Arjan Starova/ Mendime për ndryshime në Kodin Zgjedhor, rreziqet e sistemit dypartiak

577
Ditët e fundit në tregun e politikës shqiptare janë duke u hedhur ide të larmishme mbi ligjin e ri zgjedhor, të cilat në fund të fundit duken edhe si përpjekje për të hetuar nëse ka apo jo blerës ndër partitë politike. Tri gjëra bien në sy në këto përpjekje. E para, shfaqja e qartë e interesit të partive të mëdha në mbështetje të të ashtuquajturit ligj “me prim” (sipas të cilit partia, apo koalicioni që merr numrin më të madh të votave ka të drejtë të marrë edhe një numër të caktuar vendesh të tjerë në parlament përtej atyre që i përkasin sipas votave), i cili do të jetë pak a shumë si ligji zgjedhor i Greqisë. E dyta, përsëritja e përpjekjeve për të shkatërruar partitë e vogla, ose e thënë ndryshe për t’ua bërë të detyrueshëm shqiptarëve një sistem pluralist dypartiak. E treta, thuajse të gjitha partitë politike të vogla janë shprehur kundër ideve të shprehura në përkrahje të një ligji të tillë. Argumentet që jepen në mbështetje të këtij ligji janë të tilla si rritja e qëndrueshmërisë së qeverisë dhe e mundësive të saj për të bërë reforma pa u penguar nga opozita, pakësimi i numrit të tepërt të partive politike në Shqipëri, nxitje e shkrirjeve ndërmjet partive të ndryshme brenda një spektri politik, etj. argument më të parëndësishëm. Në përpjekje për të ndriçuar sadopak njerëzit e interesuar dhe përgjithësisht opinionin publik do të doja të theksoj para së gjithash se argumentet e mësipërm nuk vlejnë vetëm për këtë ligj, sepse ata mund të përdoren edhe për çfarëdo ligji tjetër zgjedhor. Mos vallë sa herë që ne e kemi ndryshuar ligjin zgjedhor deri kemi pasur parasysh që qeveritë të mos jenë të qëndrueshme dhe të mos jenë të afta të bëjnë reforma?! Po reformat që janë bërë në këta njëzet e pesë vjet demokraci a nuk janë bërë pa e pasur këtë ligj?! Le të vijmë tani te argumentet kundër këtij ligji zgjedhor. Së pari, ky ligj mbështetet në dhënien e votave shtesë si “dhuratë” për partinë që merr numrin më të madh të votave. Në të vërtetë, këto vota “dhuratë” nuk mund të mos jenë tjetër përveçse votat e grabitura nga partitë e tjera të vogla. Pavarësisht prej kësaj të fundit, numri i vendeve në parlament që nevojitet për të pasur të drejtën e formimit të qeverisë, në fund të fundit, duhet të mbështetet në vullnetin e votuesve të partisë ose të koalicionit që ka marrë shumicën e votave. Së dyti, a nuk është pluralizmi politik shqiptar ende i ri dhe i tillë që ka nevojë për ulje ngritjet e domosdoshme të partive të ndryshme politike shqiptare në varësi të mënyrës sesi ato u janë përgjigjur interesave dhe pritshmërive të mbështetësve të tyre? Përse duhet që me këtë ligj të mundohemi që t’i betonojmë përjetësisht si dy parti të mëdha PD-në dhe PS-në, kurse pluralizmin politik ta ngrijmë” si të futur në frigorifer!? A nuk është më mirë që partitë politike shqiptare të kenë të drejtën e tyre të konkurrojnë në politikë në kushte më normale derisa Shqipëria të ketë krijuar një traditë pak a shumë të gjatë pluraliste? Në fund të fundit, partitë e vogla jashtë parlamentare nuk marrin thuajse asgjë nga buxheti i shtetit, por ato shprehin interesa të tjera të ndryshme prej atyre të mbështetësve të partive të mëdha ose jo parlamentare. Për hir të së vërtetës, një sistem pluralist dypartiak nuk do të kishte asgjë të keqe në vetvete, por ai nuk u duhet dhënë me forcë shqiptarëve por, nëse do të shkohet drejt tij, ai duhet të vijë dalëngadalë. Përveç kësaj, të gjitha zgjedhjet kanë treguar se një e treta e votave të shqiptarëve nuk merren nga partitë e mëdha, pa llogaritur këtu shpërdorimet në numërimin e votave që janë një prej traditave më të këqija të zgjedhjeve shqiptare. A nuk është, pra, ky ligj zgjedhor diçka e parakohshme për pluralizmin e ri politik të Shqipërisë? Së treti, përpjekjet për të miratuar ndryshimet të tilla në ligjin zgjedhor synojnë të krijojnë alibinë sikur shkaku kryesor i mungesës së qëndrueshmërisë së koalicioneve partiakë na qenka ligji zgjedhor dhe jo keqqeverisjet të cilat i brishtëzojnë ato. Në kushtet e sotme politike, përpjekjet për një ligj të tillë zgjedhor synojnë që të tregojnë se nëse nuk do të kishte qenë LSI-ja qeverisja do të kishte qenë më e qëndrueshme. Sado e fajësueshme të jetë LSI-ja për politikat e saj, faji i keqqeverisjes nuk mund t’i vishet vetëm asaj. Së katërti, sipas këtij ligji të ri zgjedhor, ndryshimet e qeverisjes, edhe kur ajo mund të jetë shumë e keqe, nuk do të mund të bëheshin më përveçse vetëm nëpërmjet protestave si në Greqi sepse përndryshe ajo nuk do të detyrohej të dorëhiqej. Qeverisjet me koalicione mendoj se ia kursejnë përpjekjet popullit duke bërë të mundshme trysnitë e partive të ndryshme brenda koalicionit në të mirë të një qeverisjeje që të shprehë interesa sa më të gjera të njerëzve. Me kohë dhe nëse Shqipëria mund të kishte një sistem pluralist dypartiak, ma merr mendja se edhe marrëdhëniet politike ndërmjet kundërshtarëve politikë nuk do të jenë si ato të tanishmet ku sharja e kundërshtarit dhe mohimi absolut i gjithçkaje të tij mendohet si politikë besnike dhe e dobishme. Kur të vijë ajo kohë, nëse vjen, Shqipëria do t’u ngjante Sh.B.A.-ve ku politikëbërja demokrate dhe republikane gjejnë gjithnjë gjëra të përbashkëta në interes të kombit amerikan dhe të rolit të tij përparimtar në politikën botërore. 
Sigal