Arvizu në Tiranë, negociata për krizën politike

507
Zv/ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet e Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve dhe Sundimit të Ligjit bisedon me Bashën, Metën dhe Ramën

Aleksandër Arvizu është rikthyer në Tiranë për të negociuar për krizën politike kur tensioni mes maxhorancës dhe opozitës është në majat e tij lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Tashmë në detyrën e zv/ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet e Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve dhe Sundimit të Ligjit, ambasadori Arvizu u takua dje me Ilir Metën, Lulzim Bashën dhe në mbrëmje me kryeministrin Edi Rama.

Burime politike bënë të ditur se Arvizu, një njohës i mirë i realitetit shqiptar dhe politikanëve kryesor të vendit, mund të shërbejë edhe si një ndërmjetës mes palëve për t’i dhënë fund bojkotit të Kuvendit nga opozita, miratimit të komisioneve të vetingut dhe nisjes së një procesi për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Megjithatë detajet takimeve të Arvizusë mbeten të pakta, ndërsa në njoftimet zyrtare palët u kanë mbetur besnike qëndrimeve të mëparshme. 

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, kryetari i Kuvendit, Meta dhe diplomati i lartë i Uashingtonit vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe SHBA dhe ndanë shqetësimin e përbashkët mbi situatën aktuale politike në vend. Kryeparlamentari Meta u shpreh se Shqipëria e vlerëson mbështetjen e pandalur amerikane në drejtim të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit, duke nënvizuar se vendi ka nevojë për dialog e përgjegjshmëri për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe për të avancuar reformat kyçe në vend si ajo e sistemit të drejtësisë.

Ndërkohë, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, biseda mes Bashës dhe Arvizusë, i cili shoqërohej nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, u përqendrua tek çështjet e aktualitetit politik, në kushtet kur Departamenti i Shtetit dhe EUROPOL raportuan muajin e kaluar se gjatë vitit 2016 Shqipëria është kthyer në prodhuesin dhe shpërndarësin kryesor të marijuanës në Evropë dhe në një vend kyç për trafikun e heroinës, pastrimin e parave të krimit dhe në një bazë rajonale për krimin e organizuar.

Kryetari i opozitës vuri në dukje se raportet e qeverisë amerikane dhe të Bashkimit Evropian janë konfirmim i kriminalizimit dhe kapjes së shtetit nga krimi, që Partia Demokratike ka paralajmëruar këto vite si rrezikun kryesor që i kanoset politikës, ekonomisë dhe të ardhmes së Shqipërisë. Gjithashtu, Basha theksoi se gjendja dramatike që po kalon vendi është rezultat i drejtpërdrejtë i akteve të vetëdijshme të kryeministrit Rama, i cili përzgjodhi në Kuvend, në krye të bashkive dhe në poste të larta shtetërore persona me të shkuar kriminale, kryesisht në fushën e trafikimit ndërkombëtar të drogës.

Ndër të tjera, Basha tha se për shkak të kapjes nga krimi dhe dështimit në qeverisje, kryeministri Rama minoi procesin e dekriminalizimit, projektoi kanabizimin e vendit, nuk luftoi krimin dhe nuk ka bashkëpunuar me organizmat ligjzbatuese të vendeve partnere. “Prandaj kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk kanë as vullnet dhe asnjë mundësi të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha. Sipas tij, interesi i Ramës dhe i bashkëpunëtorëve të tij është ruajtja e pushtetit me çdo kusht.

Në këto kushte, argumentoi kryetari i opozitës në takimin me zyrtarët amerikanë, rruga e vetme për të siguruar zgjedhje të lira është krijimi i një qeverie teknike, me një mandat të qartë për zbatimin e menjëhershëm të ligjit të dekriminalizimit, parandalimin e rikanabizimit të vendit dhe luftën kundër drogës dhe parave të drogës, si dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Gjatë mbrëmjes, zyrtari i Departamentit të Shtetit, Aleksandër Arvizu, është takuar edhe me kryeministrin Rama, i cili ndodhej gjatë ditës në një vizitë në Malin e Zi. Megjithatë për bisedën Rama-Arvizu, të fokusuar në zhvillimet e fundit politike, nuk ka pasur një njoftim zyrtar. 
Sigal