Arsimi i Lartë, Nishani tryezë me pedagogë dhe akademikë

460
Ligji i ri për arsimin e lartë po has në kundërshtinë e pedagogëve, akademikëve dhe të opozitës, por duket se edhe kreu i shtetit Bujar Nishani ka rezerva për ligjin e ri, ndaj përpara se të shprehet me anën e dekretit, vendosi të mbajë një tryezë konsultative. Ditën e sotme, në orën 11, në ambientet e presidencës, do të mbahet tryeza konsultuese për Ligjin e ri të Arsimit të Lartë me pjesëmarrjen e akademikëve dhe pedagogëve, e udhëhequr nga kreu i shtetit Nishani. Opozita e bojkotoi votimin në Parlament të projektit të ri për arsimin e lartë, ndërsa kundër ligjit janë edhe pedagogë dhe nismëtarët e “Forumit për Universitetin”.
Këta të fundit kanë organizuar edhe protesta përpara Kryeministrisë apo edhe para Parlamentit për mosmiratimin e këtij ligji, pasi sipas tyre është antikushtetues. Opozita, por edhe forumi i studentëve, kërkuan nga Presidenti Nishani, që ta kthejë për rishqyrtim në Kuvend ligjin, duke e arsyetuar me shkeljen e disa neneve të Kushtetutës. Ndërsa për këtë çështje grupimi i pedagogëve, që e kundërshtojnë ligjin e ri, kanë nisur mbledhjen e firmave për të bllokuar ligjin e ri.
Qëndrimi i akademikëve, pedagogëve dhe përfaqësuesve të opozitës është se ligji në tërësi është antikushtetues, çka bën që debati të jetë edhe më i përqendruar tek aspekti teknik se sa ai politik. Tryeza e presidentit Nishani do të mbahet për të pasur një ide më të qartë përpara se të vendosi nëse do e dekretojë pro këtë ligj apo do e rikthejë për rishqyrtim në Parlament. Ndonëse ende ka kohë përpara se Nishani të vendosë, është fakt që një pjesë e vendimeve të tij kanë qenë kundër mazhorancës dhe për pasojë është dashur rivotimi edhe njëherë në Parlament. Nëse Nishani vendos ta kthejë për rishqyrtim atëherë do të pritet që të nisë normalisht jeta parlamentare në shtator dhe të rifillojë diskutimi për këtë ligj në komisionet parlamentare.
Vetëm pak ditë më parë kreu i opozitës Basha organizoi një tryezë të ngjashme me atë që do të mbajë kreu i shtetit Nishani, gjatë së cilës pedagogët u shprehën se ligji është antikushtetues dhe me ndryshimet e bëra nga qeveria, rrezikon falimentimin e publikut dhe privatit njëkohësisht. Ndërsa në fund të takimit kreu i opozitë Basha u shpreh se opozita do të ndjekë rrugën institucionale nga Presidenti dhe deri tek Gjykata Kushtetuese për rrëzimin e këtij ligji. Kryeministri Rama u shpreh se ligji i ri garanton konkurrencën dhe nuk përjashton askënd nga e drejta e shkollimit, madje sipas Ramës, ky ligj çon në rrugën drejt integrimit në BE. Por ndonëse ligji i ri po has me kundërshti në vendin tonë, ai ka marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Drejtori i Përgjithshme për Arsimin dhe Kulturën në KE, Xavier Prats Monne uroi ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla për ligjin e ri në arsim. “Duhet të jeni krenare për çka keni arritur. E di se ky është vetëm fillimi, jo fundi. Që nga diskutimi ynë në Tiranë, tani që ligji i ri po shkon drejt implementimit, kjo mbetet sfida e radhës. Por unë nuk kam dyshime, se ju do të tregoni sërish që jeni të aftë për të mbajtur barrë mbi supe”, thuhet në mesazh. Edhe Ambasada britanike në Shqipëri shprehu mbështetjen ndaj kësaj reforme që sipas saj duhet të ishte ndërmarrë kohë më parë. Ambasadori britanik, Nicholas Cannon, theksoi se është e rëndësishme që dëshira e studentëve për të nxënë dije të respektohet dhe që familjet të marrin mbrapsht investimin e parave të fituara me mund.
Sigal