Arratisen 28 kryetarë partish

462
Sigal

Javën tjetër 60 parti të vogla që kanë marrë nga 500 mijë lekë do kthejnë paratë në KQZ, nëse nuk kaluan 0,5 për qind të votave

Partitë që nuk kanë kapur përqindjet e votave do kthejnë paratë.

Shumica e partive politike, do të gjobiten, ose do detyrohen të kthejnë paratë, sepse at nuk kanë marrë përqindjet e votave. Kjo do të ndodhë pas dy javësh, kur KQZ të bëjë llogaritë përfundimtare të votave, duke kërkuar një “rishpërndarje” të parave, e cila do të thotë “kthim të parave në KQZ”. Paratë janë ndarë nga KQZ-ja, në bazë të një vendimmarrjeve paraprake, por pas zgjedhjeve, KQZ-ja bën radioskopinë e votave dhe pastaj organizon rishpërndarjen e dytë. Pra, herën e dytë, partitë që kalojnë shifrat e përqindjeve të votave marrin fonde të tjera shtesë, ndërsa ato që nuk e kanë kapur masën e duhur i kanë borxh KQZ-së pjesën e mbetur. Pjesa e parë e kësaj formule, ose e këtij ligji është realizuar, ku partitë që në zgjedhjet e fundit nuk e kanë kaluar shifrën prej 0.5 për qind të votave, kanë përfituar për 23 Qershorin vetëm 500 mijë lekë të vjetra. Dhe numri i këtyre partive ka qenë më shumës e 50-60. Pra, një e njëzeta pjesë e fondit të parave të KQZ-së është ndarë në 55 parti. Ndërsa pjesa tjetër është ndarë sipas numrit të votave që ka marrë secila prej partive në zgjedhjet e fundit. Gjithashtu, në këtë listë partish hyjnë edhe ato parti që konkurrojnë në zgjedhje për herë të parë. Ndërsa momenti i rishpërndarjes, apo rikthimit të parave në KQZ do të bëhet pasi të llogariten votat një për një. Kreu i Partisë Konservatore, A. Ruço konfirmon se kjo shumë nuk ka mjaftuar as për të bërë as telefonatat për anëtarët e kësaj partie, që të paraqiteshin në votime. Të njëjtën gjë thonë edhe 55 kryetarët e forcave të tjera të vogla që morën pjesë në këto zgjedhje parlamentare. Ndërkaq, partitë e mëdha kanë bërë disa deklarime vullnetare, në emër të transparencës, të cilat padyshim nuk përbëjnë asnjë besueshmëri. Sepse, PD e PS kanë marrë një shumë më të madhe, por kanë harxhuar pesëfishin e tyre. Por përveç financimeve legale, partitë politike gjatë fushatave kanë edhe burime të tjera të padeklaruara, për shpenzimet e mundshme. Për një jave të fushatës, pesë parti kanë shpenzuar 830 mijë USD për spotet publicitare. Ato ditë, organizata “Mjaft” ka publikuar raportin “Për monitorimin e shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës elektorale 2013”, ku pjesën kryesore të kësaj shume e kanë shpenzuar Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Kështu PD- ja kishte përgatitur 12 spote elektorale, të cilat i ka transmetuar gjithsej 664 herë, ose 8.44 orë. Sipas raportit, në total demokratët kanë shpenzuar për spote 36.8 milionë lekë, ose 11 milionë më shumë se sa fondi që KQZ-ja i akordoi një javë më parë. Në vend të dytë për nga shpenzimet renditej PS- ja, me 34.1 milionë lekë, ose 8 milionë më shumë se fondi që i dha KQZ-ja. Partia kryesore e opozitës ka përgatitur 6 spote, të cilat i ka shfaqur 746 herë, ose 7.57 orë për një javë. Pas dy partive të mëdha ka qenë LSI-ja, me 11.8 milionë lekë shpenzime.

Enigma

Financat e partive vazhdojnë të mbeten pjesë e enigmës për institucionet që i monitorojnë. Pak ditë para zgjedhjeve Transparency International Albania, publikon raportin “Pushteti dhe partitë në Shqipëri nën ndikimin e parasë”.  Në këtë raport u theksua se ligji është i mirë, por zbatimi i tij lë për të dëshiruar. Më 3 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar fondin publik që do t’u shpërndaheshin partive të regjistruara si subjekte zgjedhore. Miratimi i tyre ishte kërkuar pak kohë më parë nga përfaqësuesi ligjor i PS-së në këtë komision, sipas të cilit partitë kishin nevojë për fondet dhe miratimi i tyre nuk duhej vonuar. Pikërisht në atë datë u miratua edhe  Projekt-vendimi: “Për përcaktimin e sasisë të fondit publik si paradhënie partive të regjistruara si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e Kuvendit të datës 23 Qershor 2013 ”. Pikërisht, aty u vendos shuma prej 500 mijë lekësh të vjetra për 50-60 parti, midis të cilave edhe partitë që garojnë për herë të parë si ajo e Topit dhe e Spahiut. Këto para që përbëjnë masën minimale u shpërndahen këtyre partive pa të drejtë kthimi, ndërsa disa parti të tjera, që marrin më shumë para, ekziston detyrimi për t’i kthyer ato lekë, nëse nuk kalojnë pragun mbi 0.5 për qind. Pasi ka analizuar raportet vjetore financiare të partive të dorëzuara në KQZ, TIA vëren se vetëm 5 subjekte e kanë përmbushur këtë detyrim ligjor. Demokratët kishin raportuar vetëm për paratë e mbledhura dhe shpenzuara gjatë periudhës së fushatës së zgjedhjeve vendore të 2011-s, ndërsa PS, PBDNJ, PR dhe LSI për tërë 12 mujorin e kaluar. Kurse transparenca e vërtetë mungon. Në këtë raport TIA i bënte apel Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive, të garantojë raportime të sakta e të plota mbi të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike duke ndërmarrë hetime proaktive për të verifikuar llogaritë e tyre financiare. Ndërsa, KQZ duhet të demonstrojë pavarësinë e duhur institucionale për ndëshkimin me çdo kusht të financimit të paligjshëm të partive dhe zbatimin efektiv në praktikë të dispozitave ligjore në fuqi e detyrimeve që lindin nga Konventa e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit”, nënvizonte TIA. Shumë gjëra, për financimin ilegal të partive kanë mbetur enigmë, por një dihet mirë: Ato parti që nuk kanë kapur votat e duhura do kthejnë paratë.