Arta Dade në Jalë: Meta kontribut të veçantë për të majtën

430
Deputetja socialiste Arta Dade ka qenë e pranishme në bashkëbisedimin e zhvilluar me të rinjtë e LRI në këtë kamping. Duket se LSI ka zgjedhur këtë rrugë për të thyer “akullin” e krijuar me drejtuesit socialistë, përfshi këtu edhe Kryeministrin Edi Rama, i cili megjithëse pak kilometra larg Jalës, nuk ka preferuar të jetë i pranishëm në kampingun veror të organizuar nga LSI. Mungesa e Ramës është komentuar nga mediat si vijimësi i raporteve jo të ngrohta mes dy partive që bashkëqeverisin vendin.
“Ka qenë një ditë vërtet e veçantë, jo vetëm për faktin që jam ndjerë shumë e re mes Lëvizjes Rinore për Integrim, një organizatë kaq e fuqishme, po aq e mirëorganizuar, me kaq mendim dhe veprim, që padyshim që do të përbënte një shembull pozitiv për të gjitha forumet rinore, politike dhe jo politike. Unë besoj që pjesëmarrja e të rinjve në politikë e tjetërson shoqërinë, e bën më të mirë, e bën më humane, e bën më të gatshme për të përballuar sfidat që ne kemi përpara dhe të gjithë e dimë që sfidën kryesore kemi integrimin në Bashkimin Europian dhe besoj që edhe në këtë drejtim me bashkëbisedimin që unë kam bërë me ju, kam marrë një kënaqësi të veçantë dhe pse jo, ka qenë edhe një ditë reflektimi për mua”, tha znj. Dade.
Ndërkaq, deputetja e PS-së inkurajoi të rinjtë që të angazhohen në politikë dhe veçanërisht gratë dhe vajzat e reja që të jenë gjithnjë e më shumkë të përfaqësuara dhe pjesë e vendimmarrjes.
“Unë dua t’ju inkurajoj, që të vazhdoni në politikë, në mënyrë të veçantë dua t’i inkurajoj gratë dhe vajzat e reja që kanë qenë kaq të vëmendshme sot dhe padyshim angazhimi im në politik nuk do të kishte asnjë kuptim nëse unë nuk do të shikoja me kënaqësi se sa shumë ne jemi bërë. Por përsëri ka akoma shumë për të bërë për të shumëzuar veten tonë. Dhe këtë e kemi arritur në këshillat bashkiakë me 50%, por kemi sfidën para për zgjedhjet e ardhshme që Parlamenti të ketë 50% zonja të nderuara, zonjusha të jashtëzakonshme si Kejdi Mehmetaj, e cila bashkë me Silva Cakën dhe plot të rinj të tjerë që janë në Parlament, i japin dinjitet dhe i bëjnë nder atij Parlamenti dhe juve ju përfaqësojnë në mënyrën më impresionuese”, – theksoi znj. Dade.
Dade, ndër të tjera vlerësoi edhe kontributin e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta për të majtën dhe e cilësoi si një politikan të spikatur me vlera të veçanta.
“Ju inkurajoj, ju mbështesim, padyshim ne që kemi më shumë përvojë dhe më lejoni të falënderoj Ilir Metën, kryetarin e LSI-së për kontributin që ka dhënë në vazhdimësi për të majtën, por edhe si një politikan i spikatur me vlera të veçanta. Padyshim, Monika Kryemadhin, dua ta falënderoj, dhe të gjithë bashkëudhëtimin që ne kemi bërë ndër vite të pluralizmit në 25 vjet, nuk janë pak. Monika e ka përkushtuar jo vetëm rinisë politikë, por gjithçka që ka patur dhe sigurisht meriton një respekt të jashtëzakonshëm, jo vetëm nga ju, por nga e gjithë politika”, u shpreh deputetja e PS-së, Arta Dade.
Sigal