Artistët i bashkohen protestës: Edhe ne jemi “barbarë”

488
Artistët i janë bashkuar protestës së qytetarëve përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë, aty ku prej dy ditësh kërkohet lirimi i 23 të ndaluarve në Kukës, për protestën në Rrugën e Kombit. Pasi kanë protestuar përpara Teatrit Kombëtar, kundër projektit për shembjen e tij, artistët janë zhvendosur përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në një prononcim për mediat, aktori Arben Derhemi tha se, ajo që po i bashkon të gjithë shqiptarët është kryeministri Edi Rama dhe pa përgjeshmëria me të cilën po qeveris. Sipas tij, ai duhet të dorëhiqet, ndërsa tha se “nëse protestuesit janë cilësuar barbarë, atëherë edhe artistët janë barbarë”. “Arsyeja është një dhe e vetme, të gjithë shqiptarët kanë një problem shumë të madh: Kemi një qeveri dhe Kryeministër të papërgjegjshëm. E gjithë Shqipëria do të duhej të ishte këtu. Këtyre njerëzve iu dhemb shpirti se të afërmit e tyre mbahen brenda padrejtësisht. Ne na dhemb shpirti për Teatrin, dikujt për kullat. Kryeministri ynë është i papërgjegjshëm, është një njeri pa identitet. Dhe e vetmja gjë që mund të them, nëse këta njerëz i ka quajtur barbarë, atëherë edhe unë jam barbar. Dhe dua që e gjithë Tirana të jetë barbarë!” u shpreh Derhemi.
Sigal