Asambleja e PS-së të premten, ku do të deklarohet riformatimi i qeverisë

547
Sigal

Dje u zbardh edhe agjenda e e plotë të Asamblesë së Partisë Socialiste që është planifikuar për datën 7 shtator në orën 10:00. Siç dihet, në këtë Asamble Kombëtare të PS-së, pritet që kryeministri Rama të bëjë riformatim të qeverisë së tij, për herë të parë, në këtë mandat të dytë qeverisës. Ndoshta këto lëvizje të ministrave, do të bëhen, për t’i dhënë një impuls të ri qeverisë, por, në fakt, kryeministri Rama është përballur me pakënaqësi të shqiptarëve, thuajse kanë dështuar reformat e premtuara, shqiptarët jetojnë shumë më keq ekonomikisht, nuk u hapën 300.000 vende pune të premtuara, korrupsioni është galopant, qeveria akuzohet për bashkëpunim me krimin. Kryeministri Rama, disa muaj më parë ndërmori nismën për llogaridhënie të qeverisë, edhe pse qeveria kushte vetëm disa muaj dhe i këshilloi qytetarët që problemet e tyre, t’i adresojnë në sajtin e qeverisë, shqiperiaqeduam.al sepse vetë kryeministri Rama e pranon që administrata shtetërore është e paaftë, ka “shushunja”, siç e pohoi edhe vetë, duke harruar, veçse, se këta nëpunës “shushunja” tani i ka emëruar në shtet vetë partia e tij, si shpërblim për kontributin elektoral që dhanë në 2017-n. Agjenda e plotë e Asamblesë së PS të premten, 10:00: Raport Kombëtar i Llogaridhënies Publike të Qeverisë “Puna për Shqipërinë që Duam”. Raport i Grupit të Punës së Asamblesë Kombëtare të Partisë “Mbi performancën e përfaqësuesve të PS në qeverisjen vendore”. Udhëzim për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Këshillave Bashkiakë për zgjedhjet vendore 2019. Raporti Kombëtar i Bashkëqevërisjes deri më 31.08.2018. Raport mbi punën e Grupit Parlamentar të PS në dy sesionet e para të legjislaturës së IX. Informacion mbi punën e strukturave vendore të partisë në raport me Agjendën Politike Vjetore të Partisë. Udhëzim për fillimin e Fushatës Kombëtare “E gjithë vëmendja tek njerëzit”. Miratimi i strategjisë “Partia Socialiste për ty”. E drejta e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Vendim për unifikimin e regjistrit digjital të PS.