Asllan Dogjani: Qeveria është e korruptuar ndaj pengohen negociatat për anëtarësimin në BE

58

Asllan Dogjani,
deputet i PD

Partnerët ndërkombëtarë
e kanë të qartë, që qeveria bashkëpunon me krimin, ndaj kërkojnë reformat
antikrim

Ne jemi për hapjen e negociatave me BE dhe kurrë Opozita jonë nuk mund të përfitojë kredo politike në dëm të
interesave të integrimit të Shqipërisë. Ju kujtoj, që Rama, si kryetar i Opozitës
në 2012-2013 bllokoi procesin e marrjes së statusit kandidat, gjoja për “kleçkën”
e Qarkut të Fierit

Jakup B. Gjoça

Deputeti i PD
Asllan Dogjani, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon, se partnerët ndërkombëtarë
e kanë të qartë, se qeveria bashkëpunon me krimin, ndaj i kërkojnë reformat
antikrim. Deputeti Dogjani pohon se kur BE i kërkon qeverisë të luftojë
korrupsioni, së pari i kërkon të luftojë korrupsionin e qeverisë. Dogjani thotë,
se nuk është justifikim i mosluftimit të korrupsionit as Vettingu, as zvarritja
e reformës në drejtësi, por kryeministri është peng i korrupsionit të
ministrave të tij. Dogjani shton se Opozita nuk mund të fitojë kredo politike
nga mosintegrimi i Shqipërisë, por reformat 
e integrimit dështuan, sepse kryeministri Rama nuk ka vullnet politik
t’i zbatojë ato.

Zoti Dogjani,
kryeministri Rama akuzoi Opozitën, se ka ndikuar te deputetët gjermanë, që ata
të vlerësojnë negativisht progresin e Shqipërisë për hapjen e negociatave.  A mund të ketë kredo politike Opozita, nëse BE
nuk hap negociatat me Shqipërinë për anëtarësim?

Ne jemi për hapjen e negociatave me BE dhe kurrë Opozita jonë nuk mund të përfitojë kredo politike në dëm të
interesave të integrimit të Shqipërisë. Ju kujtoj, që Rama, si kryetar I Opozitës
në 2012-2013 bllokoi procesin e marrjes së statusit kandidat, gjoja për “kleçkën”
e Qarkut të Fierit! Hapja e negociatave nuk është në dorën e opozitës, por është
në dorën e qeverisë. Kur morëm statutin e vendit kandidat për në BE qeverisë iu
lanë 5 detyra për t’i përmbushur, me qëllim të hapeshin dhe negociatat për t’u
anëtarësuar në BE. Por çfarë ka ndodhur pas marrjes së statutit si vend kandidat,  qeveria jo vetëm që nuk i ka bërë detyrat e lëna
nga BE, por për shkak të keqqeverisjes sot janë shtuar dhe dy detyra të tjera,
siç janë zgjedhjet dhe problemi i krimit të organizuar, kultivimit masiv të
drogës në vendin tonë. Ambasadorët e vendeve të BE, që janë të atashuar e
shohin, se çfarë po ndodh në Shqipëri me krimin e organizuar dhe me kultivimin
masiv të kanabisit në Shqipëri, për implikimin e një pjese të mirë të zinxhirit
drejtues të policisë në kultivimin e trafikimin e drogave drejt vendeve të BE.
Për herë të parë gjatë kësaj qeverisje u trafikua droga me avion dhe u ndërtuan
pista për uljen e avionëve në Durrës dhe u improvizuan fusha të tjera në Çajup,
Gjirokastër, Tepelenë, Lezhë e Vlorë. Për drogën po flasin mediat e huaja. Dje
në një shkrim në “Corriere della sera”, thuhej se gjysma e Romës furnizohet me
drogë nga Shqipëria. Rrjeti më i madh televiziv BBC kishte investiguar në
vendin tonë dhe, sipas tyre, Shqipëria është kryeqyteti i drogës në Evropë dhe
ka një industri më mbi 5 miliardë euro në vit. Për sa i përket zgjedhjeve,
kushtit tjetër që u përmend dhe nga kancelarja Merkel, është i lidhur me
zhvillimin e dy zgjedhjeve të fundit dhe me rekomandimet e OSBE-ODIHRIT. Në Dibër,
në zgjedhjet e pjesshme në Korçë dhe në Kolonjë e panë shqiptarët e ndërkombëtarët,
se si u bëhej presion votuesve, se si u përdor e gjithë makineria shtetërore
dhe paratë krimit për blerjen e votave. Evropa nuk mund të pranojë në BE një
vend që nuk mund të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme dhe ku grupet kriminale
bashkëpunojnë me qeverinë dhe ndajnë paratë e fituara nga droga.

