ARTISTËT PETICION KUNDËR QEVERISË

542
Sigal

Jakup.B.Gjoca

Qeveria me procedurë të përshpejtuar, do kalojë për shqyrtim dhe miratim në Parlament, të enjten që vjen projektligjin për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjen në vend të tij të një ngrehine të re, por edhe të disa kullave në hapësirën publike të Teatrit Kombëtar. Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj deklaroi ditë më parë, se arriti që me negociata me artisë të arrihej marrëveshja dhe të pranohej nga komuniteti i artistëve edhe projektligji përkatës i qeverisë. Madje, u publikua në faqen e facebookut të ministres së Kulturës Kumbaro edhe një listë me 65 emra artistësh, që mbështetnin projektligjin e qeverisë. Mirëpo, shumë shpejt, u përgënjeshtruan disa firma, të artistëve, siç ishte firma e Pirro Manit, kryesuesit të kësaj liste, i cili ndodhet në SHBA dhe nuk ka asnjë dijeni, jo vetëm për këtë listë, por as cilët ishin ata që falsifikuan firmën e tij

Artistët nënshkruajnë peticionin kundër

Artistët nuk kanë reshtur, që të protestojnë për çdo ditë tek Teatri Kombëtar. Edhe mbrëmë, moti me shi nuk i ka penguar shumë artistë dhe qytetarë që të dalin në protestë para Teatrit Kombëtar për të kundërshtuar prishjen e këtij institucioni dhe ndërtimin e një godine të re. Ai që ka folur i pari në këtë protestë, ka qenë aktori Neritan Liçaj, i cili ka lexuar peticionin për të mbrojtur godinën dhe më pas ka kërkuar nga qytetarët që të firmosin. Peticioni firmoset duke pasur me vete kartën e identitetit, për të shmangur parregullsi në procedura.

SA VLEN TEATRI DHE TOKA?

“Pronari-shtet, në zonën ku propozohet që të zhvillohet projekti, ka një sipërfaqe prej 8465 m2, nga të cilat, rreth 2100 m2 janë pronë e Bashkisë së Tiranës. Vlera e objektit të Teatrit Kombëtar, sipas të dhënave të bilancit të institucionit, përllogaritur këtu amortizimi i godinës në vite, është 95.567.619 lekë. Vlera e pronave shtetërore truall, e përcaktuar në zonën e projektit, sipas çmimit të referencës së miratuar me vendimin nr.89/2016 të Këshillit të Ministrave, është rreth 500 milionë lekë”. Kaq është vlerësimi për tokën dhe godinën në qendrën e Tiranës. Pra, godina e teatri, ajo që vazhdon të jetë aty, vlerësohet rreth 750 mijë euro. Ndërsa toka, në qendrën e qendrës së Tiranës, vlerësohet më pak se 60 mijë lekë m2, ose rreth 470 euro metri katror. Me një kërkim të thjeshtë në “Google” mund të gjesh disa shtëpi të vjetra të Tiranës që janë në shitje, si truall për ndërtimin e pallateve. Në faqet që ofrojnë shërbimin e real-estate, gjen troje që shiten për pallat me çmime, minimumi 1500 euro m2. Por qeveria, në relacion e vlerëson tokën më të preferuar nga ndërtuesit me vetëm 470 euro m2. Nga ana tjetër, mbi këtë tokë, që do të ndërtohet teatri, por edhe kullat e planifikuara mbi projektin e paraqitur në Kryeministri, do të ndërtohen apartamente dhe biznese të tjera private. Një apartament në qendër të Tiranës kushton mesatarisht 2000 deri në 2500 euro m2, ndërsa vlera e një dyqani, pra të kateve të para, është më shumë se dyfishi. Mbi një metër katror tokë teatri, parashikohen kulla me lartësi nga 8 deri në 20 kate. Llogaritë janë të thjeshta dhe të qarta.