Artjan Qirici:“ Edi Rama nuk ka premtuar në Athinë, asnjëherë ministri të emigracionit”

556
Sigal

Artjan Qirici, kryetari i degës të PS-së për Greqinë, në intervistën për “Telegraf”  përgënjeshtron faktin që Edi Rama të ketë premtuar në Athinë një ministri të emigracionit. Zoti Qirici, ka përcjellë te PS-ja propozimin e tij, të mbështetur edhe nga komuniteti i emigrantëve tanë, që në Ministrinë e Jashtme të ketë një drejtori të emigracionit. Qeveria e re, thotë zoti Qirici, duhet t’i afrojë emigrantët në administratën e saj, sepse ata kanë edukatën dhe kulturën demokratike të vendeve europiane, ku jetojnë e punojnë.

– Zoti Qirici, përse emigrantët treguan interes dhe në këto zgjedhje erdhën për të votuar, si asnjëherë më parë?

– Arsyet janë të shumta. Së pari, mendoj se gjithsecili prej nesh, duke jetuar dhe punuar vite në Europë, ndjeu dhe dita me ditë vlerësonte se ritmet e zhvillimit të vendit tonë nuk ishin ato që dëshironim për Atdheun tonë. Së dyti, në gjithë këto vite çdo emigrant ndjeu, vuajti dhe kapërceu vështirësi dhe lodhje pa fund, por mbi të gjitha, ndjeu mungesën e shtetit te tij, gjë kjo e theksuar, sidomos në 8 vitet e fundit të qeverisjes “Berisha”.

– Sa i vërtetë është fakti që thuhet se 80% e tyre votuan PS-në dhe pse?

– Më kryesore është  se programi i Edi Ramës, qoftë për Rilindjen e Shqipërisë, qoftë edhe për politikën që do të ndjekë për emigracionin dha një vizion të ri, të besueshëm te emigrantët, dhe kjo bëri që mbi 80.000 mijë emigrantë nga e gjithë Greqia të vijnë e të votojnë. Kjo pjesëmarrje e emigrantëve në votime, ishte edhe një nga faktorët e fitores të së Majtës. Por edhe për faktin se Berisha, jo vetëm mungoi historikisht nga hallet e emigracionit, por kaloi edhe më tej, duke injoruar dhe së fundmi me deklaratat e tij të papërgjegjshme,  hapi probleme dhe deri ne ofendim dhe injorim të gjithë komunitetit të emigrantëve shqiptarë. Dhe çka është më e rëndësishme, ne nuk mund të shikonim dhe pranonim që Atdheu ynë të vuajë më nga korrupsioni, vjedhjet e votës së lirë, vrasjet dhe mos funksionimin e drejtësisë  dhe mbi te gjitha uzurpimin e shtetit nga familja dhe oborrtarët e saj në pushtet.

– Si është e vërteta e Edi Ramës për Ministrinë e Emigracionit?

– Me  detyrën e Kryetarit të PS-së dega Greqi, kam qenë pjesë e grupit, së bashku me ekipin e PS-së dega Itali dhe pa dyshim me sekretariatin për rininë dhe emigracionin në përpilim të programit tonë elektoral. Kam qenë present dhe jo vetëm pjesëtar i organizimit të dhjetëra aktiviteteve si edhe eventeve, ku kryetari Rama ka qenë me emigrantët në Greqi. Është e vërtetë se unë personalisht, por edhe drejtues të tjerë të strukturave tona, mes shumë propozimeve të tjera, ishte edhe ai për mundësinë e  ngritjes së një ministrie të veçantë për emigracionin, por në asnjë rast kjo gjë nuk është premtuar nga z. Rama.

– Qeveria e re, çfarë më shumë do bëjë për emigracionin?

– Të gjitha ato që ne premtojmë në platformën tonë elektorale për emigracionin dhe ato janë shumë, janë një fillim nga kuota zero për vetë faktin se kjo qeveri në ikje la vetëm probleme të mprehta, sikurse ato të toponimisë, kalimin në Kuvend të ligjit për votën e jashtme, mësimin e gjuhës shqipe, njohjen e kontributeve për pension të emigrantëve,  do negociojmë e mundësojmë akordimin e menjëhershëm të nënshtetësisë për fëmijët emigrantë aty ku kanë lindur, promovimin e përfaqësuesve të spikatur të komunitetit në Greqi dhe Itali në ambasadat dhe konsullatat aty, liberalizimi i tregut të transportit ndërkombëtar, veçanërisht atij ajror, për të garantuar cilësinë e shërbimeve dhe të drejtat e udhëtarëve shqiptarë,etj.

– Cili duhet të jetë roli i emigrantit, kontributi i tyre në qeverinë e re?