Kur BE i kushtëzon
Shqipërisë luftën kundër korrupsionit, konkretisht, ju, çfarë kuptoni: Kush
korrupton në Shqipëri?

Ju po e quani korrupsion, kurse unë e quaj vjedhje! Vidhen paratë e
shqiptarëve, shpiken tenderë atje ku nuk janë të nevojshme, vetëm për të përfituar
ministrat. Ndaj, po të analizoni me kujdes edhe këshillimet e Merkel, të
deputetëve gjermanë, por edhe të ambasadorit amerikan në Tiranë, ata këmbëngulin,
që të luftohet korrupsioni. Dhe, dihet që gjithnjë korrupsionin e bën qeveria.
Ndaj edhe kryeministri Rama, është peng i korrupsionit të ministrave të tij,
ndaj nuk mund të luftojë korrupsionin, por përpiqet, që të shpëtojë
politikisht, duke “shpikur” kleçkat e zvarritjes së reformës në drejtësi. Nëse
do të ketë Gjyqësor të reformuar, punën e parë prokurorët dhe gjyqtarët do ta
fillojnë nga korrupsioni i qeverisë.  

Sa besueshmëri kanë
Bashkimi Evropian dhe partnerët tanë SHBA, që mungesa e reformës në drejtësi është
pengesë e luftës kundër korrupsionit?

Partnerët ndërkombëtarë, ia kërkojnë qeverisë, që të luftohet korrupsioni
dhe korrupsioni në vetë qeverinë. Kur kryeministri nuk ka vullnet, atëherë edhe
ndërkombëtarët  zgjidhjen e luftës kundër
korrupsionit e kërkojnë te drejtësia e pavarur. Dhe drejtësi të pavarur,
gjithmonë kuptohet drejtësia larg ndikimit dhe presionit politik nga
kryeministri. Ne si Opozite i kemi votuar ndryshimet kushtetuese dhe jemi që
reforma në drejtësi të bëhet sa më shpejt, që të kemi një drejtësi të aftë dhe
të pa kapur politikisht, me qëllim që të kemi institucione të forta dhe të
pavarura. Ndërsa kryeministri, me pehlivanllëqet e tij, kërkon ta kapë sistemin
e drejtësisë, që nesër të jetë ai që të emërojë gjyqtarin, prokurorin, që vetë
të jetë edhe gjyqtar dhe prokuror. Shikoni, sesi e katandisi kryeministri edhe
ligjin e dekriminalizimit. Kryebashkiakut socialist i vërtetohet dëshmia e dënimeve
penale në Gjermani dhe Itali, ndërkohë akoma gjyqësori nuk vepron sipas ligjit
të dekriminalizimit, por as kryeministri nuk e shkarkon kryebashkiakun e tij,
as për etikë morale dhe politike. Kryeministri, ose është ortak politik i kryebashkiakut
me rekorde kriminale ose është peng i tij, prandaj nuk reagon!

A kanë bindjen
politike BE dhe SHBA që Qeveria dhe kryeministri Edi Rama bashkëpunojnë me
krimin, siç akuzon përditë Opozita?

