Arta Marku: “Peshqit e mëdhenj” nuk kapen me fushatë

375
Arta Marku për “peshqit e mëdhenj”: Hetimi nuk është fushatë
Kryeprokurorja e përkohshme “frenon” deklaratat e ambasadorit Lu. Flet për çështjen “Llalla” dhe dosjet “Tahiri”, “Seitaj”, “Gërdeci”, “21 janari” e kontratat e PD-së
Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, ka folur në intervistën e saj të parë për shumë çështje të nxehta, ndërsa ka theksuar se kapja e “peshqve të mëdhenj” nuk është një fushatë. Ajo foli në intervistën për “Vizion Plus” për rastin “Llalla” dhe dosjet “Tahiri”, “Gërdeci” e “21 janari”, pa anashkaluar edhe deklaratën e ambasadorit amerikan për kapjen e “peshqve të mëdhenj.” 

Ndaj zotit Llalla ka pasur dhe një situatë të paprecedentë, duke filluar nga viti 2016 kur atij iu revokua viza për një arsye personale deri tek vendimi i Departamentit te Shtetit që ia revokoi vizat, me një vendim të vetë Sekretarit të Shtetit, tashmë ish-Sekretari Tillerson dhe shoqëruar me një motivacion, i cili në një farë mënyre na shokoi të gjithëve, për përfshirjen e tij në afera të rënda korruptive. Ju vetë si u ndjetë kur e dëgjuat këtë lajm?
“T’ju them të drejtën jam ndjerë shumë keq, ashtu siç është ndjerë çdo zyrtar i këtij shteti apo siç duhej të ndihej çdo zyrtar. Është një vendim i rëndë dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për ish-paraardhësin tim.”

A po heton kryeprokurorja ish-kryeprokurorin, ose me saktë, Prokuroria ish-drejtuesin e saj për këtë çështje dhe për këto akuza?
“Departamenti Amerikan i Shtetit nëpërmjet përfaqësuesve të tij në Shqipëri është treguar gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar, për të përkrahur në hetimin e kujtdo zyrtari që është përfshirë në çështje korrupsioni dhe jo vetëm për rastin konkret. Natyrisht që dhe për rastin konkret janë treguar të gatshëm dhe unë gjej rastin t’i falënderoj.”

Çfarë po bëni ju, ishte pyetja. Ka një veprim konkret, ka një regjistrim çështjeje konkrete hetimore në këtë rast?
“Le të themi që Prokuroria ka marrë përsipër përgjegjësitë e veta që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji. Më tepër unë nuk mund të flas rreth kësaj çështjeje.”
Një nga akuzat, jo ndaj jush por ndaj mënyrës se si ju u zgjodhët, ishte se ju erdhët në krye të këtij institucioni pa kaluar Vettingun.
“Askush nuk e ka kryer, por unë jam në proces si disa të tjerë. Jam futur në këtë proces, pasi kam kandiduar për anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si disa koleg dhe në momentin që jam zgjidhur Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme kam hequr dorë nga kandidimi për në KLP, por duke njoftuar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit që unë dua të vazhdoj procesin e rivlerësimit.”

Pra ky proces vazhdon?
“Po patjetër. Madje unë nuk kam asgjë kundër Vettingut, jam nga ata persona që e kam përkrahur që në fillim këtë proces. Besoj shumë në të.”

Besoni që shumë nga kolegët tuaj në Prokurori do t’i mbijetojnë këtij procesi?
“Mendoj dhe besoj që ata që nuk meritojnë të jenë pjesë e sistemit, nuk do jenë më pjesë e sistemit.”

A keni arritur në një përfundim nëse ka ekzistuar një qëllim me paramendim për ta shmangur Nazer Seitajn nga hetimi në Shqipëri duke çuar atë në Itali?
“Që nga dita e parë që kam ardhur në këtë funksion çështja Tahiri është një nga shqetësimet e mia permanentë dhe jo vetëm për mua si Kryeprokurore por edhe për Prokurorinë për Krime të Rënda. Kam pasur kontakte të shumta më drejtuesin e Prokurorisë i cili është dhe pjesë e grupit hetimor të kësaj çështje dhe i kam garantuar të gjithë prokurorët që merren me këtë çështje për mbështetjen e institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm me qëllim që kjo çështje të hetohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të mbyllet ligjërisht në mënyrën e duhur.”

