“As PD-ja dhe as PS-ja nuk ka vullnet për ta luftuar korrupsionin”

445
Sigal

INTERVISTA/Prof.Asoc. Dr. Aleksandër Biberaj: “FRD-në e solli në skenën politike koha dhe nevoja popullore, pasi shqiptarët kanë nevojë për përfaqësim”

 6 gushti i 2012-s, dëshmoi edhe një herë që dy forcat kryesore që kanë qeverisur Shqipërinë në 21 vitet e demokracisë, nuk e përmbushën dot misionin e tyre politik. Që të integronin Shqipërinë në BE, edhe pse slogani i parë demokratik i viteve 1991 ishte “Ta bëjmë Shqipërinë si Europa”. Shqipëria tashmë , ka shumë të ngjarë, që edhe në tetor të mos përmbushë 12 prioritetet e marrjes të statusit kandidat, pasi një nga reformat kryesore, ajo e heqjes së imunitetit nuk u miratua në Parlament. Dhe, ca më pak, nuk mundet kurrsesi që këto mendësi politike, që kanë penguar 21 vjet Shqipërinë të integrohet në BE, të arrijnë të plotësojnë reformat e 12 prioriteteve në 80 ditët e mbetura. Në intervistën për “Telegraf”, një nga drejtuesit e grupit nismëtar të FRD-së, Prof. Aleksandër Biberaj, shpjegohet se, kjo domosdoshmëri politike e përfaqësimit të qytetarëve dhe interesave të tyre, bëri të mundur edhe vetë lindjen e FRD-së. Fluksi i pranimit të deritanishëm në FRD, sikurse na thotë zoti Biberaj, është nga i gjithë spektri politik, e megjithatë objektivi kryesor mbetet reformimi i së djathtës shqiptare, pasi FRD-ja do t’i ofrojë qytetarëve shqiptarë një model tjetër të të bërit politikë. Edhe pse Kodi Zgjedhor nuk i favorizon, FRD-ja do të do ta prishë këtë bllok bipolar në politikë. Për idenë e referendumit, zoti Biberaj pohon, se nuk duhet marrë seriozisht nisma e Kryeministrit, pasi ai gjithnjë i ka humbur çdo referendum dhe se PD-PS tremben që të ballafaqohen me qytetarët.

– Zoti Biberaj, disa kritikë, duke u përpjekur që të zbehin sadopak vlerën politike të FRD-së, përpiqen që ta njehsojnë atë si produkt reaksioni të “shpëtimit të karrierave politike”, ju si do ta komentonit këtë hipotezë?

–  Ne që kemi iniciuar krijimin e FRD-së jemi të arritur në profesionet dhe në karrierat tona politike, edhe në moshë të re, pasi secili prej nesh ka arritur kulme karriere, që njeriu nuk e ka të lehtë t’i arrijë gjatë gjithë jetës. Krijimi i FRD-së nuk ka asnjë lloj lidhje me shpëtime karrierash, pasi po të ishte për karrierë, ato ne i kishim të garantuara në PD, me një kusht të vetëm, që t’i bëje një lavazh shpëlarës trurit, në mënyrë që, duke mos menduar, lexuar, shkruar apo folur, të ishe një shërbëtor i bindur verbërisht i kryetarit dhe gjithçka ishte e garantuar. Do të gjykoja se njeriu,  sidomos intelektuali, mbi gjithçka duhet të ketë interesin e vendit dhe të popullit të vet, si dhe shërbimin ndaj tyre dhe jo karrierat që ngrihen mbi shpëlarjen e trurit, apo bindjet e verbra. Politikani intelektual dhe patriot duhet të ketë dinjitet, integritet, personalitet dhe profesionalizëm, pasi vetëm kështu i shërben më së miri vendit dhe kombit të vet. Po të ishte Shqipëria mirë dhe në rrugën e duhur, nuk do të kishte nevojë për parti të reja, por kur sheh se vendi yt, qytetarët e vendit tënd varfërohen çdo ditë e më shumë dhe nëpërkëmben nga një klikë antipopullore dhe antikombëtare, kur jeta dhe pasuria e qytetarëve nuk janë të garantuara dhe kur po këta qytetarë kërkojnë përfaqësim, respekt dhe mbrojtje, intelektuali nuk mund të rrijë më duarkryq dhe të bëjë sehir, duke pritur që gjërat të rregullohen me “shkopin magjik” nga qielli. Është detyrë patriotike që t’i dalësh zot vendit dhe popullit tënd, sidomos kur ata kanë nevojë dhe sot më shumë se kurrë gjatë këtyre 22 viteve tranzicion populli shqiptar, Shqipëria ka nevojë për politikanë që i dalin zot.

