Asllan Saraçi/ Pedofilia midis PD dhe PS

546
Sigal

Ngjarja shumë e rëndë. Krim i dyfishtë,vajza ishte jetime dhe minorene

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike përleshen edhe njëherë, kësaj here për pedofilinë. Shkak u bë ngjarja e rëndë në qytetin e Sarandës, ku Agron Cane, një punonjës i Zyrës së Punësimit të deputetit socialist Koço Kokëdhima i kërkonte një qytetareje pa burrë vajzën e saj 14 vjeçe për favore seksuale në këmbim të një pune për të. Pedofili e pastër. Krim i dyfishtë: vajza ishte jetime dhe minorene. Pa përmendur pastaj abuzivizmin me zyrën, me detyrën, përdhosjen e figurës, etj.. Nuk do të merremi me ç’u tha e ç’nuk u tha nga qytetarët, pasi shoku tronditi thellë jo vetëm ata, por edhe ca themele, si ato të moralit, duke bërë që secili të reflektojë thellë e me përgjegjësi. Po si reflektoi politika? Natyrisht, sipas stilit të saj të vjetër e të ri. Konkretisht, Partia Demokratike mobilizoi të gjithë arsenalin e saj, që nga rrjetet sociale, deri tek podiumet e Konferencave e deklarimet me një ritëm për ta pasur zili, e me një pasion të paparë duke arritur deri te thirrja e madhe e fort e pëlqyer e tyre nga ish- kryetari i kësaj partie: Të ngrihemi kundër aleancës së qelbësirave… Natyrisht, kjo shprehje erdhi pasi u damkosën e u fëlliqën të gjitha aleancat e kundërshtarit, si ajo Rama – Meta, aleanca e Shqipërisë evropiane, etj.. Kuptohet që ne nuk jemi kundër reagimit ndaj kësaj ngjarjeje, ndaj kësaj pedofilie edhe nga ana e partive. Kështu që reagimi edhe nga PD ishte më se i pritshëm. Mirëpo kur ky reagim i kalon kufijtë e njerëzores, normales, sociales, atëherë zë e mendon se, “halli” qëndron diku tjetër. Shkurt, politizimi i saj i skajshëm me qëllimin për të përfituar pikë, për të shtuar kreditet, për të shtuar elektorat, mendojmë se dëmton, së pari, vetë forcën politike e së dyti, dëmton demaskimin e vërtetë të problemit në fjalë, e kalon atë në plan të dytë dhe të duket sikur “politika në plan të parë”. Nuk kanë kaluar shumë ditë qëkurse mësuam për supervjedhjen e 713 milionë lekëve nga xhepat e shqiptarëve. Pa minimizuar ngjarjen e pedofilit të Sarandës, duhet ta pranojmë se ky skandal i përmasave të tilla që cenoi edhe sigurinë kombëtare financiare, nuk u përjetua me të njëjtin intensitet demaskues e luftarak nga Partia Demokratike. Përkundrazi, krejt në kundërshtim nga sa pritej prej PD, “artileria” e saj nuk ishte e rëndë, por e lehtë; gjuha e përdorur nuk ishte anatemike, e zjarrtë, përkundrazi, e butë, e ëmbël, nanurisëse. Liderët e kësaj force politike sugjeronin që të respektohej pavarësia e institucionit, të tregohej kujdes që të mos cenohej stabiliteti financiar, e kështu me radhë, një mënyrë reagimi kjo gati-gati sikur të ishte fjala për diçka normale?! Nga ana tjetër, Partia Socialiste, duke i kujtuar kundërshtarit variantin “Pango” si dhe ndonjë “hidhe e prite” tjetër, s’bëri gjë tjetër veçse la në harresë, më të paktën, një ndjesë që ky rast pedofilie ndodhi pikërisht në gjirin e saj, nga njerëzit e saj e jo thjesht, një reagim nga kreu i saj Rama, e më pas sulme kundërshtarit, si në çdo rast tjetër, duke kaluar kështu, dashur pa dashur, në lojën e kundërshtarit, pra në politizim. Nuk duam të besojmë se, ngjarja e pedofilisë është një sajesë e politikës, një nga ato sajesa që dalin në skenën e jetës politike për të harruar një ngjarje tjetër. Pra, nuk duam të besojmë se gjithçka u bë në funksion të heqjes së vëmendjes nga ngjarja e vjedhjes së shekullit, për të mbrojtur Fullanin në këtë ditë të zezë, sikurse i ka ndihmuar ai partitë në ditët e vështira. Flitet se shprehja “Paraja e bardhë për ditë të zezë”, mundet të ketë luajtur rolin e vetë përcaktues edhe në këtë rast. Pavarësisht kësaj, ngjarja e pedofilisë, e cila u finalizua këto ditë në zyrat e punësimit të kandidatit të PS-së në Sarandë, prologun e ka vite më parë e pikërisht në rolin që ka luajtur shteti shqiptar me ligjet, institucionet, seriozitetin e përgjegjshmërinë e tij për të prodhuar mbrojtje, përkrahje, siguri për shtresën e jetimëve (nëse e mitura nuk do të ishte jetime, mundësia që 60- vjeçari t’i bënte presion të ëmës për favore seksuale, në këmbim të një vendi pune, padyshim që do të minizohej, për të mos thënë se mund edhe të mos ndodhte fare). Problematika e pedofilisë me elementë nga kjo shtresë, tregon më së miri sesa e pambrojtur është ajo. Pa u zgjatur, në pedofilinë në fjalë, një lloj përgjegjësie i takon shtetit të djeshëm që s’ka bërë sa duhet për t’i mbrojtur ata. Po kështu do të thoshim edhe për shtetin e sotëm që vazhdon të bëjë pak ose aspak për këtë shtresë kaq të brishtë të shoqërisë sonë. Në këtë kuptim, ngjarja e pedofilisë nuk ka pse të bëhet top pingpongu, aq më pak të bëhet flamur që ta tund në shenjë triumfi njëra apo tjetra forcë politike. Ky cinizëm na “vret” të gjithëve. Megjithatë, kjo tymnajë sharjesh, sulmesh e kundërsulmesh me karakter politik, përveçse të ngjall neveri, besojmë se nuk do të arrijë deri atje sa të mjegullojë të vërtetën dhe të zbutë përgjegjësinë e secilit gjë që e presin të gjithë qytetarët e shokuar.