Raportet e shërbimeve partnere, mediat e huaja kanë ardhur në Shqipëri dhe
e kanë investiguar nga afër krimin e organizuar, kanë intervistuar dhe të gjithë
e kemi dëgjuar se si krimi paguante 20% për çdo rrënjë bimë narkotike, përndryshe
policia të arreston. Për herë të parë u kultivua  masivisht drogë, shumë të rinj kanë rënë pre
e grupeve kriminale,  është rritur përdorimi
i drogave nëpër shkolla, vriten çdo ditë, grabitjet me armë e maska janë bërë të
zakonshme, grabiten banka, kazino, karburante, qytetarë në derën e shtëpisë,
vriten biznesmenë e u vihen gjoba nga krimi, vidhen banesa. Kur krimi guxon e
vjedh banesën e deputetit, imagjinojeni se sa të pasigurt janë qytetarët.
Javën e kaluar ishte ministri i Brendshëm në Komisionin
e Sigurisë, të cilin e kam akuzuar drejtpërsëdrejti atë dhe një pjesë të zinxhirit
drejtues të policisë dhe deri tek polici i thjeshtë, si të lidhur me grupet
kriminale të kultivimit e trafikimit të kanabisit. Nuk është shkak buxheti, se vendi ynë është kthyer në
autostradën e trafikut të drogave, që ndërtohen pista avionësh, si ajo e Ishmit
në Durrës, apo fusha të tjera të improvizuara për uljen e avionëve në Gjirokastër,
Çajup, Tepelenë, Lushnjë, Lezhë, por shkaku kryesor është implikimi i disa
drejtuesve të policisë dhe deri tek polici i thjeshtë në kultivimin e
trafikimin e drogave. Ministrin Tahiri e kam akuzuar direkt jo për shkak te
informacioneve që kemi marrë se si me makinën e tij është trafikuar drogë nga
kushërinjtë e tij në Vlorë (akuzuar nga vartësi i tij oficeri Zagani) as nga informacionet
që kemi marrë nga burimet tona se si paratë që merren nga drejtuesit e policisë
për rrënjë droge ndahen, një pjesë vijnë deri tek drejtuesit kryesor të qeverisë,
por sipas një analize të thjeshtë që mund ta bëjë
kushdo më konkretisht: Kush më thotë mua sa
herë ka dalë në media Ministri i Brendshëm në kohën e kultivimit të bimëve
narkotike dhe t’u bënte presion Krimit e grupeve të organizuar kriminale, t’u
thoshte se kush do të mbjellë një rrënjë bime narkotike do të përballet me ashpërsinë
maksimale të ligjit? Kur ka dalë Ministri
publikisht e t’u thoshte vartësve të tij, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë,
drejtorëve të policive vendore, se kujt do t’i gjendet një rrënjë bimë
narkotike në territorin që ai mbulon, nuk mund të jetë më drejtues i policisë?
Sa masa ka marrë deri tani, kë ka penalizuar, të paktën me masa disiplinore,
kur janë konstatuar të paktën afër rrugës kryesore drogë, kur është ulur avioni
me drogë apo për ndërtimin e pistave? Siç e
kemi parë të dalë dhe të kërcënojë drejtuesit e automjeteve për kutinë e ndihmës
së shpejtë dhe për një periudhë 1 mujore të gjithë shoferët e blenë, apo për
rripin e sigurimit e mospërdorimin e telefonit! Asnjëherë! Kush mendon, se një
trafikant do të shpenzoj miliona për ta gjetur farën e drogës, për ta mbjellë,
ujitur, korrur, paketuar, transportuar, të paguaj policin, shefin, të ndërtojë
pista avionësh pa mbështetjen e policisë dhe nuk e ka të garantuar se mund të
fitoj dhjetëfish. Shqipëria është vend i vogël
dhe për territorin që ka dhe burimet njerëzore 
është në gjendje ta kontrolloj territorin edhe fizikisht, ta shkelë me këmbë
brenda 24 orëve pa marrë parasysh teknologjinë e lartë që ka dhe burimet e
informacionit, apo ndihmën nga partnerët tanë italianë e vendeve të tjera të
BE.

Zoti Dogjani,
Opozita përsërit në mënyrë të vazhdueshme që milionat euro të trafikimit të Drogës
në Shqipëri do të përdoren për fushatën elektorale të 2017. Çfarë më tepër do të
bëjë Opozita, përveç konstatimeve, që vota të mos blihet dhe Krimi të mos
financojë zgjedhjet elektorale të 2017?

