Artan Lazaj: EURALIUS e trajton Drejtësinë tonë si “miun e laboratorit” për të kryer eksperimente

227

Artan Lazaj, ish-gjyqtar

Shkelet në mënyrë të pariparueshme serioziteti i të ashtuquajturës tashmë të Reformës në Drejtësi. Në qoftë se pranohet kjo ide e mbrapshtë, atëherë do të kthehemi në nivelet e vitit 1945 me gjyqtarë nga mali. kam frikë se Misioni EURALIUS është kthyer në marionetë të dikujt tjetër

Artan Lazaj, ish gjyqtar në intervistën për gazetën “Telegraf” analizon rekomandimet e EURALIUS V, i cili propozon që vakancat në Gjykatën e Lartë të zëvendësohen me gjyqtarë të përkohshëm. Artan Lazaj, duke u nisur nga përvoja e vet, thotë për gazetën “Telegraf” se “EURALIUS V” e ka kapërcyer kompetencat e saj, sepse ka mision vetëm “Konsolidimin e Sistemit të Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”, ndërsa edhe propozimi që EURALIUS bëri për Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshme po e shohim që ishte skemë qesharake dhe po dështon dhe demaskohet dita ditës.

Artan Lazaj thotë se nëse ishte pranuar propozimi i tij, që gjyqtarët me 25 vite pune shembullore mund të marrin statusin e “Gjyqtar i Lartë” dhe në kësi rastesh, mund të bëhen përkohësisht anëtar të Gjykatës së Lartë. Së fundi, Artan Lazaj shprehet për gazetën “Telegraf” se EURALIUS është kthyer në marionetë të dikujt, duke nënkuptuar kryeministrin aktual.

– Zoti Lazaj ju si e vlerësoni opinionin e EURALUIS që të plotësohet Gjykata e Lartë me gjyqtarë të Përkohshëm edhe nga gjyqtarë të niveleve të ulëta të gjykatave?

Unë kam kohë që në mënyrë informale korridoreve por edhe së fundmi nga zhvillimet e përditshme jam njohur me një nismë të tillë.

Misioni Euralius, me këtë opinion në radhë të parë shkel mbi vetveten, për arsye se ky mision, në kuadër të Bashkimit Evropian, ka vetëm për mision “Konsolidimin e Sistemit të Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”. Vetëm për këtë qëllim ai është kontraktuar nga Republika e Shqipërisë dhe konsolidim do të thotë forcimi i zbatimit të ligjit në Sistemin e Drejtësisë.

Koncepti “Gjyqtarë të përkohshëm”, “Prokuror të përkohshëm” e sajesa të tilla, nuk gjenden asgjëkund në asnjë ligj. Çdo gjyqtar i çdo niveli ka mënyrën e vetë të emërimit dhe karrierës së tij pa u zgjatur shumë. Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm po e shohim që ishte skemë qesharake dhe po dështon dhe demaskohet dita ditës. Jemi bërë gazi i botës dhe kërkojmë nga këta të “Botës”, mos të na i shtojnë më këtë gaz.

Cilat ligje shkelen, nëse ky opinion i EURALIUS pranohet?

  • Shkelen të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e Sistemit të Drejtësisë, që nga Kushtetuta e Republikës dhe deri ne ligjet e posaçme të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, gjykatave dhe me radhë.
  • Shkelet në mënyrë të pariparueshme serioziteti i të ashtuquajturës tashmë të Reformës në Drejtësi, si dhe besimi i publikut që ka rënë ndjeshëm si rezultat i keqzbatimit të kësaj Reforme.

Një gjë po jua them me bindje të plotë profesionale dhe qytetare që, në qoftë se pranohet kjo ide e mbrapshtë, atëherë do të kthehemi në nivelet e vitit 1945, me gjyqtarë nga mali.

Por, gjithashtu kam frikë se Misioni EURALIUS është kthyer në marionetë të dikujt tjetër dhe për këtë Bashkimi Evropian duhet të marrë masat sa më shpejt, pasi ka të bëjë drejtpërdrejt me kredibilitetin e saj.

Cila është rruga që duhet ndjekur për të ngritur sa më parë Gjykatën e Lartë?

E vetmja rrugë është ajo e zbatimit korrekt të ligjeve të këtushme, që nga Kushtetuta dhe çdo ligj që ka të bëj drejtpërdrejt ose indirekt me Gjykatën e Lartë. Me dhimbje e them, se këtu ka shumë kohë që nuk e çan njeri kokën për zbatimin e ligjit, por vetëm për artifice të shëmtuara për “zbatimin” e saj.

Ndoshta po te ishte miratuar në ligjin për Statusin e Gjyqtarit ai propozim i bërë nga unë që një gjyqtar me 25 vjet karriere të pandërprerë, pune si gjyqtar, pa masa disiplinore në fuqi, të gëzonte të drejtën për të fituar titullin Gjyqtar i Lartë, me të gjitha benefitet ligjore dhe financiare, ndoshta duhet të kishte vend ky propozim i përkohshëm.

Në qoftë se do të bëhet një ndryshim i shpejtë që gjyqtari në bazë të një sasie të caktuar vite pune të gëzoj statusin e Gjyqtarit të Apelit dhe më tej të Gjykatës së Lartë, pavarësisht ku punon, mundet që Këshilli i Lartë Gjyqësor, të kryejë komandime të tilla, por vetëm në këtë rast dhe në asnjë rast tjetër, pasi në ligj është e shkruar se “Çdo ndërhyrje në sistemin e Drejtësisë, përbën shkelje penale”.

Kjo mund të ishte një rrugë e ndërmjetme për të rikuperuar sa më shpejt dëmet e zbatimit të reformës dhe rifillimin nga puna të Gjykatës së Lartë.

Përfundimisht, kam frikë se gjoja në emër të urgjencës së krijimit të Institucioneve të Drejtësisë, do te abuzohet në mënyrë të shëmtuar me zbatimin ligjor të Reformës, siç po abuzohet dhe bomba është gati të pëlcasë.