Arvizu takohet me Ramën. Tranzicion i butë dhe i rregullt

489
Sigal

Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu  ka takuar dje Kryetarin e PS-së dhe fituesin e zgjedhjeve të 23 Qershorit, Edi Rama. Zoti Arvizu, pas takimit ka deklaruar sot se duhet të zhvillohet një trazicion i butë dhe i rregullt në Shqipëri. Në një prononcim të shkurtër për mediat pas takimit me kreun e PS-së Edi Rama, ambasadori theksoi se i ka përcjellë Kryesocialistit Rama mesazhin se, SHBA-të mbeten partnerë të Shqipërisë. “Zhvilluam një diskutim të mirë dhe substancial. Dy gjërat më të rëndësishme që diskutuam e para ishte që të kemi një tranzicion të butë dhe të rregullt dhe arsyeja e dytë që është edhe arsyeja se përse ndodhemi këtu që të ripohojmë angazhimin e fortë të SHBA-ve. SHBA mbetet një partnere e Shqipërisë dhe ky është mesazhi që SHBA-ja përcjell”,  theksoi Arvizu.

Ilir Meta: Konsensus sa më të gjerë për përmbushjen e të gjithë reformave

Ilir Meta ka pritur në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, z. Aleksandër Arvizu. Gjatë këtij takimi Lideri iLSI-së ka shprehur angazhimin për të përmbushur deri në fund detyrimet në respekt të kodit zgjedhor dhe ligjit.

Në deklaratën për mediat të mbajtur pas takimit, z. Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe të ngushta me SHBA-të në prioritetet kryesore qëLSI-ja ka për vendin tonë, por edhe që SHBA-të si aleat strategjik kanë për Shqipërinë edhe si vend anëtar i NATO-s në drejtim të forcimit të ligjit dhe të pavarësisë së institucioneve të një fryme të re bashkëpunimi në të gjithë jetën politike. Kryetari iLSI-së theksoi se beson shumë në mbështetjen e SHBA-ve për këtë perspektivë të re evropiane të Shqipërisë, e cila ka marrë një shtysë të fuqishme nga zgjedhjet e 23 Qershorit dhe se ky partneritet do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur më shpejt në rrugën e zhvillimit e të integrimit.

Ndërkaq, z. Arvizu tha se, i vlerëson shumë komentet e z. Meta dhe se riafirmon edhe një herë angazhimin e SHBA-ve për të ardhmen demokratike të Shqipërisë si edhe në rrugën drejt integrimit evropian. Ambasadori i SHBA-ve u shpreh se tani pret një tranzicion të qetë dhe se është kënaqësi që të punojë së bashku me z. Meta dhe me partnerët e tjerë të koalicionit. Kryetari iLSI-së, Ilir Meta, pas takimit me ambasadorin Arvizu, ndër të tjera tha: “Ne besojmë shumë edhe në mbështetjen e vazhdueshme dhe në rritje të SHBA-ve për këtë perspektivë të re evropiane të Shqipërisë, e cila ka marrë një shtysë të fuqishme nga zgjedhjet e 23 Qershorit dhe besojmë se ky partneritet do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur më shpejt në rrugën e zhvillimit e të integrimit, por edhe do t’i bëjë SHBA-të më krenare për mbështetjen e pakursyer që i kanë dhënë Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”.

Arvizu: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE!

Ndërsa ambasadori Arvizu, u shpreh: “Arsyet pse ndodhem këtu është që të riafirmojmë apo ripohojmë edhe një herë angazhimin e SHBA-ve për të ardhmen demokratike të Shqipërisë si edhe në rrugën drejt integrimit evropian. Sikurse janë pritshmëritë në zgjedhje për qeverinë e ardhshme, ne shpresojmë dhe presim të kemi një tranzicion të qetë dhe pres me kënaqësi që të punoj së bashku me z. Meta dhe me partnerët e tjerë të koalicionit.”