Arrest shtëpie Frrokut e Doshit Frroku: Drejtësia vendosi!

431
TIRANE – Gjykata e Lartë dha masën e sigurisë të “arrestit shtëpiak” për deputetin Mark Frroku dhe Tom Doshi. “Drejtësia vendosi”, – tha deputeti për mediat pas një seance mbi 2 orë e gjysmë të mbajtur me dyer të mbyllura në Gjykatën e Lartë. Avokatët e tij e thanë se do ta kundërshtojnë këtë vendim sepse sipas tyre është e provuar tashmë që historia e atentatit është sajuar nga deputeti, Tom Doshit dhe se Frroku nuk ka pasur asnjë dijeni për këtë. Ndërkohë menjëherë pas vendimit për kristian demokratin Frroku, trupa gjykuese në këtë proces nisi seancën me dyer të mbyllura për deputetin Tom Doshi.
Gjykata e Lartë hodhi këtë mëngjes shortin për të caktuar trupën gjykuese që do të vlerësojë masën e arrestit ndaj dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. E njëjta trup do të gjykojë edhe 36-vjeçarin nga Fushë-Kruja Durim Bami, i cili tashmë nga “vrasje e mbetur në tentativë” akuzohet për kallëzim të rremë. Pesëshja e gjyqtarëve të zgjedhur janë: Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj, Admir Xhanxa, Majlinda Andrea dhe Artan Zeneli. Relator për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për masën e “arrestit me burg” ndaj dy deputetëve do të jetë Guxim Zeneli, ndërsa për Bamin relator është Aleksandër Muskaj.
Ora 18:48 Del nga Drejtoria e policisë së Tiranës Mark Frroku
Mark Frroku ka lënë Drejtorinë e Policisë së Tiranës pas deputetit Doshi duke u larguar kështu për në shtëpinë e tij ku do të jetë gjatë të gjithë kohës nën mbikëqyrjen e forcave të policisë. Edhe deputeti Frroku ashtu sikurse dhe Tom Doshi pasi ka lënë ambientet e Drejtorisë së Policisë është shoqëruar nga forcat Shqiponja për në banesën e tij.
Ora 18:45 Doshi le ambientet e policisë së Tiranës
Deputeti Tom Doshi ka lënë ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës ku po mbahej i shoqëruar që prej ditës së enjte. Gjatë largimit Doshi është shoqëruar nga njësia e forcave speciale Shqiponjat të cilat do ta shoqërojnë atë deri në banesën e tij.
Ora 18:40 Dorëzohet urdhri për lirimin e Tom Doshit e Mark Frrokut
Sapo është dorëzuar urdhri për lirimin e Tom Doshit nga Drejtoria e Dhomës së Izolimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku deputeti Doshi po përgatitet që të lirohet e më pas të shoqërohet për në shtëpi.
Ora 17:05 Avokatët e Doshit: Do apelojmë në Kushtetuese dhe në Strasburg
Avokatët e Tom Doshit, Vladimir Meçi dhe Ferit Muça pas marrjes së vendimit nga Kolegji i Gjykatës së Lartë thanë se nuk janë dakord me vendimin e gjykatës dhe se ata do të apelojnë këtë vendim në gjykatën kushtetuese por edhe në atë të Strasburgut. Avokati Meçi tha se gjatë shqyrtimit nuk doli ndonjë provë e re që të mund të mbahej ende i ndaluar klienti i tij por ai u shpreh se u diskutua vetëm masa e sigurisë dhe jo vërtetësia e atentatit. Apelimi sipas avokatëve do të bëhet pasi prokuroria nuk ka shqyrtuar ashtu siç duhej masën e sigurisë ndaj deputetit Doshi. Po ashtu të dy avokatët mbrojtës deklaruan se deputeti edhe gjatë deklarimit të sotëm i ka qëndruar sërish së njëjtës deklaratë që ka bërë edhe publikisht për atentatin ndaj tij. ndërkohë avokatët në fund të fjalës së tyre u shprehën se janë njohur edhe me prova të tjera që vërtetojnë ato që ka thënë deri më tani Doshi, por të pyetur nga gazetarët ata refuzuan të tregojnë se çfarë provash ishin këto. 
Ora 16:50 Arrest shtëpie edhe për Tom Doshin
Edhe ndaj deputetit Tom Doshi gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest shtëpie. Ndërkohë arrestimi i dy deputetëve është konsideruar i ligjshëm
Ora 16:35 Trupi gjykues tërhiqet për Doshin
Trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendimin në lidhje me arrestimin ose lënien të lirë të deputetit Tom Doshi.
Ora 15:50 Frroku lë Gjykatën: Drejtësia vendosi!
Ndryshe nga momenti kur erdhi i prangosur, deputeti Mark Frroku ka lënë Gjykatën e Lartë pa pranga për t’iu drejtuar banesës së tij, ku do të vijojë “arrestin e shtëpisë”. I vetmi koment i tij për mediat ishte: “Drejtësia vendosi”. Ndërsa në sfond janë dëgjuar duartrokitjet e familjarëve të tij, të cilët e kanë pritur me entuziazëm këtë vendim.
Ora 15:35 Gjykata: Arrest shtëpie Frrokut. Avokatët: Do e kundërshtojmë, prokuroria presion gjyqësorit
Gjykata e Lartë në një seancë disaorëshe me dyer të mbyllura ka vendosur të nxjerrë nga qelia e paraburgimit Mark Frrokun duke vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Menjëherë pas marrjes së vendimit, dy avokatët e Frrokut, Genc Gjokutaj dhe Saimir Vishaj thanë se do ta kundërshtojnë këtë vendim duke akuzuar Prokurorinë se ka ushtruar presion mbi Gjykatën. Avokati Vishaj tha se nga provat e para në Gjykatë vërtetohet sipas tij se atentati ishte një sajesë dhe se klienti i tij, kreu kristian demokrat Mark Frroku nuk ka pasur asnjë dijeni për këtë histori.
