Arjan Jaupllari, President i Urdhrit të Farmacistit

651
Sigal

 “Konkurrenca e pandershme, përgjegjëse e lidhjeve korruptive të mjekëve me farmacistët”

Arjan Jaupllari, Presidenti i Urdhrit të Farmacistit, në intervistën për “Telegraf”  bën skanimin e problemeve të sistemit farmaceutik në Shqipëri,ku  tregon kush janë shkaktarët, si edhe jep edhe disa receta kurimi, nëse vërtetë ata që janë përgjegjës, duan të shëndoshin gjendjen e mjeruar të sistemit farmaceutik, ku viktima e vetme janë pacientët, që bien viktima të lidhjeve korruptive të mjekëve me farmacistët,pasojë të një konkurrence të pandershme.

Zoti Jaupllari, cilat janë problematikat e sistemit farmaceutik në Shqipëri dhe, sipas jush, cilat janë shkaqet dhe shkaktarët?

– Problematikat e sistemit farmaceutik janë nga më të ndryshmet, në të shumtën e rasteve ato lidhen me ndryshimet ligjore që kanë ndodhur pas vitit 2005, duke hequr disa nene të rëndësishme nga ligji i barnave, që rregullonin hapjen e farmacive dhe depove farmaceutike, konceptin e negocimit të çmimeve të barnave si dhe shumë akte nënligjore të këtij ligji , të cilat nuk u miratuan kurrë dhe nuk i bie më askujt ndërmend. Sot ky ligj i “përdhunuar” nga ministrat paraardhës, i ka çuar në mendje Minsitrit Tavo për ta riparë  dhe të shpresojmë se do ta realizoje në kohën e shkurtër që po ikën shumë shpejt.

– Zoti Jaupllari, mund të na jepni një ikonë të gjendjes së farmacive, që hapen si kërpudha në qendrat e mbipopulluara dhe mungojnë në zonat e tjera urbane e rurale?

– Ky fenomen, është pasojë e ligjit famëkeq, që miratoi ish-ministri Petrit Vasili në emër të konkurrencës së lirë, sepse, sipas mendjes së tij, sistemin farmaceutik do ta rregullojë ekonomia e tregut dhe konkurrenca e lirë. Është e pafalshme, e pamoralshme, që një profesionist i shëndetit, me një të rënë të lapsit, e kthen shërbimin farmaceutik në tregti të thjeshtë  medikamentesh. Pra, thënë më ndryshe, qëllimin primar, që shërbimin farmaceutik e barazon me tregtinë e lirë, është konceptimi më i keq për ta konsideruar farmacinë nga institucion shëndetësor në një njësi thjesht tregtare, çka përbën për më shumë edhe shkelje ligjore. Kjo konkurrencë e pandershme, që ka si qëllim primar vetëm shitjen e barnave, për të mbijetuar, ka nxitur disa fenomene shumë të këqija, të cilat të  gjitha çojnë në rritjen artificiale të konsumit të barnave, si pasojë dhe shitjen e barnave pa kriter, por që dëmtojnë rëndë shëndetin e pacientëve. Kjo faturë e një ministri të papërgjegjshëm po e dëmton rëndë sistemin shëndetësor në tërësi, por edhe buxhetin e ISKSH-së dhe të vetë spitaleve në veçanti. Sot mund të gjeni me dhjetëra farmaci që i rrethojnë dhe i marrin frymën spitaleve dhe qendrave shëndetësore, duke lenë zona të tëra pa shërbim. Por, për shkak të konkurrencës së pa ndershme, janë shtuar dhe disa fenomene shumë negative si ai i lidhjeve korruptive të mjekëve me farmacistët, hapja e farmacive nga vetë mjekët e qendrave shëndetësore, korrupsioni, që lidhet me mungesën e qëllimshme të barnave spitalore si dhe falimentimin e farmacistëve të ndershëm që respektojnë ligjin, etikën profesionale, përballë lulëzimit të joprofesionistëve matrapazë, që po abuzojnë, jo vetëm me xhepat, por edhe me jetën e njerëzve.