– Cila është risia politike e FRD-së që ju do të sillni në politikën shqiptare?

– FRD-në e solli në skenën politike koha dhe nevoja popullore, pasi shqiptarët kanë nevojë për përfaqësim dhe mbrojtje të interesave të tyre, shqiptarët kanë nevojë për një forcë të re politike moderne, patriotike, të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme për misionin e vet. Shqiptarët kanë nevojë për moral dhe etikë në politikë, për përkushtim dhe ndershmëri dhe për një përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare. Shqiptarët kanë nevojë për një forcë politike, që të punojë për rritjen e mirëqenies së tyre, për zbutjen e varfërisë, për punësimin dhe për zhvillimin ekonomik të vendit, për ruajtjen e jetës dhe të pronës, për zhvillimin e arsimit dhe shëndetësisë si dhe për integrimin e rinisë dhe të gruas në të gjitha fushat e jetës dhe të përfaqësimit. Këto do të jenë edhe një pjesë e risive që do të sjellë FRD-ja në politikën shqiptare, një politikë e sunduar aktualisht nga një klikë e kalbur që vjen nga komunizmi bizantin, që ka 22 vjet që vjedh, gënjen, mashtron dhe tallet me shqiptarët. Dhe kjo klasë politike e kalbur duhet të marrë ndëshkimin që meriton nga qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2013.

– Cila është filozofia  dhe ideologjia politike e FRD-së?

– Lidhur me filozofinë dhe ideologjinë, ne e kemi shprehur pozicionin tonë si një parti e qendrës së djathtë me frymë liberale. Po të shikojmë anëtarësimet e deritanishme në FRD, ajo që bie në sy është prania e tre flukseve, fluksi i parë vjen nga PD-ja dhe e djathta, fluksi i dytë vjen nga qendra (elektorati gri, i pavendosur) dhe fluksi i tretë vjen nga PS-ja dhe e majta, gjë që tregon se FRD-ja është mirëpritur mirë në të gjithë spektrin politik dhe se në zgjedhjet e vitit 2013 do të fitojmë vota në të gjithë spektrin politik, natyrisht baza mbetet e djathta.

– FRD-ja a mund të bëhet një reformatore e së djathtës në Shqipëri?

– Patjetër, ky është edhe një ndër misionet kryesore të FRD-së, pasi sot nuk ka një të djathtë reale në Shqipëri, të djathtë të organizuar dhe më peshë vendim-marrëse në politikën shqiptare, mangësi që po i kushton shumë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mjafton të shikosh përbërjen e qeverisë Berisha dhe e kupton fare lehtë se çfarë uzurpimi dhe shkatërrimi i ka bërë Berisha PD-së dhe të djathtës shqiptare, por sot është më e qartë se kurrë se ky ka qenë edhe misioni i Sali Berishës, si emisar i Ramiz Alisë dhe si përfaqësues dhe mbrojtës i interesave të familjeve Hoxha dhe Kapo. Nuk është e rastit se platforma e Katovicës është zbatuar dhe vazhdon të zbatohet në mënyre perfekte në Shqipëri. Reformimi dhe bashkimi i të djathtës shqiptare është një mision fisnik i FRD-së, por njëkohësisht edhe një detyrë patriotike, atdhetare dhe qytetare dhe ne do ta realizojmë këtë mision.

– FRD-ja,  synon të mundësojë fitimin e besimit të elektoratit e  të  jetë mbartëse e alternativave ndryshe ?

