Arsimi në tranzicion, statuse të pastabilizuara për tregun e punës

604
Sigal

INTERVISTA/Flet Pedagogia e Shkencave Sociale, Majlinda Keta, Doktorante në Filozofi

Nga statusi që i jepte filozofisë Fakulteti i Shkencave Politike Juridike i para ’90-s tek deklaratat tuaja për statusin në degradim të filozofëve në jetën e shqiptarëve 2012 dhe jeni pjesë e Fakultetit të Shkencave Sociale… Ka personazhe dhe ngjarje si i gjykoni ato?

-Më vjen mirë që ju keni ndjekur historinë e atij Fakulteti që prodhonte filozofë, mësues të filozofisë, punonjës të shkencave politike juridike dhe juristë për të ardhur tek Fakulteti i Shkencave Sociale, ku filozofia është 1 nga 6 formimet. Historinë më të dhimbshme si qëndrim shtetëror ndaj saj e ka patur vetëm filozofia. Filozofia si dije dhe formim i pas ’90-s u kthye në objekt qitjeje non- sens nga politika gjoja antikomuniste deri në mbyllje  të Fakultetit të Shkencave Politike pas viteve ’90-të. Ndonëse ai ishte vendi që i mundësoi formimin apo kontribuonin si lektorë në auditor një pjesë e dhjetoristëve të parë antikomunistë si: Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Eduart Selami, Altin Goxhaj, Ferraj dhe me dhjetëra studentë mbështetës… po mbyllja e tij u konceptua si masa më efektive  në luftë kundër komunizmit dhe komunistëve. Unë kam qenë pjesë e stafit të pedagogëve asistentë në atë kohë dhe kujtoj se si u ndjemë kur u cilësuan “të papunë” të gjithë filozofët apo u përfshinë  nën qitje mediatike pedagogët më në zë dhe dinjitet të atij fakulteti nga ish-studentë të tyre në faqet e RD-së.  Pseudo-pedagogë, pa dinjitet dhe paprotagonizëm publik, padisnin si komunistë kolegët apo ish- pedagogët e tyre, Kam patur rastin që të komunikoj me gazetarë të RD-së së atyre viteve dhe jam tronditur nga ky “spiunllëk” i filozofëve nga pseudofilozofët. Për fat të keq disa prej tyre mbijetojnë dhe vazhdojnë gradohen në filozofi ndërkohë që Morali që të detyron të qënit Filozof i ka vdekur në këto vite. 24/1 – shi i famshëm mund të binte mbi filozofët por filozof nuk mund të vetëquheshe kur atë e pe si instrument i mbijetesës në tregun e punës apo që të ishe pjesë e cilësimit “pjesë e propagandës marksiste – leniniste”. Për kulturë historike publike,  Filozofinë Marksiste Leniniste ne studentët e asaj kohe, e zhvillonim vetëm në 1 lëndë semestrale, në vitin e tretë(në mos gaboj) me të njëjtin program që bëhej ajo në gjithë fakultetet e tjera. Këto zhvillime kanë qenë një grusht për statusin por dhe një motiv I madh për të provuar në sfidat e kohës cilësinë e arritur nga Fakulteti i Shkencave Politike Juridike dhe të atyre që i duhet ti bashkëngjisnim formimit tonë në kualifikime dhe studime të tjera. Pa këtë “ngjarje” sot nuk do të kishim sfidantin e universitetit bashkëkohor publik përmes filozofisë, këtu e në Francë, Prof. Fuga; sociologun e mirënjohur dhe botues produktiv Prof. Dervishin; kontributorët e riformimit të Shkencave Politike Prof. Ferraj dhe Prof. Kocani; ideologë të demokracisë politike si: Prof. Kureta, Lleshi, Pellumbi, Sulstarova apo z. Selami; estetin e palodhur ende në lektime e botime Alfred Uçi; diplomatë karriere si zoti Kuko, zonja Kureta, zonja Hasa, Tarifa etj.; administratorët e suksesshëm të arsimit dhe kualifikimit si zonja Myteberi, zonja Petrela, Shtëpani  etj.,  apo  dhjetëra kontributorë në median e tranzicionit si: Qatipi, Kabo, Cavo, Kristo…; qindra mësues filozofie që qenë pionierët e parë të edukimit me të drejta të njeriut, qytetarinë europiane dhe ekonominë e tregut në sistemin  parauniversitar apo dinjitetin e specialistëve të kësaj fushe në tregun e OJF-ve shqiptare. Unë i kam promovuar studentët e atyre viteve në drejtimin e arsimit të qytetit të Tiranës dhe ato kanë vazhduar me suksesin për cilësitë dhe vlerat që jep formimi në cilësitë e motivuesve dhe ideusve të progresit të cilësisë së mësimdhënies dhe demokracisë në shkollë. Dallonin mbi të gjithë dhe ishin më të mbështeturit e të vlerësuarit nga nxënësit dhe qeveritë e tyre si mësues dhe drejtues. Ato që kapën ’90-n dhe e sfiduan përmes suksesit në çdo fushë, ku debutojnë, me cilësi reformatorësh  e progresistësh në sektor publik e jo publik, risjellin në vëmendje sesa pa sens dhe e gabuar  ka qenë masa e mbylljes së atij fakulteti, filozofisë si formim i pastër universitar.

