Artisti është “mall” me pakicë, ndaj të vlerësohet

561
Sigal

INTERVISTA/ Flet kompozitori Aleksandër Lalo: Artisti shikon përtej malit, shikon detaje

Pasi thith cigaren fillon e tregon historinë e jetës së vetë sikur ta ketë regjistruar në një shirit magnetofoni. Duhanin e ka shok të pandarë dhe me zjarrin e njërës ndez cigaren tjetër. Ashtu, mes shtëllungave të tymit nën shoqërinë e koreografit të madh Besim Zekthi tregon arritjet, momentet delikate, vështirësitë, planet për të ardhmen. “Më thonë je shumë i rreptë dhe i sertë”, tregon, por në fakt nuk është ashtu. Jam konkret dhe rigoroz. Nuk pajtohem me të padrejtën dhe i jap gjithkujt aq sa i takon. Jeta e tij artistike është lidhur mes Kukësit dhe Tiranës. Kukësi ishte pjesa më e bukur e rinisë së tij ku ai hodhi bazat e krijimtarisë artistike, ndërsa Tirana i hapi dyert e suksesit duke i dhënë hapësirat e dëshiruara për një krijimtari të spikatur.

Prodhimtaria juaj artistike më e madhe ka qenë në muzikën e filmave artistikë. Pse keni zgjedhur këtë gjini muzikore?

Nuk  është se kam këmbëngulur, por ndonjëherë gjërat vijnë dhe të rastësishme… Unë muzikën e parë të filmit e kam bërë diku nga viti 1971, pikërisht në filmin “Odisea e tifozëve”. Ndoshta është ajo se, ai që merret me art do ta tregojë veten në çdo gjini dhe akomodimi im në këtë gjini erdhi ndoshta spontanisht mbasi deri diku isha bërë i njohur në botën e muzikës së lehtë shqiptare. Rreshtimi në këtë zhanër erdhi pasi kisha krijuar formacionet orkestrale në atë kohë, bëja këngë, orkestroja, çoja këngë të ndryshme në anketën muzikore, në Festivalin në RTSH. Ecja në këto rrugë të muzikës së filmit ndoshta erdhi për këto arsye që nxitën regjisorin e filmit të më ofronte për të bërë muzikën e këtij filmi, me orkestrën e Gaspër Çuçisë. Diçka spontane, por që më hapi një dritare të re në fushën e krijimtarisë artistike.

Po t’i bëni një rezyme krijimtarisë suaj, sa gjini keni shkelur?

Sot pasi i bëj një rezyme punës sime shikoj se i kam shkelur të gjitha gjinitë (zhanret)  e fushës së muzikës, që nga gjinia më e vogël e këngës, tek filmat, muzika e dhomës, veprat simfonike (ku tashmë punoj më shumë për to), komeditë muzikore, etj….Duke qenë se unë kam punuar 20 vjet në Varietenë e Tiranës, plus tetë vjet në Estradën e Kukësit, preka gjinitë e humorit, paroditë, kupletet, pantonimën që janë elementë, të cilat më plotësuan biografinë time artistike. Preka edhe këtë zhanër që është diçka e veçantë plus përpunime të këngës popullore, valle, hulumtova folklorin, kështu që në Kukës, ku preka dhe këngët për fëmijë e kompletova edhe në zhanre specifike kurorën time artistike.

Në tërë këtë krijimtari çfarë ke pasur parasysh?

Unë gjithmonë bëj atë që di të bëj, që mendoj se e bëj. Gjërat që kam menduar se nuk mund t’i bëj nuk i bëj. Aty ku kam parë se nuk kam pasur këllqe, ato zhanre nuk i kam ngacmuar. Gjithmonë në punë kam punuar pak nga pak. Por dua të them se muzika e filmit më ka zhdërvjelltësuar, sepse, është një urë lidhëse midis  gjinive të vogla dhe gjinive të mëdha të muzikës. Jam detyruar të sinkronizoj muzikën në këto filma pasi kjo muzikë është gjini serioze. Kjo nuk është një muzikë ilustruese. Kompozitorët e muzikës së filmave, jo vetëm që janë të specializuar në këtë fushë, por kanë dhe një bagazh të mjaftueshëm artistikë, dhe jo çdo kush mund të bëjë, sepse në këtë muzikë duhet edhe të sinkronizohesh, të abstrogosh, etj…

Ju pas Festivalit të 11-të, ju transferuan në Kukës. Mund të na thoni disa detaje për këtë Festival kaq të lakuar?

