Arvizu mes Kodhelit e Bashës, replika në distancë për FA

577
Sigal

TIRANE – “Përplasjet” mes mazhorancës dhe opozitës sa i përket akuzave më të fundit të Partisë Demokratike për keqpërdorimin e infrastrukturës së Forcave të Armatosura në trafik droge, janë shfaqur me replika mes ministres së Mbrotjes, Mimi Kodheli dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha. Konferenca vjetore e Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në kuadër të 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka shërbyer për shkëmbimin e replikave në distancë, ku i vetmi  “arbitër” mes tyre, ishte ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

Ministrja Kodheli, në fjalën e mbajtur gjatë konferencës, dënoi sulmet politike ndaj Forcave të Amratosura dhe bëri thirrje për ndaljen e keqpërdorimit të tyre. Por në replikë, kryedemokrati Basha tha se duhet transparencë dhe llogaridhënie për ruajtjen e dinjitetit të Forcave të Amratosura.

Replikat mes tyre vijnë një ditë pasi ministrja Kodheli dorëzoi dy padi të tjera në Prokurori për ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, për përdorimin e Forcave të Armatosura në kundërshtim të hapur me misionin e tyre kushtetues. Por gjithashtu, vijnë dhe pas letrës që Kodheli i çoi kryeprokurorit Adriatik Llalla për t’i kërkuar nisjen e procesit hetimor mbi akuzat e opozitës për përfshirjen e FA në trafikun e drogës.

KODHELI: TE NDALET KEQPERDORIMI I FA, S’DO LEJOJME SULMET POLITIKE
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli në fjalën e saj vlerësoi si arritje historike të vendit anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ndërsa u ndal edhe tek sulmet ndaj Forcave të Armatosura, ku dënoi sulmet dhe keqpërdorimin e FA.

“Nuk ka dyshim që anëtarësimi në NATO, është një arritje historike për vendin. Kur mendoj për NATO, mendja më shkon tek FA të cilat që nga fillimi i janë nënshtruar një reforme të gjerë. Kjo u shërbeu FA të krijonin një qasje të re. Shpreh mirënjohje për vendet mike që kanë mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ka kohë që forcat e armatosura janë bërë pjesë e sulmeve politike. Megjithatë unë bëj thirrje për të ndalur keqpërdorimin ndaj FA. Ne do t’i kthejmë dinjitetin e munguar Forcave të Armatosura dhe nuk do të lejojmë që deklarata për konsum dhe përfitim politik të dëmtojnë imazhinin e ri që ne po krijojmë. Shqipëria dëshmoi se ishte një partner i besueshëm i Aleancës, duke ndërmarrë reforma në një spektër të gjerë që shkonin tej FA, të cilat padyshim janë shndërruar sot në urën e sigurt që lidh Shqipërinë me NATO-n.” u shpreh Kodheli.

Duke vazhduar më tej, Kodheli tha se qeveria shqiptare mbështet edhe anëtarësimin e shtetit të Kosovës në shërbim të sigurisë në rajon ndërsa dënoi aneksimin e Krimesë nga Rusia. “Si një aktore e rëndësishme Shqipëria mbetet e vendosur të luajë një rol edhe më të madh në sigurinë në rajon. Në këtë kontekst nuk do të reshtim së përkrahuri qeverinë e Kosovës. Ndërsa ne kremtojmë 5 vjetorin në NATO, Rusia, përmes aneksimit të Krimesë,  ka flakur tej librin që rregullon marrëdhëniet mes vendeve në botë. Jam e bindur se paqja është siguria e vetme e NATO.” tha Kodheli.

