ARMO, Rama premton sërish, naftëtarët mosbesues

639
Naftëtarët e ARMO-s, që ishin zotuar se dje do të marshonin në Tiranë, nëse kërkesat e tyre nuk plotësoheshin, qëndruan kryesisht në Fier për të realizuar një video-konferencë me kryeministrin, ndonëse një pjesë e vogël protestoi përpara Ministrisë së Energjetikës. Shefi i qeverisë edhe dje premtoi, se shumë shpejt do ta ndezë prapë uzinën, por pas takimit virtual, punëtorët dolën të pakënaqur. Në një bashkëbisedim me kryeministrin me video-konferencë, naftëtarët e ARMO-s paraqitën një sërë kërkesash ku më kryesoret ishin pagat e prapambetura dhe rivënia në punë e rafinerisë që ata të fillojnë punën. “Unë jam shpresëplotë se do vij prapë atje, nuk po jap afate se kur, por do të vij për ta rivënë në punë rafinerinë”, deklaroi Rama. Por premtimi më konkret i Ramës për naftëtarët ishte se qeveria do t’u akordojë statusin e naftëtarit, që parashikon disa përfitime. “Çdo naftëtar, do të gëzojë statusin”, tha Rama, ndërsa ministri Gjiknuri shtoi se: “Janë ato tre pagat e para që i parashikon statusi, deri në 80 për qind dhe pjesa tjetër përcaktohet nga ligji në fuqi për statusin”. Për krizën e ARMO-s kryeministri Rama fajësoi qeverinë “Berisha”. “Privatizimi i ARMO-s ka qenë kriminal. Jo i gabuar, por kriminal”, tha Rama, kurse ministri Gjiknuri theksoi se, “kur morëm pushtetin në 2013-ën, kjo kompani kishte falimentuar”. “Nuk është se kemi një situatë që e morën bankat tani, apo e morën pastaj… Bankat e kishin marrë që nga momenti që Rezart Taçi kishte marrë borxhin nga Banka”, u shpreh Ahmetaj. Madje sipas Gjiknurit, qeveria nuk ka përgjegjësi as për krizën e fundit, edhe pse ishte ajo që një vit me parë bekoi marrëveshjen me IRTC, duke e cilësuar sukses. “Fatkeqësisht menaxhimi nuk është bërë siç duhet, por menaxhimi është privat”, vuri në dukje Gjiknuri. Pas bashkëbisedimit naftëtarët shprehën mosbesim. “Pagat e prapambetura. Problemin tonë ata e anashkaluan, të shikojmë fjalën e fundit e kryeministrit është rivënia në punë. Se sa do të jetë e vërtetë ta shikojmë”, thanë ata.
Sigal