Arrestohen nga policia deputetët Mark Frroku dhe Tom Doshi

524
TIRANË – Mark Frroku dhe Tom Doshi janë arrestuar nga policia e Tiranës.
Policia e Tiranës ka ekzekutuar dy urdhër ndalimet e lëshuara nga Prokuroria e Përgjithshme për deputetët Mark Frroku e Tom Doshi.
Në momentin e ndalimit deputeti Frroku ndodhej në ambientet e biznesit të tij në Kombinat, teksa në shoqërinë e avokatit mbrojtës Saimir Visha e Genci Gjokutaj ka pritur që pas heqjes së imunitetit mbërritjen e policisë.
Pak orë pas ekzekutimit të urdhër ndalimit ndaj Mark Frrokut, policia ka trokitur në banesën e Tom Doshit në rrugën Qemal Stafa në kryeqytet ku pasi kanë qëndruar për afro 45 min dhe kanë dalë prej aty duke marrë dhe deputetin Doshi.
Burime nga prokuroria e përgjithshme konfirmuan urdhër ndalimit janë firmosur sapo në prokurori ka mbërritur vendimi i parlamentit që i hoqi imunitetin deputetëve, duke i hapur kështu rrugë prangosjes së tyre.
Proceduralisht Frroku dhe Doshi për 48 orë do qëndrojnë në ambientet e Policisë së Tiranës nga ku pritet që prokuroria ti drejtohet gjykatës së lartë për vleftësimin e urdhër ndalimit.
Doshi dhe Frroku përfunduan në pranga pasi akuzohen se inskenuan atentatin e denoncuar nga Doshi më 2 mars, se ndaj tij dhe Mëhill Fufit krye parlamentari Ilir Meta kish porositur një plan ekzekutimi.
Ora 19:00 Avokatët e Frrokut: Tejkalim procedurash, fillimisht të ishte kaluar në gjykim pastaj në arrestim.
Janë tejkaluar procedurat për arrestimin e deputetit Mark Frroku. Kështu ka thënë për mediat avokati i Mark Frrokut Saimir Vishaj teksa jka theksuar se do të ankimojnë këtë vendim pasi është i padrejtë. Ndërkohë ashtu sikurse thanë edhe avokatët e Doshit, po njësoj edhe Frroku nuk është marrë ende në pyetje nga efektivët e policisë. Ndërkohë avokati tjetër Genc Gjokutaj ka thënë se tashmë avokatët janë njohur me akuzën e prokurorisë që çoi deri në arrestimin e deputetit mark Frroku i cili sipas avokatit deri në mesditë ishte një njeri i rëndësishëm dhe i dobishëm për politikën ndërsa pask orë më pas u bë njeri i rrezikshëm.

Sigal

Saimir Vishaj avokati i Mark Frrokut: Frroku nuk është marrë ende në pyetje. Nuk mund të merrnin pjesë në procesin e votimit për imunitetin personat që janë pyetur për këtë çështje. Nuk jemi në kushte të flagrancës ndaj nuk mund të kërkohej arrestimi. Për veprën penale që akuzohet Frroku masa është vetëm gjobë ndërsa prokuroria e ka arrestuar pa vërtetuar provat. Duhej kaluar më parë në gjykim dhe pas kësaj në arrestim. 


Ora 18:35 Meçi: Doshi nuk është pyetur ende, policia sjellje korrekte pas shoqërimit
Vladimir Meçi avokati i Tom Doshit ka thënë për mediat se deri më tani klienti i tij nuk ka bërë asnjë deklarim në polici dhe se të gjitha procedurat pas shoqërimit janë kryer me mjaft korrektësi nga ana e efektivëve të policisë. Meçi tha se Doshi mbahet në një dhomë dhe pritet që të merret në pyetje menjëherë pasi tashmë ai është zyrtarisht i shoqëruar nga policia.

Fjala e plotë e avokatit Meçi për mediat

Doshi nuk është pyetur ende dhe nuk ka bërë asnjë deklarim. Vetëm sa janë bërë procedurat e ndalimit me shumë korrektesë nga policia dhe do presim afatin ku brenda 48 orësh do paraqitet kërkesa në gjykatë. Doshi është në dhomë vetëm dhe pritet të merret në pyetje menjëherë sipas ligjit por ende nuk i kanë komunikuar akuzën. Ne do bëjmë një kërkesë kundër urdhrit të marrë nga prokurori i përgjithshëm pasi e konsiderojmë atë të pabazë pasi sipas ligjit ky urdhër lëshohet vetëm nëse personi ka rrezik të largohet nga vendi gjë që Doshi nuk e ka pranuar asnjëherë. Nga kontrolli i banesës nuk është gjetur asgjë komprometuese. 

