Arrestimi i kokave të mëdha të krimit, kusht për në BE

559
Gjermani: Kapni “kokat e mëdha” të krimit, kusht për integrimin
Pas Uashingtonit, edhe Berlini kërkon rezultate konkrete nga qeveria. Thirrje shqiptarëve: Shfrytëzoni mundësitë ligjore për emigrim
Gjermania kërkon rezultate konkrete nga Shqipëria në goditjen e bosëve të krimit të organizuar. Pas deklaratave të forta të ambasadorit amerikan në Tiranë, i cili foli për kapjen e “peshqve të mëdhenj”, ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Suzan Shutz, ka kërkuar prangosjen e “kokave të mëdha”. “Sigurisht jam e mendimit që lufta kundër krimit të organizuar është një prej temave kryesore, pikave më qendrore që kanë të bëjnë me plotësimin e kritereve kyçe që duhet të arrijë Shqipëria në procesin e negociatave për anëtarësimin në BE. Përshëndesim përpjekjet e qeverisë shqiptare në këtë drejtim, shpresojmë që të kemi rezultate konkrete pozitive”, u shpreh diplomatja e Berlinit. Sipas saj, rezultatet konkrete në goditjen e krimit duhet të arrihen ndaj atyre që i cilësoi si “kokat e mëdha”. “Kjo përfshin njëkohësisht edhe rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë këtu edhe kokat e mëdha të krimit të organizuar”, deklaroi ambasadorja Shutz, në një intervistë për RTSH-në. Gjermania është një nga vendet që po ndihmon Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në operacionin “Forca e Ligjit”, nisur disa ditë më parë. Shtete të ndryshme janë angazhuar për të ofruar ekspertizë teknike dhe këshilla në kuadër të këtij operacioni. Ky operacion zhvillohet ndërsa sapo ka nisur edhe procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve. “Unë jam shumë e bindur që procesi i vetingut do të influencojë në mënyrë pozitive klimën e investimeve në Shqipëri. Secili prej investitorëve të huaj që duan të investojnë në Shqipëri ka nevojë për siguri ligjore”, u shpreh ambasadorja. Ajo nënvizoi rëndësinë që investitorët “në raste konfliktesh gjyqësore, të jenë të sigurt të marrin të drejtën që ju takon, pa pasur frikë se ndonjë nga gjyqtarët mund të blihet”.

Qeveria dhe policia janë vënë para akuzave dhe kritikave lidhur me shtimin e prodhimit dhe trafikimit të kanabisit në vitet e fundit. Për këtë, Shtetet e Bashkuara në mënyrë të përsëritur janë shprehur se duhet të ketë goditje ndaj klaneve dhe familjeve mafioze. Nga ana e saj, Ministria e Brendshme ka premtuar se do të nisë një fazë e re në luftën ndaj krimit, shoqëruar kjo edhe me në proces vlerësimi të punonjësve të Policisë së Shtetit. Ky proces pritet të trajtojë edhe lidhjet e elementëve të Policisë së Shtetit me krimin. 

“Shfrytëzoni mundësitë ligjore për të shkuar në Gjermani”
Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Suzan Shutz, u kërkoi shqiptarëve të shfrytëzojnë mundësitë e ligjshme për të emigruar dhe mos kërkojnë azil. “Në fakt numri i azilkërkuesve shqiptarë për vitin 2017 është 4 mijë persona, por është mjaft e rëndësishme që të bëhet e qartë për të gjithë shtetasit shqiptarë, që mundësia për të marrë azil në Gjermani nuk ekziston”, u shpreh ambasadorja. Ajo theksoi se të gjithë ata shqiptarë që janë në Gjermani dhe kanë aplikuar për azil do të duhet që të rikthehen. “Mesazhi ynë për shqiptarët është që rruga e azilkërkimit është një rrugë e gabuar. Ju bëjmë thirrje se, nëse duan të shkojnë në Gjermani, të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë ligjore”, tha Suzan Shutz.
Sigal