-Po sot si e vlerësoni gjendjen kur pohoni degradim statusi?

-Kur bëj këtë pohim i referohem 2 ngjarjeve brenda zhvillimeve në arsim parauniversitar këto vitet e fundit pas 2005-s. Kuptoj ideatorët e reformave arsimore që duan të marrin masa për vazhdimin e  rritjes së cilësisë edhe të dijes në fushën e shkencave shoqërore. Por nuk mund të përligj që masë efektive të mund të quhet ndryshimi I statusit të këtyre lëndëve si “lëndë me zgjedhje”. Pra ne jemi me status të vrarë si shkenca shoqërore në tërësi, por e rivrarë sërish mbetet filozofia. Pa dashur të hyj në detaje si analizë shkencore mendoj se, kjo është rruga më joproduktive ndaj detyrimit që ka arsimi ndaj formimit të qytetarit shqiptar dhe europian në menaxhim, risku me të shkuarën e tij dhe të ardhmen me risqe. Nuk di si është menduar që problemet e mungesës së aftësive për debat e ndërmjetësim, mungesës për të menaxhuar adoleshencën, rritjen dhe krijimin e familjes në raport me problemet social psikologjike të anëtarëve tanë të shoqërisë drejt Europës së vlerave dhe risqeve do të mund  të realizohen me këtë lloj statusi të këtyre formimeve, filozofisë në veçanti. Për mua, urgjentisht ky problem i konsumuar me peticione studentësh apo shkrime e debate mediatike duhet të marrë formën e një lobimi të gjerë presionues ndaj politikëbërjes dhe vendimmarrjes politike. Agresiviteti i sjelljes social psikologjike të shqiptarëve do dhurohet e kurohet nga arsimimi i tyre jo nga politika miope në vendimmarrje. Europianizimi ynë si shqiptarë realizohet me formime të detyrueshme arsimore dhe jo me zgjedhje fakultative të tregut të Maturës Shtetërore. Zgjedhja e këtyre lëndëve në të mesmet tonat po vjen drejt uljeve në degradim se të tillë status vlerësimi i kanë dhënë ndërhyrjet e fundit. Kjo gjendje kritike është për parauniversitarin. Tek pjesa e arsimit të lartë, aty ku liria akademike ka fuqinë e vet, vendimmarrja tenton të jetë më strategjike apo ka edhe pedagogë vullnetmirë e aktivë publikë pamja është më optimiste. Në vijojmë të vetëpërmirësohemi në menaxhim formimi brenda Shkencave Sociale (Rektori Kule mbështeti dhe pavarësimin  e 2 formimeve filozofi dhe sociologji), me kuota vijojmë pothuaj në të njëjtat nivele, kemi plotësuar të gjithë nivelet e studimeve universitare dhe të  kërkimit shkencor . Ndërkohë ka një qëndrim me 2 pamje të MASH. Në pjesën vlerësuese unë cilësoj mbajtjen dhe mbështetjen e kuotave apo akreditimet për zhvillimet tona në studim e kërkim shkencor dhe nga ana tjetër nuk lehtëson procesin e rivlerësimit të statusit të filozofisë në parauniversitar apo nuk presionon Ministrinë e Punës  për të na përfshirë në Librin e Profesioneve dhe përshkrimin e kompetencave për tregun shqiptar të punës. Këto dëmtime në sistem edukimi, moskonceptime politike  apo zvarritje administrative çojnë ujin në favor të pohimit “status në degradim”. Arsimi këtë ka për detyrë, të lidhë formimin rezultativ të individit me tregun e punës në këmbim të një mirëqenieje në rritje individuale, familjare e mbarëshoqërore. Do të doja t’i drejtohesha me kërkesë për zgjidhje Profesor Tafajt (Ministrit aktual të Arsimit dhe Shkencës)që të marrë përsipër përgjegjësinë e moderimeve të duhura që të mund të finalizojmë këto shërbime të arsimit për qytetarin shqiptar, nga të 2 nivelet e tij ndërkohë që mund të sugjerojmë dhe zhvillime të tjera bashkëkohore në nivelin parashkollor dhe atë të detyrueshëm.

