Asambleja e PS, përfundon votimi për zgjedhjen e strukturave drejtuese

465
Asambleja e Partisë Socialiste e mbledhur sot ka përfunduar votimin për zgjedhjen e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste, teksa tashmë po zhvillohet procesi i numërimit. Anëtarët e Asamblesë votuan për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, Kryesinë, Sekretariatin Ekzekutiv, Komisionin e Zgjedhjeve, Kryefinancierin dhe Këshillin e Mbikëqyrjes Financiare. Nga gara për Kryesinë janë tërhequr dputetët Namik Dokle dhe Arta Dade.
Deputeti socialist, Taulant Balla, në një prononcim për mediat u shpreh se Namik Dokle dhe Arta Dade i hapën rrugë të rinjve me dorëheqjen nga kandidimi për kryesinë e re të PS.
“Z.Dokle dhe znj.Dade i hapën rrugën e të rinjve, duke dhënë dorëheqjen nga kandidimi për anëtar të kryesisë. Në PS ka gjithmonë një shkëmbim brezash. Një kolege shumë e nderuar, prej ditës së themelimit të PS, si kolegia Dade, ishte një prej kolegeve të propozuara për të qenë anëtare e kryesisë. Gjej rastin ta falenderoj për mesazhin që i dha Asamblesë së PS”, u shpreh Balla.
Ai theksoi gjithashtu se Sekretari i Përgjithshëm, Gramoz Ruçi është i pazëvendësueshëm në PS. “Sa herë që bëhet fjalë për lista dhe pozicione mediat bëjnë atë që nuk është. Bie dakord me kryetarin e PS, me Asamblenë, nuk ka një kandidaturë tjetër që të zëvendësojë Gramoz Ruçi”, tha Balla.
Sigal