Ato vite kanë qenë vitet e liberalizimit të jetës shoqërore, pra janë vitet 1965-1972. Unë në këto vite kam qenë student në Institutin e Lartë të Arteve plus që kam kompozuar dhe punoja në radio. Para Festivalit të 11-të, është bërë një Festival i dytë i studentëve në Institutin e Lartë të Arteve, ku këndonin studentë, kompozonin dhe kompozitorë pedagogë por dhe të tjerë. Ky Festival ishte një Festival liberal sepse dolën këngë si “Adresa” e Françesk Radit,  si dhe shumë këngë të tjera dhe mbaj mend se në sallë, po thyheshin dyert dhe dritaret për të marrë pjesë në këtë shfaqje. Mbaj mend se në sallë ishte dhe Nefo Myftiu (gruaja e Manush Myftiut)  atëherë drejtore e Radio Tiranës, e cila e pëlqeu shumë këtë Festival. Madje, ajo u thotë drejtuesve në Radio dhe organizatorëve të këtij Festivali që, “është një festival i mirë dhe na duhet dhe një festival i tillë në RTSH”. Ndoshta ishin orientimet e asaj kohe, (pasi ishin vitet e liberalizmit, qoftë në modë, qoftë muzikë), që  në transmetimet e radios gjithmonë jepeshin edhe muzikë e përzgjedhur e huaj.  Nga ana vizuale nuk kishin dalë ende formacionet orkestrale  të Alqi Karecos, Gaspër Çuçisë, Kujtim Laros, Ferdinand Dedës, kështu që në  Festivalin e 11-të për herë të parë dolën vizualisht këtë formacione orkestrale. Për herë të parë në këtë Festival u fut dhe moda e veshjes siç ishin maksifundet. Mbaj mend se atëherë na mblodhi Todi Lubonja, (unë në atë kohë kam punuar dhe si redaktor muzikor në Radio Tirana), na tha: “Djema duhet bërë një Festival rinor, festival të bukur, këngët do paguhen mirë, (një këngë 5 mijë lekë baras me një rrogë mujore). Kjo bisedë ishte shumë domethënëse për ne, pra na inkurajuan dhe na hoqën shpengimin.  U bë njëfarë konkursi midis organizatorëve, që të bëhej diçka sa më e bukur, më profesional për kohën. Mos të harrojmë se, këto vite janë vitet e lulëzimit të muzikës sidomos asaj të lehtë në gjithë Europën. Ishin vitet e shpërthimit të muzikës. Kjo valë kishte ardhur edhe në Shqipëri. Festivali i 11-të, sigurisht kishte këngë shumë të bukura, ishte  jashtë kornizave të kohës dhe nën ndikimin e Festivalit të dytë të Institutit të Lartë të Arteve, pra ishte një Festival me risi, me krijime model, me këngëtarë të aftë, nuk ishte një çudi e madhe por ishim disa herë më të çliruar se Festivalet e tjerë. Duke i bërë një analizë jo politike por artistike, një pjesë të gabimeve në Festival i kemi bërë dhe ne padashje. Këtu kam  parasysh thashethemet artistike që bëhen në  aktivitete artistike, xhelozitë, egot, ku secili nga ne në atë kohë shfaqte mendime të ndryshme se ka modele amerikane, franceze, italiane, etj… Këto ishin thashetheme artistike, ku deri diku janë dhe të bukura për njerëz që mbajnë peshë aktivitetet, por të mos harrojmë që në studiot e televizionit në atë kohë hynin dhe dilnin dhe fëmijët e të mëdhenjve, anëtarëve të Byrosë politike, që disa i kishim dhe shokë i kishim dhe kolegë, që shikonin dhe provat e festivalit dhe bëheshin pjesë e dëgjueshmërisë së thashethemeve artistike. Sipas mendimit tim, këto thashetheme, këta fëmijë i përcillnin tek prindërit e tyre, familjet e tyre. Kështu që u hap një tymnajë se në Festivalin e 11-të, po bëhej nami. Pra, u përhap një nam për nam. Në provat gjenerale erdhi Ramiz Alia. I ndoqi me interes këngët dhe orkestrimet u shpreh që i pëlqeu shumë dhe na dha dorën. Por pas zhvillimit, befas festivali u dënua.

Si filloi lufta ndaj këtij festivali?

Unë mund të them ato çka kam parë unë. Në radhë të parë, filluan me ndalesat në radio. Unë në atë kohë isha sërishmi redaktor muzike në Radio -Tirana, ku na erdhi urdhri që disa këngë të hiqeshin nga transmetimi. Por një gjë më ka bërë përshtypje. Urdhrat për heqjen e këngëve nga transmetimi nuk kanë ardhur asnjëherë me urdhër me shkrim. Gjithçka vinte në mënyrë gojore. U hoqën disa këngë që kishin solo saksi dhe redaktorët disa herë për të qenë brenda hiqnin dhe gjëra të tjera (siç bëhet në çdo vend të botës në kësi rastesh). Pikërisht në këtë vit unë mbarova dhe shkollën e lartë.

