Asllan Saraci/ A e di këshilltari Bler se…

481
Sigal

Përse duhen këto hapa të nxituar që ndonjëherë, quhen edhe reformë

Para pak ditësh, në një takim të zgjeruar me drejtues të policisë, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama shpalli se, që tani e tutje, ndërtimet pa leje do të quheshin krim mjedisor e, për pasojë, si çdo krim ai do të dënohej ashpër. Po kështu edhe ministri Tahiri, si gjithmonë në mbështetje të “reformave” të qeverisë, u kërkoi vartësve të tij se ata do të mbanin përgjegjësi për çdo tullë apo gur që do të hidhej për ndërtim. Më tej, Kryeministri Rama deklaroi se, do të pezulloheshin të gjitha lejet e ndërtimit deri në vitin 2015, pra deri pas përfundimit të zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin vendor. Në mbështetje të këtyre shpalljeve u përdorën arsyetimet se mjedisi duhej mbrojtur me çdo kusht, aq më tepër në këtë moment fundmandati, pasi mjedisi është bukuria e këtij vendi etj.. Gjithashtu, një “lëvizje e fortë” e këtyre moment- shpalljeve ishte se tani e tutje INUK-u (Inspektorati i Ndërtimit Urbanistik Kombëtar) do të kalonte në varësi të Ministrisë së Brendshme, pra nën “sqetullën” e Tahirit… Edhe për këtë u hodhën “argumente” të shumta, sikurse ishte “fakti” që deri tani ky inspektorat nuk po i përgjigjej sa e si duhej ritmit të punës, dhe tjetër ishte “ fakti” se deri tani as prokuroria e as gjykatat nuk ia kishin dalë ta zgjidhnin këtë fenomen. Duke e parë ftohtë e nga jashtë gjithçka duket se ka qëllimin e bukur e fisnik për t’iu prerë hovi batërdive ndërtimore në qytet e në fshat, ku të gjithë jemi dëshmitarë të abuzimeve me mjedisin, me arkitekturën, me cilësinë, me mosplanifikimi e hapësirave të gjelbra, të atyre çlodhëse për të moshuar e për fëmijë, që nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë betonizuar gjithçka. Në të gjitha këto masakra urbane, valëvitej vetëm një flamur: ai i fitimit, i parave. Është e vërtetë se përballë kësaj emergjence urbane duhej bërë diçka. Patjetër. Po a ishte ajo çka përmendëm më e mira? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, nuk kërkohet ndonjë mundim i madh. Mjafton të bisedosh me përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe ndërtuesit, padyshim. Si njëra palë, ashtu edhe tjetra, si grupime që preken më drejtpërdrejtë, kanë jo vetëm opinione e vlerësime të tjera, por edhe të kundërta. Nuk është vështirë të kuptosh se kur preken interesa, ka edhe reagime, kundërshtime e pse jo edhe acarime deri në konfrontime. Por pavarësisht këtyre, përtej këtyre që sapo thamë, duket i arsyeshëm gjykimi se gjithçka që po përgatit Kryeministri, me atë mënyrën e të parit të problemit në “bllok” ose duke i futur të gjithë në një “thes”, është i nxituar, i gabuar dhe jo bindës në aspektin ligjor. Përgjegjësia kolektive është e gabuar. Tjetër, si mundet të futësh hundët në një pushtet që është e duhet të jetë i pavarur si ai i pushtetit vendor? Ç’do të thotë të ndërpresësh aktivitetin e ndërtimit qoftë edhe për një vit të vetëm? Që një vit të ngrijnë edhe punësimet, sepse dihet që ndërtimi është një zinxhir i gjatë hallkash, ku punësohen njerëz, të papunë. Ndërprerja, pezullimi, apo ngrirja e ndërtimeve deri pas zgjedhjeve të 2015 na kujton një vendim të kohës kur në pushtet ishte Berisha, i cili, për të ndalur fenomenin e trafikut të njerëzve dhe lëndëve narkotike nëpërmjet detit ndaloi prerazi qarkullimin e të gjitha mjeteve lundruese në det?! Atëherë opozita e asaj kohe, që tani është në pushtet, e kundërshtoi, e çnuk tha. Po tani? Meqenëse ka abuzime këtu e atje, përdoret e njëjta mendësi, zgjidhet rruga më e shkurtër: të ndërpriten ndërtimet, të mos jepet më leje. Sipas kësaj, “logjike” pezullimi, meqë trafiku është i rënduar, duhet të pezullohet qarkullimi i mjeteve ose, meqë ajri është i ndotur në Tiranë, të ndalohen qytetarët të dalin jashtë shtëpisë!!! Nuk po zgjatemi më shumë, por një pyetje mund të ngrihet: Pse duhen hedhur këto hapa të nxituar që ndonjëherë quhen edhe reformë? Pse Kryeministri Rama ka shumë këshilltarë, por mbi të gjithë ai ka edhe kryeministrin e famshëm të dikurshëm të Britanisë së Madhe, Toni Bler. Fillimisht, kur dëgjuam se z. Bler do të ishte në shërbim të Kryeministrit Rama, u gëzuam, sepse menduam se ai kishte se çfarë t’i këshillonte një kryeministri të ri të një vendi me halle. Prandaj, në këto ditë ku politika digjet e ku mendohet se zjarri i kësaj vere do të vazhdojë edhe në vjeshtë, mund të pyetet: a është këshilluar kryeministri ynë me z. Bler? Teksa po e shkruaja këtë fjali, nuk e di pse, por m’u kujtua personazhi i shokut Ropi tek filmi “Kapedani”…