Artur Sejdini: Elbasani, baza më e fuqishme e partisë së Blushit

447
Sigal

Militantët e zhgënjyer:  “Rilindja na mashtroi, me Blushin kundër kësaj qeverie”

 Elbasani mbetet qyteti, ku partia e re e Blushit do të ketë bazat më të fuqishme, nga ku pritet të rreshtohen krah saj mbi 2500 militantët të shkëputur tashmë përfundimisht nga Rilindja. Burime të cilat i referohen mbështetësve të deputetit Ben Blushi në Elbasan i thanë “Telegraf” se “janë me qindra dhe ndoshta me mijëra ata që po presin t’i bashkohen listës së partisë re, e cila duket qartë se do të jetë përfaqësuesja e denjë e shtresës së atyre që u mashtruan nga ‘Rilindja’ e Ramës, e atyre që u lanë pa punë, pa përkrahje, që u përdorën për fushata dhe u flakën si lecka”. Mehmet Dollia është një militant i vjetër socialist, që prej vitit 1991, ai është në komisionet e votimit të degës lokale në çdo palë zgjedhje. Por prej 3 vitesh ai dhe familja e tij nuk ka përfituar nga qeveria e ‘Rilindjes’ asnjë vend pune, asnjë favor tjetër për të ndryshuar jetën mes një banese të vjetër elbasanase, e cila po i shembet, kurse tre fëmijët e tij, pavarësisht se kanë mbaruar edhe shkollën e lartë, janë të papunë. Duke folur me indinjatë Mehmeti tha se, “kam shkrirë jetën dhe gjithçka kam patur për socialistët, sepse kam qenë dhe do të mbetem i majtë, por këtë që më ka bërë kjo qeveri mua dhe mijëra të tjerëve, nuk na e bëri as Saliu për 8 vjet, na la pa punë, nuk na hapin as telefonat, kurse deputetët nuk më takojnë, madje nuk na përshëndesin fare, sepse mbetën majë makinave”. Ai thotë se “pesë anëtarët e parë partia e Ben Blushit i ka vetëm nga familja ime, po ashtu edhe nga motrat dhe vëllezërit e mi, po ashtu edhe nga qindra e mijëra militantë të mbetur rrugëve, që mallkojnë veten që luftuan, punuan dhe dhanë vota në 2013 për këta që na kanë zhytur në fukarallëk”. Duket se partia e re e Blushit, e cila pritet që strukturat e reja në qytete t’i ngrejë së pari në Elbasan, do të thithë pikërisht ata që u denigruan nga ‘Rilindja’, ata që u zhytën në borxhe dhe varfëri më shumë se në 8 vitet e Berishës, ata që u burgosën për mospagimin e faturës së energjisë elektrike, duke krijuar në zgjedhjet e 2017-s një disballancim të rrezikshëm votash për partitë e majta në qarkun e Elbasanit, kryesisht për ‘Rilindjen’. Pritet që në ditët në vazhdim Blushi dhe strukturat organizative të partisë tij të re, të zbresin në Elbasan, nga ku do të shpalosin platformën e re politike, por edhe të ngrenë strukturat e reja lokale. Dega e Elbasanit pritet  të jetë me emra të njohur intelektualësh nga ky qytet, që do të drejtojnë dhe fuqizojnë partinë e re e cila në zgjedhjet e 2017 do të ketë kandidatët e saj për deputet. Organizatorët e partisë së Blushit në Elbasan thanë se “ne do të jemi konkurruesit realë të emrave të Rilindjes dhe PD në zgjdhjet e 2017, veç afrimit të militantëve që na besojnë, ne do të jemi forca e re politike, dinjitoze, serioze dhe reale, tek e cila shqiptarët do të gjejnë jo mashtruesit por politikanët që përballen drejt të keqes me kurajë, pa u bërë palë me ata që e mbuluan vendin me hashash, korrupsion, krim dhe varfëri ekstreme”.