Kush janë shkaktarët e kësaj gjendjeje dhe cilat masa mund të jenë rregullatore të përmirësimit?

– Shkaktarët e gjendjes, çdo ditë sa vijnë e shtohen, nëse do ta lemë sistemin në rënie të lirë. Shkaktarët fillestarë janë të gjithë ata ministra që ndryshuan ligjin 9323, datë 25.11.2004 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”. Së dyti, në rrugën e çorganizimit të organizuar, nuk duket ndonjë tabelë “stop” dhe kjo shton radhët e shkaktarëve. Së treti, strukturat e kontrollit janë apatike, të cilat ushtrojnë vetëm kontrolle tematike, pa u fokusuar te dëmet që i vijnë pacientit nga sistemi i çorganizuar farmaceutik. Së katërti, një pjesë e farmacistëve që pritën dhe shpresuan në rregullimin e sistemit, po rendin për të kapur kohën e humbur në kaosin total. Së pesti, Urdhrit të Farmacistëve, si aktori më i rëndësishëm i sistemit farmaceutik, vetëm sa i japin të drejtë për problematikën që trajton, por kjo nuk mjafton.

Sipas jush, cilat mund të ishin masat që duhen të merren për të kuruar sëmundjen e sistemit të çorganizuar farmaceutik?

– Përsa i përket masave për rregullimin e gjendjes, do t’i rendisja si më poshtë: vullneti dhe dëshira e mirë, vendimmarrja urgjente, bashkëpunimi midis faktorëve dhe aktorëve të sistemit farmaceutik dhe shkatërrimi i fijeve të korrupsionit, nga nivelet drejtuese e deri te inspektori me i thjeshtë në terren.

Në sistemin kaotik të shpërndarjes të barnave shteti përse e ka ta pamundur ta kontrollojë?

– Duke pasur më shumë se çdo vend tjetër i botës importues dhe shpërndarës farmaceutikë, vështirësohet edhe kontrolli i tyre, sepse duhen më shumë burime njerëzore, një buxhet shumë më i madh për kontrollin në terren dhe në laborator të produkteve  që importojnë dhe shpërndajnë. Së dyti, vitaminat dhe shtesat ushqimore, të cilat nuk regjistrohen me qëllim për t’i shpëtuar këtij kontrolli, importohen vetëm duke paguar 20% në doganë.

– Si dhe sa është e mundur që të bëhet kontrolli i medikamenteve, për të ndaluar hedhjen në treg të medikamenteve të falsifikuara?

– Këtë pyetje mund t’ja drejtoni Drejtorit të QKKB, sepse ai përfaqëson institucionin ligjor përgjegjës për analizën, regjistrimin, kontrollin e barnave dhe inspektimin e veprimtarive në fushën farmaceutike. Nga informacionet që disponojmë. referuar burimeve zyrtare të OBSH dhe Federatës Ndërkombëtare të Farmacistëve, është dhënë alarmi për fenomenin e falsifikimit të barnave. Ata disponojnë statistika të “frikshme”, ku thuhet se falsifikimi i barnave është një problem botëror, përderisa 10% e tyre falsifikohen në Amerikë dhe në vendet e tjera të zhvilluara, kurse në vendet e pa zhvilluara kjo shifër shkon deri në 50%, duke e klasifikuar në majën e piramidës së falsifikatorëve Indinë me mbi 70% të barnave që eksportohen nga India në  vendet e tjera të botës, sepse edhe në legjislacionin e tyre nuk dënohen falsifikatorët që eksportojë, por vetëm ata që prodhojnë dhe shpërndajnë për vendin e tyre.

Përse sistemi farmaceutik është ende i painformatizuar? Cilat janë rreziqet e mundshme të kësaj gjendjeje?