Pra ju thoni që ky grup hetimor gëzon mbështetjen tuaj si drejtuese e institucionit?
“Patjetër.”

A duhet të ishte ekstraduar Nazer Seitaj apo duhet të qëndronte këtu dhe të hetohej nga grupi hetimor i Krimeve të Rënda?
“Në lidhje me këtë pyetje do doja të sqaroja opinionin publik lidhur me ekstradimin e Nezar Seitajt pasi është përfolur shumë një rast i tillë. Më lejoni t’i referohem datave. Kërkesa për ekstradimin e Nezar Seitajt është bërë përpara se unë të isha në këtë pozicion ku jam aktualisht dhe konkretisht që në tetor të vitit 2017. Më datë 20 tetor është bërë arrestimi i këtij shtetasi për llogari të prokurorisë së Katanias, pra kishte një urdhër kërkimi ndërkombëtar për të dhe në 20 tetor 2017 është bërë ekzekutimi i atij urdhri. Dhe menjëherë pas ekzekutimit të urdhrit për ndalimin e tij prokuroria e Katanias nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë ka përcjellë dhe kërkesën për ekstradimin e këtij shtetasi. Materialet janë përcjellë nëpërmjet Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, dhe ka filluar shqyrtimi gjyqësor për lejimin e ekstradimit nga gjykata e rrethit Tiranë më datë 5 dhjetor 2017, pra datë në të cilën unë nuk isha në këtë funksion. Gjykata e rrethit Tiranë me vendimin e datës 18 dhjetor 2017 ka vendosur lejimin e ekstradimit të shtetasit Nezar Seiti.”

Ky ishte në ditën që ju zgjidheshit prokurore?
“Në ditën që unë u zgjodha.”

Mendoni që kjo mund të jetë rastësi?
“Mendoj që është rastësi, nuk mund të them që s’është rastësi. Procesi kishte filluar dhe datat ishin caktuar më përpara, askush nuk ta paramendonte një gjë të tillë dhe nuk ka lidhje. Ky vendim për shkak të mos ankimimit nga asnjë prej palëve, pasi palët kanë qenë dakord në gjykim, ka marrë formë të prerë dhe është bërë i ekzekutueshëm. Pastaj sipas procedurës që zbatohet në çdo rast, jo vetëm në këtë rast materialet janë përcjellë nga prokuroria e Tiranës në Prokurorinë e Përgjithshme, në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, është bërë kalimi i tyre pranë Ministrisë së Drejtësisë.”

A ka pasur ndonjë vendimmarrje me qëllim të caktuar apo gjithçka ka qenë konform procedurave rutinë?
“Unë procedurën e shpjegova dhe iu referova datave për të sqaruar opinionin publik që nuk kam lidhje me vendimmarrje të tilla. Pastaj nëse kjo procedurë ishte e rregullt, nëse duhej bërë ekstradimi, nëse nuk duhej bërë, për këtë preferoj të mos jap një përgjigje sot, pasi me kërkesën tonë në prokurorinë e rrethit Durrës ka filluar një hetim i cili vazhdon. Ka filluar edhe një hetim disiplinor në Prokurorinë e Përgjithshme për të gjithë prokurorët që kanë pasur të bëjnë me këtë material dhe ky vazhdon, pra nuk ka ndonjë konkluzion deri në këto momente. Dhe në momentin që do të kemi konkluzione për secilin prej rasteve këto do të bëhen publike.”

A mund të na thoni diçka më shumë për sa i përket hetimeve të kësaj dosje shumë sensitive që, le të themi turbullon ujërat në debatin publik prej tetorit të vitit 2017, për dosjen hetimore Habilaj-Tahiri?
“Çështja është në hetim. Hetimi është shumëdimensional, përfshin përveç Shqipërisë dhe shtete të tjera fqinjë.”

