Arrestimi i Sotës rëndon pozitën penale të ish-ministrit Saimir Tahiri

570
Dy patentat dhe 863 mijë euro, provat që kanë përfshir akuzën në një dilemë mbi bashkëpunimin Tahiri-Sota
Orest Sota, biznesmeni 25-vjeçar që u arrestua pasi në makinën e tij u gjet një sasi e madhe parash dhe patentat e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është përdorur si “ushqim” për Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ky organ ka intensifikuar hetimet dhe pritet që të bëjnë bashkimin e këtyre dy çështjeve. Po punohet për të gjetur mundësinë e bashkimit të procedimit penal të Orest Sotës me atë të Saimir Tahirit që mban numrin 134. Për krimet, gjetja e dy patentave të Tahirit është një nga elementët kyç që mund të bashkoi këto dosje. Janë duke u kryer veprime procedurale për të sqaruar këtë situatë, e cila nga cilido jurist, shihet si e pajustifikuar për mënyrën se si është vepruar. Një tjetër e dhënë që i ka shkuar krimeve të rënda ka lidhje edhe me personin e dytë që sipas gazetarit Artan Hoxha, ka qenë në makinë në momentin e ndalimit nga postblloku i policisë. Shuma e madhe e parave rreth 863 mijë euro, është një tjetër fushë për të cilën po hetohet. I pandehuri Sota nuk ka justifikuar origjinën e këtyre parave, ndërsa përmes babait të tij, ai është shprehur se kanë qenë të destinuara për t’u paguar tek kompania “Kurum” me qëllim blerjen e një sasie hekuri. Për akuzën, një veprim i tillë nuk mund të mbulohet me këtë deklarim. Krimet kanë dyshimin se Sota gënjen, pasi për çdo blerje, operohet përmes bankës. 

Hetimet shtrihen edhe mbi kompaninë “Kurum”. 
“Orest Sota”,Policia kërkon solidaritet nga opozita
Çështja “Orest Sota” është kthyer në një luftë akuzash edhe mes opozitës dhe Policisë.
Policia e Shtetit ka reaguar sërish këtë të hënë, duke kërkuar solidaritet nga opozita:

“Policia e Shtetit pret mbështetjen dhe solidaritetin e opozitës në luftën kundër krimit, korrupsionit e shkeljeve të çdo lloji, jo luftën politike kundër saj kur ajo kryen detyrën për të cilën është krijuar e për të cilën paguhet nga taksat e popullit shqiptar”.

“Përsëri Partia Demokratike sot akuzoi për qëllimet e saj dhe pa asnjë bazë Policinë e Shtetit, lidhur me ndalimin e shtetasit Orest Sota nga policia. Policia e Shtetit është e detyruar të shprehë përsëri keqardhjen për këtë sulm politik, duke nënvizuar se ka bërë detyrën konform ligjit e të gjitha procedurave të kërkuara nga ligji. Kjo është lehtësisht e vërtetueshme, siç është e qartë që shtetasin e ndaloi dhe e çoi për procedim penal, Policia e Shtetit jo akuzuesit e saj. Policia e Shtetit shpreh edhe njëherë keqardhjen për përsëritjen e përditshme të akuzave që s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën dhe i bën thirrje Partisë Demokratike e të gjithë forcave politike, të mos bëjnë politikë duke përbaltur punën e uniformave blu. Policia e Shtetit ka goditur dhe do të godasë pa asnjë diferencim, çdo shkelje dhe shkelës të ligjit, pavarësisht përfshirjes së qëllimshme që politika i bën asaj në agjenda të cilat nuk kanë të bëjnë asgjëkund me misionin e me punën e policisë. Policia e Shtetit pret mbështetjen dhe solidaritetin e opozitës në luftën kundër krimit, korrupsionit e shkeljeve të çdo lloji, jo luftën politike kundër saj kur ajo kryen detyrën për të cilën është krijuar e për të cilën paguhet nga taksat e popullit shqiptar.”

Heshtja e Ramës
Ngjarja e ndodhur në Elbasan ku miku i Tahirit u arrestua me euro dhe patentat e ish-ministrit në makinë, nuk ka marrë vëmendjen e qeverisë Rama. Pasi mbrojtën me forcë deputetin Tahiri, duke mos lejuar prokurorinë të kërkonte arrestimin e tij, Rama dhe anëtarët e kabinetit, nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për ngjarjen e Elbasanit. Madje edhe vet Tahiri nuk ka folur për patentat e tij të gjetura në makinë. I vetmi që ka dhënë shpjegim ka qenë i arrestuari, i cili është shprehur se patentat i kishte harruar në makinë shoferi i Tahirit, të cilin ai e kishte shok. Vetëm opozita ka folur për këtë çështje. I pari që e denoncoi veprimin e policisë, e cila nuk publikoi lajmin, ishte kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. 
Sigal