– Për këtë duhet të pyesni Ministrinë e Shëndetësisë. Përsa i përket pasojave janë të shumta dhe do të duhej shumë kohë për t’i thënë. Kur të pyesni ata, besoj se do t’i mësoni, sepse edhe ata i dinë, nëse nuk duan t’i thonë, atëherë është problemi i tyre.

Gjendja e spitaleve pa barna dhe medikamente është përgjegjësi e kujt?

Për gjendjen e spitaleve pa barna e materiale mjekësore, kite e reagentë mund të them se, vetëm një gjë është e sigurt: Vetëm përgjegjësi e të sëmurëve nuk është. I sëmuri vetëm me fjalë është i vendosur në qendër të sistemit shëndetësor, sepse realisht në qendër janë të tjerët, ata që lënë të sëmurët pa barna, ata që vjedhin buxhetin e tyre, ata që fitojnë tendera me miliona dollarë, ata që janë afër vatrës së kazanit, ku zien çorba e prishur dhe nga ku gëlltisin të gjithë nga një lugë, përveç pacientit.

– Dhe përse nuk ndëshkohen shkaktarët?

–  Pandëshkueshmëria është pasojë e korrupsionit. Ju thashë, që shkaktarët janë të shumtë dhe mbahen të lidhur me fije korruptive. Ato duhet të ndërpriten që në hallkën e parë të zinxhirit të korrupsionit, e cila për fat të keq sot është më e forta.

Cila është gjendja e listës të  barnave të rimbursueshme dhe sa mbulojnë nevojat  e të të siguruarve?

– Duhet të jemi të gëzuar që lista e barnave të rimbursueshme ekziston, dhe mbulon nevojat më të domosdoshme të të siguruarve për barna, mbulon një numër të konsiderueshëm diagnozash për sëmundjet kronike. Është një listë tradicionale, në të cilën janë hequr barna që dalin nga qarkullimi, ose nuk janë shumë të domosdoshme dhe janë futur barna të reja vit pas viti. Por kjo listë duhet reformuar totalisht, duke u shmangur nga rruga tradicionale “hiq ose fut”. Ajo duhet reformohet mbi kritere të reja shkencore mjekësore dhe ekonomike, bazuar në shkencën e farmako-ekonomisë. Në hartimin dhe rishikimin e listës duhet të eliminohen fenomenet presionit të ministrave, të klientelizmit dhe të komoditetit në përdorimin e barnave patentë që janë ekuivalentë me xhenerikët më të mirë.

– Përse çmimet e ilaçeve rriten nga viti në vit?

– Unë mund t’ju them se shkaku kryesor i rritjes së vazhdueshme të çmimit të barnave është ndryshimi i ligjit të barnave në vitin 2006, i cili shfuqizoi konceptin e negocimit të çmimit të barnave, i vendosur për herë të parë në ligjin  e barnave të vitit 2004. Shkaku i dytë, është vendosja e TVSH-së prej 10% mbi çmimin e barnave. Që çmimet janë rritur pas 2007, kjo nuk ka diskutim, sepse e tregon realiteti faktik i xhepave të pacientëve, por dhe buxheti i ISKSH-së,  edhe pse janë bërë disa ndërhyrje arbitrare, duke ulur marzhet e tregtimit të farmacisë dhe importuesve e shpërndarësve

– A ka kontroll shtetëror në personat që ushtrojnë profesionin e farmacistit, nëse kanë diplomën dhe kulturën e nevojshme?

– Po kontroll shtetëror ka. Ai ushtrohet nga QKKB. Përsa i përket diplomës, kjo nuk është shumë e saktë. Bazuar në ligjin për profesionet e rregulluara, që një farmacist të këtë të drejtën e ushtrimit të profesionit duhet të plotësojë tre kushte:

a) të kryejë praktikën profesionale;

b) të kryejë provimin e shtetit;

c) të regjistrohet në UP-në përkatëse.