BASHA: NDALNI SULMET NDAJ INSTITUCINEVE TE PAVARURA, S’DUAM KONSENSUS PER 3 MUAJ
Ndërkaq nga ana e tij Kreu i PD Lulzim Basha vlerësoi reformat që çuan në anëtarësimin në NATO, ndërsa shtoi se këto reforma duhet të shërbejnë si shëmbull për sfidat dhe reformat në procesin e integrimit evropian. Në këtë kuadër Basha theksoi se duhet të ndalet sulmi ndaj institucioneve të pavarura, ndërsa kërkoi edhe gjetjen e një konsensusi, por që të mos jetë i përkohshëm .

“Duke shqyrtuar një arritje siç është anëtarësimi në NATO kemi shumë për të mësuar për integrimin evropian. Hapja e rrugës për anëtarësim në NATO u bë e mundur falë vullnetit politik, por anëtarësimi u bë i mundur falë përmbushjes së kushteve. Në këtë kuptim anëtarësimi në NATO nuk është vetëm një arritje historike, por është një fitore e reformave, e përpjekjeve positive e administrative për të lënë prapa të gjithë stokun e problemeve dhe për të konsoliduar ato vlera që sigurojnë mirëqenie. Nga ky kuptim ky 5 vjetor duhet të na shërbejë edhe si reflektim. Një pjesë e mirë e këtyre reformave, janë hap edhe drejt integrimit evropian të vendit. Mësimi më i mirë për të nxjerrë nga ky 5 vjetor është të shikojmë nga vetja, nëse kushtetueshmëria është në bazën e funksioninmit të institucioneve. Të shohim a po përpiqemi që sistemin e kontrollit të balancave po e respektojmë.  Dhe së fundi a jemi në gjendje të krijojmë konensus për integrimin evropian, dhe më e rëndësishmja, nëse krijojmë konsensus a jemi në gjendje ta mbajmë më shumë se 3 muaj.” tha Basha.

BASHA: DUHET TRANSPARENCE DHE LLOGARIDHENIE PER FA
Basha u ndal edhe tek Forcat e Amratosura ku tha se dinjitetin FA e fituan falë reformave, ndërsa shtoi se transparenca e veprimeve të FA do ta ndihmojë edhe më tej ruajtjen dhe forcimin e dinjitetit të FA.

“Forcat e Armatosura e krijuan dinjitetin falë reformave të ndërmarra. Duhet të heqim dorë nga sindromat e vitit zero. Dinjitetin e Forcave të Armatosura e fituan Forcat e Armatosura, e fitoi shoqëria shqiptare së bashku me to. Detyra e politikës është të mos e njollosë këtë dinjitet. Dhe sa i përket kësaj, kriteret e NATO-s janë fare të qarta: transparencë dhe llogaridhënie e jo fshehje dhe as heshtje. Kjo e ndihmon këtë sektor, kjo i ndihmon FA, kjo nuk e njollos dinjitetin e tyre” u shpreh Basha.

Duke vazhduar më tej Basha foli edhe për aneksimin e Krimesë nga Rusia, duke thënë se nuk ka asnjë ngjashmëri me Kosovën, ndërsa shtoi se e vetmja ngjashmëri mund të gjendet me sulmin e qeverisë së Millosheviçit dhe tenativës së tij për të marrë Kosovën. “Çdo paralele midis Kosovës dhe Krimesë, në çdo parametër, është një justifikim i pamenduar nga Kremlini dhe presidenti Putin. Por gjuha, veprimet në terren, pamjet që na përcillen në ekran natë për natë nga Ukraina Lindore dhe nga Krimeja, e kanë një paralele me Ballkanin. Kanë një paralele me agresionet e Sllobodan Millosheviçit që çoi në kaq shumë fatkeqësi, destabilizim, humbje jetësh, genocid, spastrim etnik dhe kosto të jashtëzakonshme për palët dhe të gjithë ata që ndihmuan në procesin e gjatë dhe të mundimshëm të paqtimit të rajonit të Ish-Jugosllavisë.” përfundoi kreu i PD.

Të pranishëm në këtë konferencë, ishin dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcat të Armatosura, Jeronim Bazo si dhe drejtues e përfaqësues të Institutit.