– Kupolat e PD-së dhe PS-së sot ngjajnë si dy pika uji, si dy gjysmat e kalbura të PPSH-së, të cilat zihen gjatë ditës dhe flirtojnë gjatë natës, duke bërë koalicione sa herë bëhet fjalë për interesat e tyre politik, ose interesat personale dhe karrieriste të lidershipit të tyre. FRD-ja me qytetarët shqiptarë do ta ndryshojë këtë realitet, do ta prishë këtë bllok duopol në politikë, do ta çajë këtë koalicion kupolash antiqytetare, antipopullore, antikombëtare dhe antieuropiane. FRD-ja me qytetarët shqiptarë po krijojnë çdo ditë e më shumë një pol të ri politik, që do të përbëjë një faktor të rëndësishëm politik pas zgjedhjeve të vitit 2013.

– Dhe cilat janë këto alternativa ndryshe, që ju i ofroni elektoratit shqiptar?

– FRD-ja do t’i ofrojë qytetarëve shqiptarë një model tjetër të të bërit politikë dhe një profil tjetër politikani, një profil që bazohet në moral dhe etikë, në ndershmëri dhe profesionalizëm, në përgjegjshmëri dhe patriotizëm, duke qenë gjithmonë transparent me qytetarin si dhe duke e respektuar maksimalisht atë. Ato që do t’i premtojmë do t’i realizojmë, duke i ofruar qytetarëve shqiptarë një program ambicioz dhe realist. FRD-ja nuk do t’i lodhë shqiptarët me lidere apo me një elitë të përjetshme, por do të ketë një kompleks profilesh që respektojnë parimin bazë të demokracisë, që është rrotacioni i elitave, ku rinia dhe gruaja zënë një vend të rëndësishëm.

– Reforma Zgjedhore sa hapësirë demokratike u lejon partive të tjera që të përfaqësojnë votën e elektoratit?

– Kodi përbën një deformim të qartë të barazisë së votës dhe natyrisht që është bërë nga dy partitë e vjetruara për interesat e tyre, duke mos përfillur aspak kërkesat e partive të tjera, gjë që përbën edhe një diskriminim të partive të tjera, pasi partitë nuk vendosen në kushte të barabarta në garën elektorale. Gjithsesi, ne, si FRD, jemi të bindur se do t’i mundim partitë e vjetërsuara me rregullat e lojës së tyre, me ato rregulla që vetë ato kanë vendosur.

Dhe brenda këtij Kodi Elektoral që kemi, sa janë mundësitë praktike që FRD-ja të thyejë bipolarizimin PD-PS?

-Fati i zgjedhjeve nuk do të vendoset nga kodi, dhe të jeni i sigurt se nuk do të ketë  kod që pengon lumin e votave, që do të vijnë si rrëke mbështetëse nga gjithë Shqipëria për FRD-në dhe demokracinë shqiptare.  FRD-ja me qytetarët shqiptarë do ta ndryshojë këtë realitet, do ta prishë këtë bllok bipolar në politikë, do ta çajë këtë koalicion kupolash antiqytetare, antipopullore, antikombëtare dhe antieuropiane.

– Mendoni se  debati i mundësive të ndërtimit të raporteve politike midis forcave politike është i parakohshëm?

– Patjetër, që janë lojëra politike, kryesisht të kryeministrit më të korruptuar të kontinentit, për propagandë dhe demagogji, pasi ai e di fare mirë se atij dhe qeverisë së tij nuk ia jep kush statusin e vendit kandidat dhe se ai dhe qeveria e tij janë shkaku kryesor që Shqipërisë i refuzohet për të tretin vit radhazi statusi i vendit kandidat.

– Mendoni se PD-ja dhe PS-ja, duke përfituar edhe nga Kodi Zgjedhor, synojnë që të futin nën sqetull partitë e vogla?

– PD-ja dhe PS-ja me pseudo-ndryshimet e kodit elektoral përpiqen që të ruajnë monopolet politike dhe të përgatisin terrenin për një koalicion të mundshme paszgjedhor, por jam i bindur se që të dyja do të mbeten të zhgënjyera pas zgjedhjeve të vitit 2013.

 Përse FRD-ja e ka refuzuar kategorikisht një aleancë të mundshme me opozitën e majtë?

– Aleanca jonë do të jetë me qytetarët shqiptarë, larg partive të vjetërsuara.

