Artur Ajazi/ Dibra, testi i parë i PD

509
E ndërsa fushata e parë elektorale ka nisur, dhe dy partitë kryesore të mbështetur edhe nga aleatët kanë nisur takimet me përkrahësit e tyre, duket se dibranët duhet ta bëjnë mirë zgjedhjen në 11 shtator për kreun e ri të Bashkisë. Fakti është se, Dibra është testi i parë nga ku PD duhet të dalë patjetër fituese. Jo për faktin se Shukriu mbetet simboli i drejtuesit dhe njeriut më të padëshiruar që do të donin ata të kishte patur bashkia e tyre, por për faktin tjetër se, në 11 shtator, paravendoset disi edhe fati i zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017. Dibra ka qenë prej afro dy dekadash një pikë e fortë e PD, nga ku, kjo parti si në pushtet, ashtu edhe në opozitë ka patur mbështetje të madhe dhe bilanc pozitiv në pothuajse të gjitha zgjedhjet, veç atyre të qershorit 2013. Publikimi i skandalit të ish-kreut të Bashkisë, nxori në sipërfaqe metodat dhe mënyrat më të paskrupullta të drejtimit të atij institucioni, ku primare ishte militantizmi dhe përfitimi individual nga shefi madh. 

Përzgjedhja e një mjeku si antipodi Shukriut, duket se nuk ka gjasa t’i rijapë fitoren PS në 11 shtator. Ngjarja e publikuar gjerësisht në media, tronditi dhe do të mbetet gjatë në kujtesën e dibranëve. Fushata elektorale e PS e cila ka si drejtues të saj atje Gjiknurin, nuk e ka zbehur fare ngjarjen e ndodhur me protagonist ish-kreun e bashkisë. Edhe vajtja e Ramës, po ashtu edhe batutat e tij me mbiemrin si koincidencë, nuk kanë patur efektin e duhur tek dibranët. Edhe premtimi i tij se “nuk iki nga zyra pa mbaruar rrugën e Arbërit”, nuk ishin argumenti i duhur për ti kthyer dibranët në shumicë. Ndoshta më e ndershme do të ishte mosvajtja e kryeministrit në Dibër, si një ndjesë ndaj thirrjes së tij të dikurshme për të votuar Shukriun. Por le të kthehemi tek fushata e PD. Ajo ka nisur prej afro dy javësh atje fushatën elektorale, e cila po konceptohet disi ndryshe nga fushata e kaluar. Lulzim Basha, ka thirrur në skenë figurat e dikurshme të PD, një zgjedhje e duhur, duke i atashuar ata si drejtuesit realë të aksionit elektoral për ta fituar me çdo kusht Bashkinë e Dibrës. Në krah të tyre qëndrojnë të rinjtë, si një premtim fitoreje edhe për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Testi i 11 shtatorit është treguesi i ndryshimit të kursit nga opozita, është treguesi i përgatitjeve të saj për një fitore të sigurt në zgjedhjet e përgjithshme, ose në të kundërtën asaj i duhet të qëndrojë pakicë edhe për 4 vitet e tjera. 

Kjo do ta dëmtonte shumë. Bashkia e Dibrës, mbetet ndër zonat ku qeveria e Rilindjes nuk ka përfunduar deri sot asnjë projekt me peshë, duke nisur nga transformimi i qendrës së qytetit, e duke vazhduar me rrugët, ujësjellësit, punësimin, arsimin, etj. Afro 40 për qind e dibranëve sot punojnë part-time dhe ilegalisht në Maqedoni, kurse pjesa tjetër është pothuajse e papunë. Ka prej tyre, që duke qenë me nënshtetësi bullgare, (kryesisht zonat e Gollobordës afro 16 fshatra) shkojnë e punojnë atje duke siguruar mbijetesën e familjeve. Në tre vjet e gjysmë qeverisje socialiste, dibranët kanë shijuar hidhur gjithçka, si rritjen e taksave, kapitullimin e qindra bizneseve, largimin e profesionistëve dhe mbushjen e institucioneve me militantë. E mjerueshme paraqitet situata në dy sektorët jetikë të popullatës atje, në arsim dhe shëndetësi. E ndërsa arsimi mbetet i mbushur me militantët e fushatave, shëndetësia pothuajse ka mbetur në mjerim. Shansi i banorëve mbetet afërsia me Maqedoninë, nga ku kryejnë pothuajse të gjitha vizitat mjekësore, pasi në fshatra qendrat shëndetësore janë kthyer prej kohësh në stalla bagëtish dhe nuk është investuar. Kësaj here PD ka “armë” të fuqishme për të mposhtur “Rilindjen” në Dibër, pavarësisht se qeveria duket se e ka “zgjidhur” qesenë e saj, duke synuar ndoshta edhe të arrijë në blerjen e votave, ndërkohë që evidentimi qoftë edhe i një rasti të vetëm, do të ishte vetëvrasja politike e PS. Hapin e parë të testit elektoral të 11 shtatorit, duket qartë se e ka fituar Basha, kur rreth tij janë mbledhur këto ditë shumica e çdo moshe, kryesisht të rinjtë e ngazëllyer, ndaj mbetet vetëm çështje ditësh që vota e tyre të mbushë kutitë e Sherefedinit për të lënë përgjysmë ato që kanë mbetur akoma me njollë, të konkurrentit të tij Rama. 
Sigal