Pra çuarja në Kukës nuk ishte rrjedhojë e Festivalit të 11-të?

Për të qenë i sinqertë jo. Gjithë kursi ynë i atij viti (pra që mbaruam atë vit), u shpërnda në gjithë Shqipërinë.  Edhe pa u bërë ky festival, një pjesë e muzikantëve nuk do të rinin në Tiranë. Kishte politika kuadri “Aty ku ka nevojë atdheu”. Çdo gjë ishte e planifikuar. Por sigurisht Festivali i 11-të, influencoi shumë  në dhënien e emërimeve. Qoftë në kursin tim, qoftë kursin pas meje, studentët që mbaruan Artet i çuan nëpër rrethe. Shteti ishte i organizuar, ku çdokush që mbaronte shkollën e lartë do i gjendej punë patjetër. Kështu mua më çuan në Kukës ku punova plot 8 vjet.

Flitet se Aleksandër Lalo në festivalet në RTSH ka marrë vetëm çmime të dyta. Si qëndron ky fakt?

Unë gjithsej në festivale kam marrë tre çmime. Një kolegu im kompozitor  më thoshte: Lalo mos eksperimento shumë në festivale pasi në festivale duhen gjëra që të bëjnë bam… Është si puna e një fotografie që po dole i qeshur për një moment të gjithë do thonë sa mirë ja ke kaluar me gruan në atë kohë, pa menduar se ajo foto është një çast, një moment nga jeta. Një çast nuk mund të identifikohet me dhjetë apo 15 vjet. Unë në fakt kam eksperimentuar një çikë, jam munduar që në krijimtari të fus edhe elemente të reja, që  ndoshta nuk gëlltiteshin menjëherë nga publiku, por që këto krijime kanë qëndruar më vonë. Në ato momente kur unë kam qenë më i drejtpërdrejtë  kam marrë dhe ndonjë çmim si tek kënga “Grurë dhe këngë” , “Bashkë të dy”. Sigurisht, në atë kohë pas vitit 1980 kur erdha si kompozitor në Varietenë e Tiranës hapa dhe ciklin e këngëve për fëmijë. Konkretisht, flas për ciklin e këngëve të Luan Zhegut me fëmijët që në atë kohë filluan të qarkullojnë llafe se po imitoja, por në fakt këto cikle që më vonë u shtuan me Irma Libohovën, Liljana Kondakçi, patën sukses. Këto këngë “Bashkë me fëmijët”, “Shi në plazh”, “Kompozitori dhe fëmija” etj… ishin një risi për krijimtarinë artistike muzikore për atë kohë që patën goxha akses në masën e njerëzve.

Sot diskutohet shumë kërkesa e mësimdhënies në Universitetin e Arteve  në raport me regjimin komunist. Ka shumë diferenca kjo kërkesë?

Kur japim mendime për një kohë të caktuar, ndoshta nuk japim mendime të sakta, pra ka subjektivizëm, pasi në momente të caktuara futet dhe elementi i nostalgjisë. Ekziston dhe një lloj nihilizmi i brezit për brezin. Edhe kjo pyetje me këtë ka të bëjë, sepse ne për të ruajtur nostalgjinë tonë themi hë mo se ky brez nuk bën.  Por do të theksoja që shkolla ka të bëjë shumë, por në fakt po kaq ka të bëjë dhe individi. Brezi im ose pak para ose mbrapa meje, ata që kanë  dashur të marrin nga shkolla kanë marrë. Ata që s’kanë  dashur s’kanë marrë. Edhe sot unë se di se çfarë bëhet konkretisht në shkollat e muzikës, por di një gjë që nga bisedat që bëj me kolegët e mi, se ka studentë shumë të talentuar, të cilët marrin maksimumin e shkollës, por studiojnë, edhe vetë. Ne nuk duhet të kërkojmë që nga shkollat e muzikës të dalin çdo vit, kompozitorë, instrumentistë, dirigjent të shkëlqyer, sepse me kaq vend sa jemi ne sikur tre ose katër të tillë të dalin në një dekadë është shumë mirë. Fakti tregon se, nga shkollat tona të muzikës, por edhe të fushave të tjera kanë dalë talente që kanë zënë vende kyçe nëpër institucione muzikore shumë të rëndësishme të Europës dhe më gjerë. P.sh Inva Mula,  Eda Zari, apo baletmajestër etj., kanë bërë famë dhe janë të shkollës sonë në etapa të ndryshme dhe jo të një gjenerate. Pra, nuk dua të them që shkolla dje kishte më nivel mësimdhënie, pasi shkollat sot kanë shumë më shumë informacion, por kjo ka  të bëjë më shumë me pasionin që kanë individët që marrin këtë rrugë. Obligimi që ata kanë. Këtu hynë dhe pasioni, geni, dhuntia, adrenalina, dashuria për profesionin, studimi i mëvonshëm. Ti mund të kesh dalë me 10-ta, në mësime, por n.q.s s’ke këto elementë jetësorë nuk do ecësh përpara. Shumë kompozitorë, dirigjent, këngëtarë, po t’u bësh skanerin nuk është se kanë shkëlqyer nëpër shkolla por kanë pasur këto elementë të tjerë pas shkollës.