Ne jemi opozitë dhe opozita fjalën ka, ne e kemi denoncuar dhe do ta
vazhdojmë ta denoncojmë përditë situatën e krijuar dhe do të punojmë për ndërgjegjësimin
e opinionit publik se nuk është zgjidhje kultivimi i drogës. Ne do të bëjmë
gjithçka edhe nëpërmjet protestave, por dhe me programin tonë, me programin që
ka PD, do t’u jepet zgjidhje këtyre problemeve, duke i nxitur qytetarët që të
kultivojnë produkte bujqësore dhe jo drogë.

Ju si e shpjegoni që
Prokuroria deri tani nuk ka hetuar akuzat tuaja konkrete, ndaj drejtuesve të
policisë së Shtetit, për bashkëpunimin e tyre me kultivuesit e Kanabis?

– Si rezultat i punës së prokurorisë është bërë e mundur të zbulohen shumë
sipërfaqe e magazina me drogë. Kemi rastin në Burrel, ku vetë prokurori mori iniciativën
për të shkuar në vendin ku ishte mbjellë drogë dhe u ndalua nga bandat
kriminale. Por shumë prokurorë janë edhe nën presionin politik të
kryeministrit, kryeministri vetë reformën në drejtësi e përdor edhe si mjet kërcënimi
ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse edhe mund t’ heqë nga puna, me instrumentet
e reformës, ndaj ata nuk mund të veprojnë, kur preken interesat e njerëzve me
pushtet!

– Parlamenti ynë
votoi ligjin e Vettingut, si themeli i Reformës në Drejtësi. Përse parlamenti
nuk voton një ligj për Vetting edhe të deputetëve, edhe të qeveritarëve?

– Kjo qeveri e Rilindjes qeveris për të pasuruar kryeministrin, ministrat.
Shikoni çfarë bëjnë me koncensionet, shikoni që koncensionet dhe tenderët ua
japin deputetëve biznesmenë dhe atyre që i kanë financuar në fushata
elektorale. A mund të kërkojnë të korruptuarit Vetting për vetveten? A nuk thanë
edhe raportet e OSBE-ODIHR-it, që votat në 2015 u blenë. Votat u blenë me paratë
e korrupsionit dhe paratë e bashkëpunimit të qeverisë me krimin. Kjo qeveri,
edhe me Vettingun, do të mundohet të spastrojë ata gjyqtarë që nuk janë partiakë,
por kurrë nuk do të bëjë katharsis-in në Gjyqësor.

– Cili është
rezultati i Ligjit të Dekriminalizimit? Mendoni se u bë katharsisi i Parlamentit,
i pushtetit vendor dhe i Administratës Publike?

Ligji i dekriminalizimit është rezultat i këmbënguljes dhe luftës politike bërë
nga Opozita. Ne kemi nxjerrë një numër të lartë personash që janë drejtues në
administratën e shtetit dhe që janë me rekorde kriminale. Ne kemi bërë publik
emra deputetësh e kryetarësh të Bashkive, por kryeministri
Rama nuk mund të spastrojë as grupin e tij parlamentar, as administratën e
shtetit nga personat me rekorde kriminale, sepse kryeministri Rama i fitoi
votat në zgjedhje me paratë e këtyre personave, me dhunën e këtyre personave,
ndaj tani kryeministri Rama ndan pushtetin me personat me rekorde krimnale.

Somario 1

Partnerët ndërkombëtarë, ia kërkojnë qeverisë, që të luftohet korrupsionin
dhe korrupsioni në vetë qeverinë. Kur kryeministri nuk ka vullnet, atëherë edhe
ndërkombëtarët  zgjidhjen e luftës kundër
korrupsionit e kërkojnë te drejtësia e pavarur. Dhe drejtësi të pavarur,
gjithmonë kuptohet drejtësia larg ndikimit dhe presionit politik nga
kryeministri

Somario 2

Kjo qeveri e Rilindjes qeveris për të pasuruar kryeministrin, ministrat.
Shikoni çfarë bëjnë me koncensionet, shikoni që koncensionet dhe tenderët ua
japin deputetëve biznesmenë dhe atyre që i kanë financuar në fushata
elektorale. A mund të kërkojnë të korruptuarit Vetting për vetveten?