Ora18:00 Mbërrin në polici Tom Doshi

Ka mbërritur në polici edhe deputeti tjetër Tom Doshi i cili shoqërohej nga avokatët e tij. 
Ora 17:44 Avokati Meçi: Nesër në mëngjes paraqesim kërkesën për lirimin e menjëhershëm të Doshit

Avokati i Tom Doshit ka thënë jashtë ambienteve të Drejtorisë së Policisë se ndalimi i Doshit nuk ka qenë korrekt pasi arrestimi i klientit të tij është bërë pa një urdhër nga gjykata ashtu sikurse e parashikon edhe ligji. Për këtë arsye ka thënë avokati Meçi do të reagojmë nesër për të kundërshtuar urdhrin e prokurorit të përgjithshëm për ndalimin e deputetit Doshi. “Jemi në kushtet kur prokuroria nuk duhej të ndërhynte sepse shkel një nga të drejtat themelore,” – tha Meçi. 
Ora 17:30 Mbërrin në polici Mark Frroku
Policia ndryshon rrugën për të dërguar në drejtorinë e policisë deputetin Mark Frroku. Policia e ka dërguar deputetin në Drejtorinë e Tiranës përmes rrugës Myslym Shyri dhe e kanë futur atë në sallën ku futen të shoqëruarit e policisë në drejtorinë e policisë së Tiranës.
Ora 17:15 Arrestohet Tom Doshi, arrestohet në shtëpinë e tij
Tom Doshi është arrestuar në shtëpinë e tij në orën 17:15. Arrestimi i Doshit është bërë pas kontrollit që forcat e policisë kanë ushtruar në banesën e tij. Tashmë të dy deputetët e arrestuar do të qëndrojnë për 48 orë në ambientet e policisë nga ku do të njihen më pas me vendimin. 
Ora 16:58 Doshi jam në shtëpinë time, nuk largohem
Pas lajmit për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi ka reaguar përmes një statusi në Faceboook ku shkruan se ndodhet në shtëpinë e tij dhe se nuk do të largohet por do të përballet me akuzat.
Statusi i plotë i Tom Doshit
Jam I bindur qe pas seances degjimore te bere dje ne Keshillin e Mnadateve te Kuvendit, nuk ka mbetur askush qe nuk e kupton pozicionin tim perballe se vertetes. Kam thene te verteten per porosine e vrasjes ndaj meje nga Kryetari I Kuvendit. Nuk me vrane dot, dhe tani po perpiqen te me burgosin politikisht.
Jam ne shtepine time duke pritur perballjen me Prokurorine ne Gjykate. Kam qene gjithe kohen ne dispozicion te hetimit, dhe do jem gjithmone ne dispozicion te hetimit. Nuk do largohem kurre nga Shqiperia deri sa te zbardhet cdo prove e historis se vrasjes. Do te jem ketu ne dispozicion te drejtesise dhe perball popullit per ta cuar kete beteje deri ne fund.
Asnje veprim I Prokurorise nuk me habit. Nuk u habita kur dje perfaqesuesit e Prokurorise deklaruan ne Keshillin e Mandateve se nuk ka akuze ndaj meje, se nuk jane bere hetime ndaj meje, por se ka vetem nje rregjistrim te ceshtjes ne regjistrat e Prokurorise se Pergjithshme.
Provat qe nuk u pranuan te administrohen, shpejt do ballafaqohen ne Gjykate dhe e verteta do te dale.
Ju faleminderit per mbeshtetjen dhe mesazhet qe me dergoni.
Ora 16:33 Arrestohet në biznesin e tij Mark Frroku, në polici edhe Tom Doshi
Mark Frroku është arrestuar rreth orës 16:33 në biznesin e tij nga forcat shqiponja menjëherë pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë.
Edhe në shtëpinë e Tom Doshit ndodhet policia e Tiranës e cila ka shkuar atje para pak minutash për të ushtruar një kontroll banese por nuk ka dalë ende.