Sigal

Marshim-protesta për teatrin, thirrje Presidentit: Mos e dekreto, kthejeni ligjin mbrapsht, jemi pranë diktaturës

“Ejani mblidhuni këtu- këtu”, artistët i bëjnë thirrje Ramës: Tërhiqu!

 Edhe pse parlamenti e votoi ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, artistët dhe shoqëria civile zhvilluan dje pasdite një marshim kundër shembjes se teatrit. Në protestë marrin pjesë edhe përfaqësues të PD-së. Protestuesit i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Ramës të tërhiqet nga projekti për shembjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa me vargjet e këngës “Eja mblidhuni këtu” iu kanë bërë apel qytetarëve të bashkohen para kryeministrisë. Ata mbanin pankarta në duar, ndërsa lëviznin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me pankarta “Mbro Teatrit”, “Pa Teatër, pa MSA, s’ka Evropë” dhe “ISIS përgjegjëse për 28 monumente kulturore” mbi një foto të kryeministrit Rama, protestuesit marshuan paqësisht në shesh deri përpara selisë së Kryeministrisë. Aktorët ndaluan para Kryeministrit, duke i thënë Edi Ramës se nuk mund ta prishë këtë vlerë kombëtare. Pas Kryeministrisë aktorët u ndalën tek Presidenca e Republikës, ku i kërkuan Presidentit Ilir Metës, të mos e dekretojë ligjin. Fjalën e mori regjisori Robert Budina, i cili u shpreh: “Zoti President i Republikës, duhet të prisni artistët. Duhet të dëgjoni me vëmendje artistët dhe nuk duhet të shembet në asnjë mënyrë. Ktheje ligjin mbrapsht, ne jemi parën diktaturës. Kam bindjen që Presidenti do të na kuptoj dhe do të na mbështetë. I ftoj të gjithë të bëhemi bashkë dhe t’i themi “Jo” këtij ligji.” Më pas fjalën e mori aktori Neritan Liçaj, i cili u shpreh i bindur se presidenti i vendit do t’i ndihmojë artistët. “Ne kemi kulturë, ne dimë t’i bëjmë gjërat. Ky popull duhet të dëgjohet, jemi në rrugë. Ndaloni marrëzinë e këtij njeriu që nuk ka fund.” Më pas një tjetër aktiviste foli e tensionuar duke thënë se ky vend është i kërcënuar nga vendimmarrja e kryeministrit Rama. “Zoti Presidenti i Republikës, Ilir Meta mos e dekreto këtë ligj! Në këtë vend ka shumë njerëz që kërcënojnë jetët tona, siç është edhe kryeministri. Por ka edhe njerëz të mëdhenj siç është ministri Pandeli Majko. Rilindja është një mashtrim, Zoti President.”, u shpreh aktivistja.