Artur Zheji: Çfarë fshihet pas ftesës për dialog, që Rama i bëri Bashës?

Dukshëm kryeministri ka nevojë për kohë dhe i lypset të ndreqë sadopak, imazhin e tij, që ka rënë në pikiatë nga të gjitha anët. Shumë gjëra i kanë dalë nga kontrolli, pikërisht sepse donte të vinte në jetë, skemën naive, të të kontrolluarit të gjithçkaje. Pamvarësisht, se çfarë tha Mogherini, një gjë është e qartë për të: “Kur opozita ngujohet në Çadrën e protestës, ndërkombëtarët shohin shtrembër dhe me dyshim kryeministrin dhe jo opozitën!”. Rama, si talent i kapërcimeve 180 gradëshe, pasi fshiu gëlbazat dhe pështymat që hodhi deri dje për opozitën dhe, ashtu si edhe ka bërë historikisht dhe ashtu si vazhdon të bëjë edhe sot, ndaj atyre që janë në pozita më të forta se ai, e kthen piskamën kërcënuese të tigrit, në një mjaullitje përkëdhelëse prej maceje. Ai nuk u afrohet dot Zgjedhjeve të Qershorit pa Opozitën, sepse Zgjedhje të tilla nuk do t’i pranonte askush. Është gati pra të lëshojë edhe miqtë më besnikë të pushtetit në tepsinë e Opozitës, vetëm për ta kthyer atë në Ringun Politik. Para do kohësh doli Henri Çili, me “ofertën” e tij gjoja personale, që Qeveria duhet të sakrifikojë ministrin Tahiri dhe drejtorin e Policisë Çako, që tu japë garanci opozitarëve, për ta pranuar si garanci për Zgjedhjet. Sajmja ose zoti Tahiri, mund të përflitet për shumë difekte, por ka qenë dhe mbetet ministri më i ndershëm në zbatimin e përpiktë të “direktivave” të shefit të tij kryeministër. Por Rama, si shumëkush nga kryeministrat shqiptarë, është gati ta shkëmbejë dhe ta ndërrojë si të ishte pjesë këmbimi. Por tanimë për Opozitën kjo nuk mjafton. Steka është më lartë, është te kryet e tij, kryeministrore, si një Jo Garant agresiv, që kërkon ta grabisë dhe jo ta fitojë, edhe një kohë të dytë të qeverisjes së tij, e pra, si edhe e rekomandoi zoti Çili, një mandat të dytë “reformator”.