Artur AJAZI/ R-ja dhe Rr-ja e ministrave dhe deputetëve të Rilindjes

525
Sigal

Gazeta Telegraf/


Për gjuhëtarët e shqipes, ky
është bastardizimi më i keq që i bëhet gjuhës amtare  dhe shqiptarëve

 

R-ja dhe Rr-ja e ministrave dhe
deputetëve të Rilindjes

 

Nga ARTUR  AJAZI

Kushdo që ka
dëgjuar dhe dëgjon të flasin në foltoren e Parlamentit, apo në takime të tjera
qeveritare, ka zbuluar dhe konstatuar me habi (kurse gjuhëtarët me keqardhje)
se, ministrat dhe deputetët kryesisht të Rilindjes, gjithmonë e flasin shqipen
me “r” dhe jo me “rr”. Gjithkush e ka dëgjuar dhe patjetër e ka acaruar fakti
se, fjalëve esenciale shqipe si “rritje, rroga, karrige, arritje, birra, rregull  etj” ministrat e Ramës i thonë “ritje,
karige, roga, aritje, bira, reputacion, regull,
etj”. Për gjuhëtarët e
shqipes, ky është bastardimi më i keq që i bëhet gjuhës amtare. Sipas tyre “në
çdo vend të përparuar evropian, mund të gjobitesh dhe kjo ndodh gjithkund ku
respektohet gjuha e një vendi”. Kjo jo nga pikëpamja formale, se sa nga
këndvështrimi sintaksor i gjuhës, e cila shtrembërohet me dashje nga ata që
duan të duken interesantë, duke dashur të sjellin risi në fjalimet e tyre strikte.
Profesor Kujtim Bevapi  gjuhëtar i vjetër
thotë se “të dyja janë bashkëtingëllore, por rr-ja është vibrante, është më e
fortë, por gjithsesi nuk duhet ngrënë. Zbutja flagrante e saj është përhapur si
një epidemi në fjalimet e të gjithë ministrave apo edhe deputetëve, duke u varur
nga shkalla e kulturës tyre. Në një shtet të konsoliduar nga pikëpamja
gjuhësore mendoj, se asnjë ministër, asnjë deputet, që ka arsimin e lartë dhe e
njeh mirë mënyrën e përdorimit të gjuhës shqipe, dhe pse jo edhe të bashkëtingëlloreve,
nuk mund dhe nuk duhet të deformojë fjalët dhe fjalimin e tij , sepse fjalët
dhe fjalia marrin kuptime të tjera pastaj”. Një tjetër mendim për Profesor
Bevapin mbetet ajo, sipas të cilës “fjalët me “r” dhe jo me “rr”, përdoren më
tepër nga ata ministra që duan t’i bashkohen “modës” dhe dialektit tiranas,
ata që vijnë nga rrethet, duke menduar, se nxjerrin nga goja e tyre diçka të
re, por në fakt ulin tonalitetin dhe rëndësinë e asaj çfarë thonë dhe
transmetojnë tek publiku”. Ndërkohë që nga pikëpamja gjuhësore mbetet e gabuar,
duket se e tillë mbetet edhe mënyra si fjalë të tilla, lidhen me kuptimin e
fjalive të tjera pararendëse. Jo në pak raste gjuhëtarët ngrenë shqetësimin se,
gjuha shqipe deformohet pikërisht nga ata që pretendohet se janë “ajka”  e drejtimit të vendit, nga ministra dhe
deputetë, ndërkohë që deformime të këtyre bashkëtingëlloreve krijojnë shpesh
edhe keqkuptime të ndryshme. Çdokush vjen nga një rreth i caktuar, por ky fakt
nuk mund t’ju detyrojë apo t’ju lejojë të përdorni dialektin, por edhe as të
deformoni  gjuhën e bukur shqipe. Dhe
fakti është se në Parlament dhe në qeverinë e Rilindjes, shikon goxha ministra
dhe deputetë që, pasi janë veshur me kostumin e shtrenjtë, këpucët e shtrenjta
dhe kollaret e veçanta, gjëja e fundit që u mbetet të bëjnë është të “hanë”
bashkëtingëlloren “rr” duke e kthyer në “r”. Por Profesor Bevapi thotë se
“cenimi i  bashkëtingëllores  “r”, ndodh edhe tek folësit e televizioneve dhe,
çuditërisht, tek folësit meshkuj dhe rrallë tek 
ato femra. Kjo padyshim tregon shkallën e ulët të formimit gjuhësor të
tyre, e cila është kriter bazë në pranimin e këtyre personave në mediat
vizive”. Por ajo që ndodh me bashkëtingëlloret e gjuhës shqipe, nuk është
asgjë, para asaj që pikërisht rilindasit 
“e gjuhës” po u bëjnë shqiptarëve. E ndërsa gjuhëtarët konstatojnë
deformimin e bashkëtingëlloreve të shqipes, (diçka esenciale për vetë
profesionin e tyre) duket se shumica e shqiptarëve ka shqetësime të tjera, më
jetësore. Ata janë zgjuar dhe ndërgjegjësuar dhe nuk u besojnë me të drejtë
deformuesve të bashkëtingëlloreve, tek thonë se “janë ritur rogat, janë
ritur të ardhurat, kemi aritje të mëdha, është ritur reputacioni policisë dhe
shtetit, kemi vendosur regull
”, sepse e pabesueshme është edhe vetë
retorika e ministrave dhe deputetëve të Rilindjes. Si mund t’i besosh një
rilindasi, tek flet në foltoren e qeverisë apo Parlamentit, kur thotë “kemi
ritje të numrit  të rënjëve të hashashit
të asgjesuara në shkallë vendi”
, apo kur deklaron se “ka rënë
kontrabanda e birës
” , ndërkohë që duket si tallje edhe kur dëgjon shifrat
e sajuara, pasi sot kontrabanda po çan traun e doganave çdo ditë. Shqiptarët
nuk mund të besojnë më tek kjo Rilindje, sepse nuk mund t’i besojnë atyre që
hanë germat e shqipes, hanë edhe turpin me bukë, duke gënjyer dhe mashtruar
gjithë ditën pasi bllokojnë ekranet e TV. Serioziteti i një shtetari nis nga
gjuha që ai përdor, formimi i një shtetari nis nga gramatika gjuhësore, besimi
ndaj një shtetari nis nga deklaratat e shkruara dhe cituara drejt, pikërisht
nga pikëpamja gjuhësore. Ajo çka shtetari bën në praktikë, varet pikërisht edhe
nga  koncepti i tij mbi përdorimin e
gjuhës, pasi përmes saj kërkon votat dhe premton ndryshimin e realitetit.