Arroganca e kartonëve po mban pezull, drejtësinë, buxhetin, vettingun në politikë dhe reformën zgjedhore

625
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Arroganca e kartonëve në Kuvend kundër vullnetit të qytetarëve dhe ligjit

Qeveria nuk do të bëjë ndryshime, edhe sikur të plotësojë kërkesat ekonomike të studentëve

Këtë javë, parlamenti do të zhvillojë 2 seanca plenare, si rrallë ndonjëherë, për më tepër, që këto 2 seanca do të jenë të fundit edhe për vitin 2018. Këtë javë pritet që edhe opozita të marrë pjesë në një nga këto seanca, mbase të premten, ku do të diskutohet vettingu në politikë, në mënyrë të atillë, që opozita të mos djegë as mandatet. Të enjten, parlamenti do të diskutojë dhe votojë dekretin e Presidentit Meta për buxhetin 2019. Presidenti Meta javën e kaluar nuk e dekretoi ligjin “Për buxhetin e 2019-s”, duke arsyetuar se duhet të reflektohen në këtë buxhet edhe kërkesat ekonomike të studentëve. Kryeministri Rama ka pranuar se qeveria do t’ua plotësojë kërkesat ekonomike studentëve, pavarësisht që kostoja do të rëndojë buxhetin, i cili u hartua, u miratua pa pasur parasysh shtesat që do të akordohen për universitetet publike.

Mazhoranca në parlament do rrëzojë dekretin e Presidentit të Republikës

Mazhoranca pritet ta rrëzojë në parlament dekretin me të cilin Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend buxhetin e vitit 2019. Burime pranë socialistëve thanë se buxheti për 2019, i miratuar në parlament, nuk ka gjasa të ndryshojë dhe dekreti presidencial pritet të rrëzohet në seancën e fundit para mbylljes së këtij sesioni parlamentar, parashikuar në kalendar për të premten më 21 dhjetor. Rrëzimi i dekretit të Presidentit, nga mazhoranca në Parlament, do të thotë, që nuk do të bëhen ndryshime buxhetore në fondin për Arsimin publik. Të enjten presidenti Ilir Meta u bë presidenti i parë që ktheu një ligj për buxhetin, duke iu referuar kërkesave të studentëve që duan rritjen e buxhetit të arsimit në 5%. Presidenti tha se me këtë lëvizje,synonte garantimin e stabilitetit në vend dhe shprehte besimin e plotë se Kuvendi do të reflektonte, me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve.

Zgjidhja: Rishikim i Buxhetit me VKM gjatë vitit në vazhdim

Buxheti i 2018-s, u ndryshua 2 herë gjatë këtij viti, me shkaqe që lidhen me mosplotësimin e të ardhurave buxhetore, për shkak të dështimit të të ardhurave në tatime dhe në dogana. Rishikimi i buxhetit për 2019-n, nëse qeveria miraton kërkesat ekonomike të studentëve, për të shtuar fonde për Arsimin publik, deri në 5 % të Prodhimit Bruto Kombëtar, është mundësia ligjore, që mazhoranca të mos e bëjë tani rishikimin e buxhetit 2019- nga e para. Pavarësisht rrëzimit të dekretit presidencial, qeveria mund të bëjë më tej gjatë vitit të ardhshëm ndryshime në buxhet, pas dialogut që Kryeministri thotë se dëshiron të zhvillojë me studentët.

Dështon amnistia e premtuar e qeverisë

Qeveria para disa javësh publikoi edhe një projektligj, ku kërkon të fitojnë amnisti mbi 900 të burgosur, mirëpo, ky projektligj nuk ka gjasa të kalojë në seancën e fundit. P/ligji, amnistia, ende nuk është miratuar nga Qeveria dhe rregullorja e Kuvendit nuk lejon as kalimin me procedurë të përshpejtuar, në kushtet kur kjo mundësi është zënë nga ligji për krijimin e xhandarmërisë. Për më tepër, amnistia kërkon shumicë të cilësuar me 84 vota dhe, ndonëse opozita do të kthehet në Parlament, fryma është në skajin e kundërt të dakordësisë.

Dështon reforma zgjedhore

Pritshmëritë e ndërkombëtarëve ishin që brenda dhjetorit palët të mbyllnin edhe reformën zgjedhore, me qëllim që të arrihej zbatueshmëria e saj në zgjedhjet vendore të qershorit të ardhshëm. Por klima konfliktuale ka rrëzuar edhe këtë parashikim, ndërkohë që palët pritet të japin “llogari” para kancelarive ndërkombëtare që kanë hedhur paratë për këtë reformë, duke nisur nga Berlini. Miratimi i reformës së re zgjedhore, e cila duhet të bëhet 6 muaj para datës së 30 qershorit 2019, datë, kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale në Shqipëri, është një nga prioritetet kryesore që ka kushtëzuar BE-ja Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësim. Dështimi i kësaj reforme, do të thotë, që Shqipëria do të gjejë dyert e mbyllura të Brukselit për hapjen e negociatave. Gjithashtu, mbeten në sirtarët e Kuvendit edhe projektligji “Për statusin e gjyqtarit dhe të Prokurorit”, i cili kërkon detyrimisht 84 vota, për të cilin opozita ka kushtëzuar rivotimin e disa ligjeve organike të reformës në drejtësi, që ajo të japë konsensusin.

Vettingu në politikë, diskutohet të premten

E njëjta frymë pritet të sjellë edhe rrëzimin e propozimit kushtetues të demokratëve për vettingun e politikanëve, në kushtet kur as Komisioni i Venecias nuk e mbështeti atë. Opozita këtë e ka të qartë, por seanca do t’i lejojë deputetëve opozitarë të rinovojnë mandatet dhe pagat që rrezikojnë të humbasin pas gati 6 muajsh bojkot të Parlamentit.