Arroganca e maxhorancës, u mohon deputetëve të opozitës fjalën në Komisionin e Ligjeve

51

Sherri për projektligjin e ri të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (AIM) midis PD-PS-së

Mosgjetja e gjuhës së mirëkuptimit për të votuar 3 reformat e kushteve për dhënien e statusit kandidat, ka shkaktuar nervozizëm dhe acarim politik.  Madje, dje në Komisionin e Ligjeve, maxhoranca dhe konkretisht, Kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Ilir Rusmajli, demonstroi hapur arrogancën e maxhorancës, për të dominuar dhunshëm mbi opozitën, me forcën e ndërprerjes së fjalës të deputetëve të PS-së. Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri ishte duke folur për p/ligjin për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, por oponenca e deputetit Gjiknuri shkaktoi ilaritet, nervozizëm të pashoq te deputetët demokratë, të cilët, natyrisht,  filluan të shkakton qëllimisht zhurmë, por kulmi arriti, kur kryetari i Komisionit të Ligjeve, Rusmajli e ndërpreu fjalën e Gjiknurit, duke e cilësuar si … gënjeshtra. Por, kompetencat e zoti Rusmajli u kapërcyen, kur ai ia ndërpreu dhunshëm fjalën deputetit Gjiknuri. Deputeti socialist, duke mos patur asnjë mundësi të shprehë oponencën e tij ndaj p/ligjit që diskutonin, në mënyrë demonstrative, u largua nga Komisioni, duke u shoqëruar nga të gjithë deputetët e tjerë socialistë. Ndërprerja e dhunshme e fjalës të deputetëve nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Rusmajli, bëhet kur ndërkohë, kërkohet me të gjitha mundësitë që PD-ja dhe PS-ja duhet të gjejnë me çdo kusht rrugët e bashkëpunimit e mirëkuptimit, për të miratuar 3 reformat e kushteve të statusit. Arroganca politike e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, zotit Rusmajli, për të ndërprerë fjalën e deputetit, vetëm e vetëm se nuk i pëlqen oponenca, dëshmon se maxhoranca nuk ka prirjen, tendencën, dëshirën  dhe vullnetin politik që të bashkëpunojë, por me të gjitha mjetet që ka, përpiqet që të imponohet mbi opozitën, qoftë edhe dhunshëm, siç është ndërprerja e fjalës të deputetëve kundërshtarë. Deputeti Gjiknuri, në prononcimin për “Telegraf”, u shpreh: “Debati kishte të bënte me p/ligjin për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, ku në misionin  e saj është futur edhe rendi kushtetues, një termë që është i paqartë, i padefinuar qartë, dhe sidomos është bërë abuzim, sikurse  në rastin e 21 janarit, ku SHIU u përdor nga maxhoranca kundër detyrës dhe qëllimit kushtetues që i është përcaktua. Vetë Kryeministri Berisha ka thënë: “Në 21 janar u përdorën informacionet e  SHIU-t për të parandaluar grushtin e shtetit. Kjo është devijim i detyrës që ka SHIU. Në momentin që unë thosha këto, kryetari më ndërpret fjalën. Më thanë që shpif. Dhe pastaj më ndërpritet fjala fare. Një deputeti që i pritet fjala, është shkelja më e madhe që mund të bëhet.  E drejta e fjalës është gjëja e parë dhe e vetmja armë që ka opozita në parlament”. Deputetët socialistë nuk e pranojnë këtë projektligj, pasi siç thonë ata, SHIU, por edhe AIM-ja që kërkon ta zëvendësojë, do shërbejë për qëllime të brendshme, jashtë misionit të tij, si përgjime të brendshme. Rasti më tipik është neni 13 i këtij p/ligji të AIM-së, ku në të thuhet: ” Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe private, duke marrë prej tyre asistencën e nevojshme dhe të dhënat që ato zotërojnë në regjistrat, bazat e të dhënave dhe në dokumentacionin zyrtar, si dhe aksesin në to, sipas legjislacionit në fuqi.”Me fjalë të tjera, AIM-ja do të ketë të drejtën, që me ligj, të hetojë haptazi, të rrënojë në çdo dokumentacion, bile pa lejen e gjykatës, ndaj kujtdo, institucioni shtetëror e privat. Deri tani, këtë të drejtë e kanë vetëm organet hetimore, por gjithmonë duhet të kenë lejen e gjykatës.