– Derisa pohoni që duhet të kemi rotacion politik në 2013-n, a mund të jetë e mundshme ky rotacion, pa një bashkim të të gjitha forcave politike opozitare, pavarësisht nga divergjencat politike midis tyre?

– Rotacioni varet nga vota popullore dhe për të fituar duhet punuar shumë.

– Qeveria e sotme e Samaras, a mund të jetë një shembull edhe për forcat opozitare në Shqipëri?

– Ajo që duket qartë është se tendenca e qytetarëve europian për të votuar për parti të reja gjë që tregon zhgënjimin e tyre nga partitë e vjetërsuara, besoj se kjo do të ndodhë edhe në Shqipëri.

– Mendoni se kompromisi PD-PS për heqje/kufizim i imunitetit dëshmon edhe për vullnetin politik të tyre që të luftojnë korrupsionin?

– Jo aspak, as PD dhe as PS nuk ka vullnet për ta luftuar korrupsionin.

– A duhet kushtëzuar miratimi i reformës të imunitetit me ndryshimet në Kushtetutë, për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Lartë dhe Kryeprokurorit, me votë të cilësuar?

– Parimisht do të isha dakord me votën e cilësuar, pasi ky model aplikohet edhe në SHBA dhe Britani.

– Zoti Biberaj, KLD-ja me votim unanim miratoi Çefën për nënkryetar të KLD-së. Cila është ajo arsye, politike, juridike, morale, që KLD-ja tashmë votoi unanim, ndërsa, pak kohë më parë, disa anëtarë të  KLD-së votuan kundër kësaj kandidature?

– Ky është treguesi më i saktë i presionit dhe dhunës që ushtron kryeministri i vendit ndaj KLD-së për të realizuar qëllimet e veta për kontroll të KLD-së dhe ia arriti përkohësisht, pasi ky mbipushtet do të rrëzohet nga pushteti.

– Një produkt i referendumit me përmbajtjen që dikton Kryeministri, a do të sjellë cilësi në luftën kundër korrupsionit?

– Korrupsioni nuk luftohet vetëm me heqje apo kufizim imunitetit, ai në radhë të parë luftohet me vullnet politik, por si mund ta luftojë korrupsionin ai që e shkakton atë, si mund ta luftojë korrupsionin njeriu më i korruptuar në Europë?

– A ka dështuar reforma e heqjes së imunitetit, si një nga 12 prioritetet e BE për statusin kandidat? – Me keqardhje e them, por drejt dështimit të tretë po shkohet dhe natyrisht shkaku kryesor është Kryeministri i vendit, bashkë me liderin e opozitës. Është e pafalshme që nga 12 kriteret e BE-së nuk plotësohet asnjë, dhe kjo klasë politike vazhdon dhe merret me politikë.

– Derisa opozita nuk e dha votën e saj, konsensusin e saj në miratimin e imunitetit, a ka përgjegjësinë e saj edhe PS-ja në këtë dështim?

– Patjetër që ka pasi edhe ajo ka frikë nga heqja e imuniteteve, pasi ka qenë në pushtet në periudhën 1997-2005 dhe është në pushtet në maxhorancë në qeverisjen lokale.

– Referendumi mund të realizojë reformën e imunitetit?

– Mos e merrni kaq seriozisht kryeministrin, pasi ky është bllofi i radhës i tij. Kryeministri ka fobi nga referendumet, pasi kurrë në karrierën e tij nuk ka fituar asnjë referendum dhe nuk ka për të fituar ndonjëherë, aq më tepër që ka futur në ligj pengesa të tilla, saqë referendumet ose shtyhen për t’u bërë atëherë, kur ndoshta as iniciuesit e referendumit nuk kanë më interes, ose nuk bëhen fare. Po të ishte për referendume më të rëndësishme, do të ishin referendumet për çështjen e kufijve me Greqinë, problemi i importit të mbetjeve toksike, zgjedhja e presidenti nga populli, apo zgjedhja e deputetëve nga populli, me sistem maxhoritar, ose lista të hapura. Referendumi kërkon kohë dhe ka kosto të lartë, dhe Shqipëria nuk ka nevojë për një referendum të tillë.

 – Ju faleminderit!