A ka sot huazime të muzikës së lehtë shqiptare nga muzika e lehtë e huaj?

Vetë nuk jam ulur t’i bëjë një analizë këtij problemi, dhe s’dua t’i bëj një analizë të shpejtuar. Në përgjithësi sot krijimtaria është tepër e lirë, nuk  ka censurë artistike, se politike s’ka dhe s’ka. Duke mos pasur  censurë artistike, e cila vjen nga vetë krijuesi, (pra krijuesi të ketë një autocensurë) edhe nga institucionet, ku paraqitet krijimtaria, kjo do të thotë se nuk ekzistojnë filtrat, pra siç vijnë ujërat nga burimi ashtu përhapen edhe në rubinet.  Duke mos pasur këto filtra, krijimtaria është lënë plotësisht në dorë të krijuesit, pra n.q.s do ai të huazojë apo jo. Profesionistët e muzikës (kjo s’do të thotë vetëm se kanë mbaruar vetëm shkollën e lartë, pas ka shumë artistë, shkrimtarë që se kanë mbaruar këtë shkollë dhe kanë pas sukses të madh),  që e bëjnë mirë punën e tyre e bëjnë këtë autocensurë vetë. Ata që janë të paaftë ta bëjnë këtë punë, jo, se s’duan ta bëjnë autocensurën, por nuk dinë ta bëjnë dhe atëherë doemos që do të huazojnë.  Ata edhe kur marrin informacion  e marrin bllok ndërsa profesionisti kur dëgjon muzikë të huaj, seleksionon dhe merr atë që duhet. Diletanti e merr burimin  e informacionit pa e seleksionuar këtu qëndron diferenca. Por këtë huazim duhet ta bëjë më mirë kritika muzikore, e cila është shumë e mangët në Shqipëri dhe një nga mangësitë që muzika dhe artet  nuk ecin në rrugën e duhur është se nuk ekziston kritika. Artistët janë “mall” me pakicë. Krikë do të thotë vlerësim.

Pengjet e mia dhe jeta artistike

Pengje s’kam, por kur kthej kokën pas më duket sikur s’kam bërë asgjë, por tani kur kam filluar t’i shikoj mirë çka kam bërë them, që kam bërë diçka. Po shfrytëzoj në maksimum kohën që të lë dhe diçka tjetër. Peng them është ajo që duhet të kisha punuar më shumë dhe pse më duket se kam punuar jo pak. E thashë dhe më lart ne jemi “mall” me pakicë që tek ne nuk vërehet sasia sa ke bërë por cilësia, se çfarë dhe sa të bukur e ke bërë një vepër. Tani po punoj në vepra simfonike. Artisti ka nevojë për përkrahje, për një fjalë të mirë.  Perëndia më ka bekuar në jetë. Jam munduar të jem korrekt dhe skam pas vështirësi. Në dukje jam njeri i sertë por nuk është ashtu. S’ka shpirt artisti të jetë i sertë. Aparenca nuk vërteton gjithçka. Kam krijuar ndonjëherë konflikte artificiale me njerëz, por këto konflikte të vogla nuk janë Aleksandri i vërtetë me shpirt artisti. Artisti shikon përtej malit, shikon detaje ndaj quhet artist, për këtë vlerësohet.

A ndihen të vlerësuar artistët sot nga shteti?

Sot artistët punojnë për veten e tyre. Në këtë koncept shteti nuk hyn fare këtu. Kur them nuk hyn, s’do të thotë që nuk hyn fare. Në ekonominë e tregut i afti çan. Pra janë aftësitë individuale ato që bëjnë diferencimin. Kjo nuk  do të thotë që vlerat e mëdha artistike intelektuale që ka Shqipëria, të mos vlerësohen të mos nënvizohen dhe të mos inkurajohen nga shteti. Në aktivitetet e ndryshme që zhvillon shteti, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës apo RTSH, TOB, TK, duhen  mbajtur afër krijuesit e vërtetë gjë që nuk ndodh në mënyrë reale. Këtu shteti nëpërmjet institucioneve të specializuara duhet të ketë një strategji që të përkrahë ato projekte që i mungojnë artit shqiptar, projektet serioze, profesionale dhe të mos bëhen përkrahje projektesh në bazë të bindjeve partiake. Pra, të jepen ose të përkrahen projekte në ato fusha të muzikës që ka boshllëk muzika dhe ka projekte profesionale…