-Për çfarë drejtimesh të formimeve filozofike ka nevojë shoqëria shqiptare në arsim, botime e veprime qytetare?

-Shqipëria duhet të përpunojë suksesshëm një filozofi të vetën në procesin e integrimit europian të vendit. Unë po e ritheksoj edhe një herë një deklarim timin në revistën “VIP” të nëntorit të 2011-s:  Shqipëria ka nevojë më shumë për filozofinë e shqiptarëve dhe për filozofë kontributorë për t’u orientuar e fuqizuar në “sensin e përbashkët praktik”, ku nevoja dhe eksperienca për  realizimin e tij duke shmangur konfliktet në më të shumtën e mundshme për vendimmarrje progresive në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm botëror. Në shumë përdorime të saj, termi filozofi  kurdoherë mbetet e bashkëngjitur me shumatoren e vlerave tona personale, me eksperiencën jetësore, me stilet e jetës, me refleksionet e qarta mbi veprimet tona që duhet të jenë shumë profesionale me gjithçka përreth. Kjo disiplinë dijesh e aftësimesh në rezultat prodhon logjikë dhe qartësi për vendimet që ne marrim për veten, me grupet shoqërore ku ne realizojmë veten (mjedis, familje, shkollë, punësim, aktivitet qytetar, kontribut rajonal e ndërkombëtar). E këtij misioni që unë filozofisë dhe filozofëve të prodhuar nga i vetmi Universitet në vend -UT-ja,  unë i bashkëngjis sugjerimin mbi hartimin e një Strategjie Kombëtare të Filozofisë (ka vite që UNESCO ka prodhuar një mbarëbotërore) si kontributore për cilësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë në progresin e saj. Aty ajo do pasqyrojë angazhimet tona në raport me cilësinë dhe menaxhimin e risqeve për filozofinë e shtetit të së drejtës dhe të integrimit europian të vendit, filozofinë e të drejtave të njeriut, filozofinë politike, filozofinë urbane dhe atë të komunikimit, filozofinë praktike dhe atë të vlerave nga mendimi politik shoqëror shqiptar në vite dhe bioetikën. Aty është formati klasik i filozofisë saj, por që duhet bashkëngjitur me zhvillimet bashkëkohore dhe modelet e suksesshme të ndikimit të saj në shoqëritë rezultative në qytetari e prosperitet ekonomiko-social. Nevoja për mua është e madhe, modeli dhe eksperienca botërore ka vullnete novatore në rektorat, departamente në fakultet  ka,  mjafton që kjo të shpallet përparësi për rirregullim statusi nga MASH dhe MPCS me qëllim që atë që do prodhojmë të mund ta ofrojmë suksesshëm në aftësim për tregun e punës, këtu e më gjerë. Tani është koha që e rivrara të mund të rijetësohet, por me vizion shumë më të gjerë se deri më tani.