Arrogancë kryeministrore ndaj Gjykatës Kushtetuese për Vetingun

658
Sigal

Statusi
qeveritar që cenon hapur pavarësinë e gjyqësorit

Nuk është e
panjohur që kryeministri ynë është arrogant në raport me publikun dhe të tretët
që janë  hallkë ndërlidhëse mes tyre.
Deri në një farë mase kjo kuptohet për shkak të karakterit të tij dhe mungesës
së qetësisë për të mos ndërfutur cenet personale në detyrat institucionale,
shkruan “Res publica”. Ai ka dhënë dëshmi të emocionalitetit të pakontrolluar
dhe kjo i është përkthyer në ndonjë rast edhe si meritë për rendimentin e
batutave që ka prodhuar në teatrin e parlamentit apo takimet me popullin. Por
arroganca e kryeministrit nis të kërcasë dhe të kthehet në kërcënim për
sistemin kur prek institucionet kushtetuese dhe për më tepër gjyqësorin, gjë që
kryeministri ka nisur ta bëjë. Ndonëse ndodhet në Nju Jork për hapjen e një
ekspozite personale, stafi i tij nuk ka hezituar të postojë një status shumë komprometues
për qeverinë shqiptare. I kërkon Gjykatës Kushtetuese të çlirojë Ligjin e Vetingut.
Një deklaratë që cënon hapur pavarësinë e gjyqësorit dhe e vendos qeverinë në
një llogore të rrezikshme, ndonëse aspiron të hapë negociatat me Bashkimin
Evropian. “Shqipëria vend i respektuar për reformat dhe i mirëpritur në tryezën
e negociatave për anëtarësim. Gjykata Kushtetuese të çlirojë sa më parë Ligjin
për Vetingun e Gjykatësve e Prokurorëve dhe të nisë puna për zbatimin e
tij”-thuhet në deklaratë. Pra kryeministri na thotë se për të fituar hapjen e
negociatave me Bashkimin Evropian na pengon procedura kushtetuese e shqyrtimit
nga gjykata të një ligji, në rastin konkret atij të Vetingut. Dhe për t’i
mundësuar kryeministrit një sukses propagandistik dhe politik në prag të
zgjedhjeve duhet të anashkalohen procedurat dhe parimet e shtetit ligjor që më
pas kryetari i qeverisë të krekoset me ndonjë foto në tryezën e të mëdhenjve të
Brukselit. Deklarata në fjalë është një presion i hapur ndaj Gjykatës
Kushtetuese dhe lë të nënkuptohet se kryeministri përveçse ka dështuar për të
marrë një datë për hapjen e negociatave nuk ka asnjë shans t’i hapet dera e
BE-së pa zbatuar paketën ligjore të reformës në drejtësi. Si të thuash, Edi
Rama ndodhet i zënë mat në një grackë ku i duhet të presë në kushtet kur nuk ka
kohë. Në këto kushte ai kërkon me arrogancë pavarësisht procedurës, të vjedhë
kohën dhe “frytin magjik” të hapjes së negociatave. Në planin e brendshëm kjo
duket e vetmja pengesë, për momentin e pakapërcyeshme, pasi pa folur Gjykata
Kushtetuese, qeveria nuk ka çfarë të aspirojë. Rregullat demokratike e duan që
Gjykata Kushtetuese të shprehet nëse ligji i hartuar nga qeveria është në
shkelje ose jo të Kushtetutës. Por kjo nuk është e vetmja pengesë, një veto e
mundshme e Athinës mund t’i përplasë derën në fytyrë kryeministrit edhe nëse
Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favor të tij.