Të gjitha provat janë në favor të Frrokut, thanë ata.
I pyetur nga gazetariët në lidhje me akuzat që autoritetet belge kanë ngritur ndaj Frrokut për vrasjen e një shqiptari, avokati Vishaj u përgjigj: Nuk ka lidhje fare me rastin belg
Ora 15: 23 Kolegji Penal është tërhequr për të marrë vendimin për deputetin Mark Frroku
Ora 13:26 Seanca ndaj Doshit dhe Frrokut me dyer te mbyllura
Për shkak të sekretit hetimor është vendosur që seanca në Gjykatën e Lartë, për vlerësimin e masës së sigurisë për dy deputetët të mbahet me dyer të mbyllura. Por ky vendim është kundërshtuar nga avokatet e Frrokut, Genc Gjokuataj dhe Saimir Vishaj. Në sallën e gjyqit janë vënë re masa të shumta sigurie, e ndërsa nuk janë lejuar as familjarët e deputetit Frroku, por vetëm avokatët, prokurorët dhe trupa gjykuese.
Ora 13:16 Tom Doshi mbërrin në Gjykatën e Lartë, me njërën dorë në xhep
Pas Mark Frrokut edhe deputeti Tom Doshi mbërriti në Gjykatën e Lartë për tu bërë pjesë e seancës ku do të vlerësohet masa e sigurisë ndaj tij. Në ndryshim nga kolegu i tij, Doshit nuk i ishin vendosur pranga në dy duart. Ai ishte prangosur me një dorë, dorën e djathtë, e ndërsa pranga tjetër ishte vënë në dorën e policit.
Ora 12:59 Mark Frroku mbërrin në Gjykatën e Lartë, përshëndet me duart me pranga
I shoqëruar me makinën e policisë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës ku prej së enjtes ndodhet në dhomat e paraburgimit, deputeti Mark Frroku mbërriti në Gjykatën e Lartë për tu bërë pjesë e seancës ku do të vlerësohet masa e sigurisë ndaj tij. Me të dalë nga makina e policisë kreu demokristian Frroku ka përshëndetur me duart e prangosura ndërsa është future në ambientet e brendshme të Gjykatës. Ai iu ka thënë familjarëve që ishin para Gjykatës së Lartë: Mos u trembni nga prangat e llalles dhe kosit!
Ora 12:20 Gjykata e Lartë vendos: Seanca për Frrokun në 13:00. Doshi në 13:30
Gjykata e Lartë ka vendosur që seanca e vlerësimit të masës së sigurisë për Marf Frrokun të bëhet në orën 13:00, ndërsa për deputetin Tom Doshi në 13:00. Dy ditë pas arrestimit të tyre, Prokuroria e Përgjithshme i kërkon gjykatës të vlerësojë të ligjshëm arrestin dhe t’i lë deputetët në masën e sigurisë “arrest me burg”. Sakaq, seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Durim Bamit do të zhvillohet mëngjesin e së hënës.
Ora 11:24 Avokati i Doshit: Erdha të kërkoj provat
Avokati i deputetit Tom Doshi Vladimir Meci mbërriti në Gjykatën e Lartë ku tha se do të kërkonte provat kundër klientit të tij, për tu njohur me to dhe për të realizuar mbrojtjen në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë.
Ora 10:05 Zaganjori rrëzon dorëheqjen e Andreas, mbetet në fuqi trupa gjyqësore
Menjëherë pas përzgjedhjes në short, gjyqtarja Andrea i paraqiti dorëheqjen kreut të këtij institucioni Xhezair Zaganjori me argumentin se kishte konflikt interesi në këtë proces, por kërkesa e saj u rrëzua duke lënë në fuqi të njëjtën trupë gjykuese.
Ora 09:50 Dorëhiqet një gjyqtare nga procesi, hidhet sërish shorti
Burime të sigurta nga Gjykata thanë se gjyqtarja Majlinda Andrea e zgjedhur në short për të gjykuar procesin ndaj dy deputetëve të pandehur dhe Durim Bamit, është dorëhequr. 
Ora 09:30 Zgjidhjet pesëshja gjykuese për Doshin-Frrokun e Bamin
Burime për median konfirmuan se trupi gjykues përbëhet nga pesëshja: Guxim Zenelaj, Majlinda Andrea, Aleksandër Muskaj, Artan Zeneli, Admir Thanza.
Kërkesa e Meçit
Avokati i Tom Doshit, Vladimir Meci ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë kërkesën për lirimin e deputetit, duke e konsideruar të paligjshëm arrestimin e tij. Ai tha se Prokurori i Pergjithshem ka tejkaluar kompetencat duke urdhëruar ndalimin e deputetit,në kushtet kur nuk ekziston kushti i flagrancës.
Sipas avokatit Meçi urdhëri i ndalimit është i paligjshëm dhe se për pasojë ai duhet të mos ligjërohet nga Gjykata e Lartë. Më tej avokati shtoi se Gjykata e Lartë duhet të urdhërojë menjëherë lirimin e klientit të tij pasi ai nuk ka kryer asnjë vepër penale.
Kjo sipas tij pasi ai ka bërë “kallëzim të rremë” në një kohë kur vetë Tom Doshi nuk ka bërë asnjë kallëzim në prokurori dhe në polici. Akuzohet dhe për dy vepra penale të tjera, për të cilat sipas avokatit Meçi ai nuk i ka kryer dhe nuk ekziston në dosje asnjë provë bindëse. 
Sigal