Arrestimet, strategjia e PS për të mbrojtur deputetët

562
Frika nga arrestimet e deputetëve, PS ndryshon rregulloren e Kuvendit
Vështirësohet puna e prokurorisë. Organi i akuzës do të detyrohet të paraqesë prova dhe t’i përgjigjet pyetjeve të deputetit për të cilin kërkon prangosjen. Shtohet debati në seancë dhe votimi i hapur.
Partia Socialiste kërkon ndryshimin e rregullores së Kuvendit dhe forcimin e kërkesave për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetëve. Vetëm pak muaj pas vendimit për të mos lejuar prokurorinë të kërkojë arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në gjykatë, deputetët e Partisë Socialiste kanë ndërmarrë një nismë zyrtare. Ajo që bie në sy janë ndryshimet në rastin e një kërkese të prokurorisë për arrestimin e një deputeti. Sipas rregullores aktuale, prokuroria mjafton të dërgojë në Kuvend një kërkesë dhe dokumentet shoqëruese. Propozimet e socialistëve shtojnë shprehimisht termin -prova-. Pra, prokuroria duhet ta dorëzojë relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me prova. Debati i provave doli gjatë kërkesës për arrestimin e Saimir Tahirit. Socialistët kërkuan që Prokuroria t’i provonte Kuvendit fajësinë, kurse demokratët thanë se Kuvendi nuk është gjykatë, ndaj mjaftonte dyshimi i arsyeshëm për të lejuar arrestimin e deputetit. Propozimet e reja të socialistëve i njohin gjithashtu të drejtën deputetit që t’i bëjë pyetje prokurorisë gjatë shqyrtimit të kërkesës dhe të paraqesë shpjegimet e tij. Kjo gjë ndodhi në rastin “Tahiri”, kur ishte deputeti që praktikisht mori në pyetje prokurorët, duke i vendosur ata në një pozitë jo të lehtë. Propozimet e reja reduktojnë kohën maksimale të hartimit dhe të paraqitjes në seancë të raportit të Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, por përcaktojnë se votimi nuk mund të bëhet pa kaluar një javë. Ajo që ndodh në seancë në rast të një kërkese për autorizim për arrestimin e një deputeti shton një element të ri. Rregullorja sot parashikon që raporti i këshillit nuk është objekt diskutimi. Por propozimet e reja të socialistëve fusin mundësinë për debat. Kurse votimi, i cili aktualisht është i fshehtë, propozohet të bëhet i hapur. Pra, deputeti mund ta dijë se cili prej kolegëve ka votuar pro apo kundër arrestimit të tij. Për ta ndryshuar rregulloren duhen të paktën 71 vota, të cilat grupi socialist i ka edhe i vetëm. Ndonëse ndryshimi i rregullave të përbashkëta të lojës në përgjithësi është synuar që të bëhet me konsensus. Sipas deputetëve socialistë, ndryshimet e propozuara synojnë të përmirësojnë ndjeshëm dispozitat e Rregullores së Kuvendit, në mënyrë të posaçme nenet 13, 118 dhe 119, të cilat i referohen ndryshimeve kushtetuese të vitit 2012 dhe 2016 që kanë të bëjnë me kufizimin e imunitetit të deputetit”, theksohet në relacionin përkatës. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste shprehet se Rregullorja e Kuvendit duhet t’i nënshtrohet një procesi të plotë reformimi, me qëllim sjelljen e saj në përputhje me standardet më të larta të demokracisë parlamentare dhe modeleve më të përparuara ndërkombëtare, në bashkëpunim me të gjitha forcat politike që përfaqësohen në Kuvend. Në fund të muajit tetor 2017, Kuvendi u përfshi nga debatet mbi mënyrën se si duhej të trajtonte kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dhënien e autorizimit të arrestimit të deputetit Saimir Tahiri. Ai hetohet nga prokuroria për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal të trafikimit të drogës. Me pretendimin se nuk ka prova të mjaftueshme, socialistët e refuzuan kërkesën për arrest, duke dhënë leje vetëm për kontrollin personal e të banesës, krahas masave të lehta të detyrimit për paraqitje. Fillimisht gjykata vendosi heqjen e pasaportës së ish-ministrit për ta penguar të lëvizë jashtë vendit dhe më pas e anuloi këtë vendim gjatë apelimit.
Sigal