjedhjes së anëtarëve të të dy organeve të vetingut.  Vëzhguesit ndërkombëtarë do të jenë të pranishëm në çdo hap të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën Shqipërisë.