– Mendoj se kudo në botë ka me dhjetëra e qindra shqiptarë të suksesshëm në fusha të ndryshme të jetës dhe prej të cilëve vendi ynë ka mungesën e përvojës dhe të eksperiencës. Një nga detyrat e rëndësishme të grupeve të punës, ministrave të rinj që sapo filluan ndërtimin e strukturave përkatëse të kërkojnë,  evidentojnë dhe të propozojnë në afrimin e tyre për kontribut të çmuar në realizimin e programit të qeverisë së re. Të gjithë ata që kanë punuar dhe jetuar, janë të suksesshëm me djersën e ballit dhe në kushte tepër të vështira kanë shumë përvojë për të sjellë në çdo fushë tjetër, kanë për të sjellë dhe kultivuar një tjetër mentalitet dhe vizion të kulturës dhe edukatës demokratike të vendit, ku ata  janë edukuar je jetuar deri tani.

– Zoti Qirici, përse ju doni të përgënjeshtroni lajmin e gazetës “Shqip”, e cila shkruante se ju ishit me ambasadorin Dervishi në takimin që ai zhvilloi me ministrin e Jashtëm grek, Venizelon?

Më jepni mundësinë të përgënjeshtroj një pjesë të lajmit të botuar nga gazeta “Shqip” e ditës së  sotme (dje). Kushdo qoftë gazetari në fjalë, është për të ardhur keq, se  ai nuk di të lexojë shqip, megjithëse shkruan për gazetën Shqip. Së pari,  unë nuk kam faqe zyrtare në FB, kam thjesht faqen time, në të cilën dhe në asnjë koment, nuk kam deklaruar se kam qenë pjesë e takimit të ambasadorit tonë në Athinë z. Dashamir Dervishi, ditën e mërkurë të javës së kaluar me ministrin e jashtëm z.Venizelos. Çfarëdo tjetër që shkruhet në atë gazetë, është e vërtetë ashtu sikurse gjithçka unë shkruaj jo vetëm në faqen time të FB. Njëkohësisht, injoroj totalisht çdolloj qëllimi dhe personi që fshihet pas këtij lajmi të botuar. Gjithashtu, me këtë rast, dua të falënderoj përpjekjen e ambasadorit tonë në Athinë dhe jo vetëm për këtë çështje. Prej kohësh kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe konstruktive në zgjidhje të problemeve, sikurse problemi në fjalë i toponimisë. Askënd  nuk mund lejojë të spekulojë me emrin tim.

– Si mund të ndërtohet një politikë produktive në ndihmë të emigrantëve ?

– Besoj se e keni fjalën për ata që me dhjetëra mijëra, të cilët, në kushtet e krizës së thellë ekonomi në Greqi janë kthyer apo kanë bërë gati bagazhet e tyre për t’u kthyer. Kemi në programin tonë propozime për ngritjen dhe konsolidimin e strukturave administrative për pritjen, udhëzimin, trajnimin e instruktimin e emigrantëve që kthehen. Po kështu propozojmë një paketë financiare për të lehtësuar ata të cilët duan të investojnë kursimet e tyre në ekonominë shqiptare, por gjithashtu edhe krijimin e programeve për të lehtësuar ambientimin e tyre, sidomos të fëmijëve në sistemin edukimor, ekonomik dhe social të vendit. Puna jonë tani sapo ka filluar, që nga KM Edi Rama, por edhe në ekipin e ministrave të rinj gjen emra të spikatur, të cilët janë marrë me problemet e emigracionit më parë edhe në poste drejtuese të strukturave të PS-së, sikurse Arben Ahmetaj dhe sigurisht sekretarin tonë  Erion Veliaj. Një përvojë të vyer  ka edhe Panariti.  Personalisht, por edhe në emër të strukturave tona ne kemi bërë propozimet tona, jemi duke diskutuar edhe me shokët e sekretariatit të emigracionit për pozicionin në strukturën e qeverisë së  re të ndjekjes të problemeve të emigracionit.  Kam propozuar një drejtori, le të themi Departament në Ministrinë e Jashtme, e cila do të ndjekë evidentimin dhe zgjidhjen e tyre. Besoj jo vetëm në këtë, por në radhë të parë në një vëmendje të veçantë nga të gjitha nomeklaturat e të gjitha ministrive në zgjidhjen e problemeve, në koordinimin midis tyre dhe sidomos në ato të bashkëpunimit ndërministror me shtetet përkatëse, sepse po kaq të gjëra janë ato. Kam gjithashtu bindjen dhe besimin e plotë se kjo qeveri me KM z.Edi Rama, me realizimin e programit të saj, do bëjë të mundur shumë shpejt marrjen e statusit pjesëtar në BE. Kjo gjë dhe vetëm kjo do ta çojë atje ku duhet vendin tonë, si pjesë e Familjes Europiane, kjo dhe vetëm kjo, në mënyrë automatike, zgjidh një sërë nga problemet që përmenda më lart.