Greqinë, Italinë…
“Greqinë, Italinë. Pikërisht për këtë arsye ka qenë e domosdoshme që Prokuroria për Krimet e Rënda t’i drejtohet me letër-porosi qoftë autoriteteve italiane, qoftë atyre greke dhe presim përgjigjet e letër-porosive për të përmbyllur hetimet.”
Dosje të reja janë ato pas 18 dhjetorit; në këto dosje të reja përfshihet edhe çështja e fundit e kontratave të lobimit të Partisë Demokratike, ku sipas indiceve të para mund ose të paktën dyshohet se mund të jeta shtrirë edhe influenca ruse në Shqipëri.
“Po ajo është një nga dosjet e reja që është në hetim, natyrisht.”

Do të ngelet vetëm aty apo do të shtrihet në përgjithësi, do hetojë në përgjithësi të gjithë financimin e partive politike shqiptare? 
“Mund t’ju garantoj që prokuroria po bën punën e saj me profesionalizëm.”

Për momentin jemi në hapat e para apo ka një zhvillim konkret?
“Është një çështje e re, është në hapat e para të hetimit dhe nuk është ligjore të flasim për këtë.”

A do të rihapen hetimet për dosje të tilla, po e filloj nga Gërdeci?
“Ka një numër dosjesh si kjo e Gërdecit, të cilat kanë dominuar opinionin publik që nga fillimi, që nga hapja e këtyre dosjeve. Dhe ky dominim ka pasur një amplitudë të ndryshueshme në varësi të zhvillimeve politiko-shoqërore që kanë ndodhur në vend. Shumë persona kanë dhënë opinione, gjykime, mendime në lidhje me ecurinë e këtyre dosjeve. Unë natyrisht që nuk mund të jap një mendim, një zgjidhje në këtë moment pasi në demokraci gjithçka ndodh, por drejtësia para se të jeta veprim është procedurë. Dhe pavarësisht vullnetit individual apo institucional, nëse ky nuk përkthehet në procedurë atëherë është i destinuar të dështojë. Këto çështje natyrisht që po shqyrtohen nëse ka mjete juridike të pa ezauruara, mjete të zakonshme ose jashtëzakonshme dhe a ka mundësi prokuroria që t’i përdorë këto mjete që mund të jenë të paezauruara në drejtim të rihapjes së këtyre dosjeve, megjithatë kjo çështje po shqyrtohet nga ana jonë, nga ana teknike-juridike.”

A do të rihapen hetimet për 21 janarin?
Unë nuk mund të them asgjë më tepër se ajo që thashë pak më parë në lidhje me këtë. Pra, pavarësisht vullnetit individual dhe institucional që nuk mungon, ne po përpiqemi të gjejmë nëse ka mjete juridike të zakonshme apo të jashtëzakonshme të pa ezauruara. Dhe nëse do të ketë një hapësirë që këto mjete mund të përdoren atëherë vullneti është që të përdoren.”

A ka një mospërputhje midis pritshmërive dhe mundësive tuaja si institucion për të kapur “peshqit e mëdhenj”, të vjetër apo të rinj?
“Pritshmëria është e madhe, është e kuptueshme, është e dallueshme. Natyrisht që është më e madhe se ajo që mund të bëjë Prokurori i Përgjithshëm me kompetencat që ka. Siç e thashë dhe pak më përpara, sistemi i prokurorisë ka ndryshuar, nga sistem i centralizuar në sistem i decentralizuar dhe prokurorët e çështjeve janë zotër të këtyre çështjeve. Prokurori i Përgjithshëm mund të ndërhyjë vetëm në mënyrën e përgjithshme të funksionimit të institucionit, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështje konkrete, nuk ka të drejtë të fillojë hetime, nuk ka të drejtë të kontrollojë hetime. Por luan rolin e tij në drejtim të motivimit të prokurorëve, në drejtim të rregullimit të mënyrës se si funksionon institucioni në përgjithësi.

A do jetë ky viti i kapjes së peshqve të mëdhenj?
“Unë mund t’ju them që hetimi nuk është fushatë, prokuroria punon çdo ditë me dosjet e mëdha, me dosjet e vogla, me këdo që i është cenuar interesi, këdo qytetar që është cenuar nga një vepër penale. Nëse do të ketë peshq të mëdhenj kjo do të shihet në vazhdim të punës tonë. Nuk më pëlqen të flas, më pëlqen të veproj dhe kur veproj do të flitet më pas.”