Artikulli në “The Economist” kushtoi 36 milionë lekë, PD përplaset me qeverinë

446
Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se ka shpërdoruar qindra milionë lekë të taksapaguesve shqiptarë për të blerë 8 faqe reklamash në revistën më të shtrenjtë në botë.
Bëhet fjalë për shkrimin e publikuar më 16 janar në “The Economist” me titullin “Shqipëria, lider i reformave në rajonin e Ballkanit”.
Përmes një deklarate për shtyp të sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma PD thotë se “Vetëlavdërimi 8 faqësh i Edi Ramës, është padyshim më i shtrenjti në historinë e këtyre viteve, dhe u ka kushtuar shumë taksapaguesve shqiptarë”
Përmes një deklarate të shpërndarë për median, në kundërpërgjigje të PD-së, qeveria thotë se e ka parë reportazhin në “The Economist” si një mundësi të shkëlqyer për të promovuar vendin tonë, njësoj siç kanë vepruar edhe qeveritë e vendeve të tjera si Maqedonia, Kroacia, Turqia apo Serbia.
Për këtë ka nënshkruar një kontratë prej 36 milionë lekësh, “por se “The Economist”, si një prej revistave më prestigjioze dhe me lexueshmëri më të lartë në shkallë botërore, nuk mund te publikojë asnjë informacion që nuk është i vërtetë, që nuk është i verifikuar dhe që nuk është shkruar nga gazetarë të certifikuar të revistës”
Deklarata e plote e PD-se (17 janar 20160
Edi Rama ka shpenzuar qindra milionë lekë të taksapaguesve shqiptarë për të blerë 8 faqe reklamash në revistën më të shtrenjtë në botë, The Economist, për një artikull-reklamë që thur lëvdata për të, por që në krye tregon se është shkrim i paguar.
Sipas rregullave britanike të reklamës, në çdo faqe ku lëvdohet Edi Rama, shkruhet Advertisement Feature, çka do të thotë, shkrim i paguar. 
Vetëlavdërimi 8 faqësh i Edi Ramës, është padyshim më i shtrenjti në historinë e këtyre viteve, dhe u ka kushtuar shumë taksapaguesve shqiptarë.
Ky shpërdorim parash, bëhet në kohën kur mijëra familje në Vlorë, Fier, Lushnjë, Durrës, Krujë dhe Lezhë që janë në kushte ekstreme nga pasojat e përmbytjes, nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria, dhe mijëra familje të tjera janë në rrezik për shkak të motit që vazhdon të përkeqësohet.
E megjithatë, Edi Rama vendos të çojë dëm qindra milionë lekë të shqiptarëve për të blerë lëvdata për vete.
Ky shpërdorim turpshëm i parave të shqiptarëve, jo vetëm nuk e ndihmon Shqipërinë dhe gjendjen e rëndë të qytetarëve, por nuk zbardh asgjë në imazhin e nxirë të një kryeministri që ka 200 milionë euro pasuri me rryshfete pallatesh, që ndau me CEZ 600 milionë euro, që fshihet pas 1 milionë dollarëve në ditë evazion në dogana, që ka detyruar 100 mijë bashkqytetarë të ikin në eksod, që mbushi zyrat e Parlamentin me kriminelë e trafikantë, që nuk deklaron pikturat e tij në doganë, që jep pasuritë e vendit me bisedime të fshehta, që shet asetet për një biletë në radhën e parë të NBA, që braktis vendin ditën kur mijëra familje janë nën ujë.
Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Ballkan, dhe nuk ka shkrim të blerë a reklamë të shtrenjtë që e shpëton nga gjykimi i drejtë i qytetarëve.
Kunderpergjigjja e qeverise
Ndodh vetëm në Shqipëri që një parti opozitare të akuzojë qeverinë përse promovon vendin dhe kërkon te nxisë investimet e huaja. 
Revista “The Economist” është një nga revistat më prestigjioze në rang botëror, që lexohet nga investitorë dhe vendimmarrës të rëndësishëm. Në numrin special të kësaj reviste që do të shpërndahet në Samitin e Davosit, promovimi i Shqipërisë është një mundësi e shkëlqyer për të tërhequr investime te huaja të rëndësishme në Shqipëri, që krijojnë më shumë vende të reja pune, nxisin turizmin dhe prodhimin vendas. 
Qeveria shqiptare, duke e parë reportazhin në “The Economist” si një mundësi të shkëlqyer për të promovuar vendin tonë, njësoj siç kane vepruar edhe qeveritë e vendeve të tjera si Maqedonia, Kroacia, Turqia apo Serbia, ka nënshkruar një kontrate prej 36 milionë lekësh për te publikuar një reportazh të zgjeruar mbi Shqipërinë. 
“The Economist”, si një prej revistave më prestigjioze dhe me lexueshmëri më të lartë në shkallë botërore, nuk mund te publikojë asnjë informacion që nuk është i vërtetë, që nuk është i verifikuar dhe që nuk është shkruar nga gazetarë të certifikuar të saj. 
Fatmirësisht, kjo qeveri, ndryshe nga qeveria e kaluar, nuk shpenzon miliona dollarë para publike as për të transmetuar reklama qeveritare, as për të paguar lobiste që kërkesë të vetme nga qeveria kishin përhapjen anembanë botës së baltës së shpifjeve të ish-kryeministrit ndaj opozitës së vendit. 
Partia Demokratike vazhdon të sillet si qeveria e vjetër, me gjuhen urrejtjes, shpifjet dhe baltosjen primitive që nxjerr në pah çdo dite mungesën e lidershipit, të programit e të ideve për Shqipërinë. Koha kërkon që Partia Demokratike të zhvishet nga lëkura e qeverise se vjetër e të behet opozita e re që i mungon Shqipërisë prej dy vjetësh e gjysëm.
Sot shqiptareve u nevojitet një opozitë që debaton ashpër dhe kritikon fort me argumente e me fakte, jo një qeveri e vjetër në vend të opozitës që prodhon përditë gjuhë urrejtjeje dhe shpifje pafund; një opozite që jep alternativa, jo një grup politik të rënë nga pushteti që vetëm shan e baltos çdo njeri e punë në këtë vend.
Sigal