Kurse në ligjin e Urdhrit të Farmacistëve është e përcaktuar se:

1.Asnjë individ nuk mund ta ushtrojë profesionin e farmacistit në Republikën e Shqipërisë, pa qenë anëtar i Urdhrit të Farmacistëve.

2.Punëdhënësit në institucionet a ndërmarrjet shtetërore ose publike dhe në subjektet private ndalohen t’i punësojnë ata në kundërshtim me këtë dispozitë. Kush mendon se profesionin e farmacistit mund ta ushtrojë kushdo, duhet të përballet me ligjin, sepse ka të bëjë me gjënë më të shtrenjtë, mbrojtjen e shëndetit të njeriut, për të cilën kemi bërë betimin e Hipokratit dhe jo të “hipokritit”. Urdhri i Farmacistëve, ka konstatuar shumë raste të shkeljes së legjislacionit nga më flagrantet, kur në farmaci shërbejnë persona jofarmacistë, farmaci të e paligjshme pa licencë e pa farmacistë në farmaci e deri te raste të shërbimit nga studentë e praktikantë. Ne i kemi përcjellë informacionin strukturave përgjegjëse, por nuk kemi parë ndonjë reagim konkret.

– A ka kontrolle të mjaftueshme shtetërore që të parandalojnë rreziqet që mund të kenë pacientët nga përdorimi i barnave të falsifikuara dhe të skaduara?

– Nuk është pyetje për mua, por për QKKB-në.

– Në cilin nivel  është bashkëpunimi  MSH, ISKSH, QKKB, QKEV dhe UFSH? Çfarë duhet bërë?

– Bashkëpunimi ndërinstitucional midis faktorëve të sistemit farmaceutik që janë: MSH, ISKSH, QKKB, ASHR, DSHP, DRSKSH, QKEV dhe aktorëve UFSH, Shoqata e Farmacistëve, Shoqata e Distributoreve Farmaceutike, Shoqata e Përfaqësive Farmaceutike dhe Sindikata e Farmacistëve, është faktori kryesor i qëndrueshmërisë së sistemit farmaceutik. Niveli i bashkëpunimit gjatë këtyre viteve ka qenë i kënaqshëm vetëm me ISKSH, kurse me faktorët e tjerë bashkëpunimi nuk ka funksionuar. Ai është përmirësuar së fundmi me ardhjen e Ministrit të ri të Shëndetësisë. Në fakt bashkëpunimi është i lidhur ngushtë edhe me nivelin e përfaqësimit reciprok. Përsa i përket këtij problemi është për të ardhur keq që ministrat sipas konjukturës arritën ta fshijnë nivelin e përfaqësimit të Urdhrit të Farmacistëve nga legjislacioni i tyre. Duke e përjashtuar fillimisht nga Komisioni i Çmimit të Barnave, e pastaj me radhë deri në përjashtimin e fundit të përfaqësimit në Këshillin Administrativ të ISKSH-së. Në Urdhrin e Farmacistëve, Ministria e Shëndetësisë, ISKSH dhe Departamenti i Farmacisë së Fakultetit të Mjekësisë kanë përfaqësimin në organin me të lartë vendimmarrës, Këshillin Kombëtar. Kjo pabarazi primitive besoj se e ka dëmtuar dhe do ta dëmtojë më shumë dhe bashkëpunimin e mirë edhe me ISKSH.

Skaneri i sistemit farmaceutik në Shqipëri

Por, për shkak të konkurrencës së pa ndershme, janë shtuar dhe disa fenomene shumë negative si ai i lidhjeve korruptive të mjekëve me farmacistët, hapja e farmacive nga vetë mjekët e qendrave shëndetësore, korrupsioni, që lidhet me mungesën e qëllimshme të barnave spitalore si dhe falimentimin e farmacistëve të ndershëm që respektojnë ligjin, etikën profesionale, përballë lulëzimit të joprofesionistëve matrapazë që po abuzojnë jo vetëm me xhepat, por edhe me jetën e njerëzve.

– Faleminderit!