Arian Starova: Qeveria nuk e ka vullnetin për integrim, Opozita është në gjendjen më të dobët

142

Dukuritë negative të Shqipërisë si krimi, korrupsioni, trafiku i drogës, papunësia, mungesa e investimeve të huaj, standardi i ulët ekonomik i jetesës, liria e cunguar e medias, liria e kufizuar e nismës private për shkak të monopoleve të fshehtë të bizneseve të vakantë etj., etj., do të luftoheshin më mirë duke e pasur Shqipërinë anëtare, pra, brenda BE-s.

 Arian Starova, ish-zëvendës ministër i Jashtëm, kryetari i partisë Bashkimi Liberal Demokrate, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se do të ishte më mirë, që Bashkimi Evropian të hapte negociatat me Shqipërinë për anëtarësim, sepse reforma në drejtësi, krimi, korrupsioni, liria e cunguar e medias etj., do të gjenin zgjidhje më mirë. Zoti Starova shpreh mendimin se asgjë nuk do të ndodhë edhe deri në qershorin e 2019-s. Qeveria nuk e ka vullnetin e integrimit, por edhe kjo opozitë, është më e dobëta e 25 viteve të kaluara, sepse, sipas zotit Starova, idetë e reja nuk mbarten me njerëzit e së kaluarës. Reforma e vetëm zgjedhore që i nevojitet Shqipërisë, sipas zotit Starova, është depolitizimi i zgjedhjeve, që PS-PD nuk e kanë vullnetin ta bëjnë. PD-ja, sipas zotit Starova, duhet të kërkojë tek vetvetja pse nuk e votojnë demokratët, jo aq tek pretendimi i saj politik, tek vjedhja e votës.

 – Zoti Starova çdo të thotë për Shqipërinë dhe shqiptarët mos hapja e negociatave nga BE?

  Nëse zbatohen kritere të rreptë, Shqipëria jo vetëm këtë vit, por as vitin tjetër dhe as pas dy tre vjetëve nuk mund të jetë e gatshme për bisedimet zyrtarë me BE-në. Prandaj, qëndrimi i BE-së duhet të jetë më shumë politik në kuptimin që Shqipëria, bashkë me vendet e tjerë të Ballkanit Perëndimor, duhen pranuar në mënyrë të përshpejtuar si anëtarë të saj, duke u mbështetur kryesisht në vullnetin konsensual politik të këtyre vendeve në mbështetje të anëtarësimit në BE dhe në ato arritje që janë bërë deri tani. Dukuritë negative të Shqipërisë si krimi, korrupsioni, trafiku i drogës, papunësia, mungesa e investimeve të huaj, standardi i ulët ekonomik i jetesës, liria e cunguar e medias, liria e kufizuar e nismës private për shkak të monopoleve të fshehtë të bizneseve të veçantë, etj., etj. do të luftoheshin më mirë duke e pasur Shqipërinë anëtare, pra, brenda BE-së, sepse trysnia politike e organizmave të BE-së do të ishte shumë më e madhe dhe e dobishme mbi elitën politike shqiptare. Në këtë kuptim, mendoj se shtyrja e hapjes së bisedimeve për anëtarësim fsheh diçka më serioze, ndoshta të pashprehur asnjëherë hapur, sepse askush nuk do ta besonte se gjatë këtij viti që na ndan deri në qershorin tjetër, Shqipëria do të bënte ndonjë ndryshim të jashtëzakonshëm nëse do të vazhdohej në të njëjtat rrethana politike. Prandaj, pyetjet që shtrohen janë disa. A janë debatet mbi zgjerimin apo mos-zgjerimin e BE-së ndërmjet anëtarëve të saj arsyeja e vërtetë e kësaj shtyrjeje?! A pritet ndonjë ndryshim madhor politik në Shqipëri për të dyja rastet e mundshëm, si atë të ngecjes (që sjell nevojën për ndryshim të parakohshëm të qeverisjes), ashtu edhe të përparimit të reformës në drejtësi (që çon drejt spastrimit të politikës prej të korruptuarve)?! Si rrjedhojë, unë u bashkohem dyshuesve të hapjes së bisedimeve zyrtare vitin tjetër, çka, për shqiptarët, do të thotë se ata nuk duhet ta mbajnë shumë vëmendjen te BE-ja duke e parë atë si shkopi magjik i ndryshimit të Shqipërisë.

– Mendoni se qeveria e ka kuptuar mesazhin e BE?

Qeveria e ka kuptuar mesazhin fare mirë, por hidhërimi i saj i pafshehshëm as me buzëqeshjet e huazuara rrejshëm prej një viti që vjen më pas, lidhet me kuptimin e thellë nga ajo se asgjë më shumë, sesa kaq nuk mund të bëhet më deri në qershorin e ardhshëm. Në rrethana të tilla, shumica qeverisëse duket se është duke menduar për zgjedhje të parakohshme, sipas logjikës, ose vazhdoj qeverisjen me mbështetje të fortë popullore të pakundërshtueshme nga BE, ose largohem, duke shkuar në opozitë dhe shmang një qeverisje tejet të vështirë dhe me mbështetje që do të vinte duke u dobësuar.

– Ju shpresoni se do të këtë reflektim politik dhe vullnet nga qeveria për të realizuar kushtet e reja të BE deri në qershorin e 2018-s?

Qeveria do të donte ta kishte atë vullnet, por nuk mundet ta ketë, thjesht sepse nuk mund të dalë kundër vetvetes. Ajo jo vetëm që nuk arriti të godiste dhe të bënte drejtësi me korrupsionin e pretenduar të qeverisjeve të së kaluarës, por tani po ndeshet me një akuzë në rritje popullore për korrupsionin e ri, që është duke bërë vetë në përmasa të papara dhe të frikshme.

– Çfarë duhet të bëjë tani Opozita në strategjinë e taktikën e saj politike ndaj qeverisë?

Më vjen keq të them se opozita është në gjendjen më të dobët që ka përjetuar ndonjëherë në këta rreth 25 vjet. Tipare të politikëbërjes së saj janë, pavendosmëria, mbështetja mbi të pavërtetat, mungesa e largpamësisë, ose vizionit, politikëbërja sipas interesave të grupeve të veçantë dhe larg interesave të masës së gjerë të votuesve tradicionalë të qendrës së djathtë, mungesa e vijimësisë logjike të veprimeve të saj, mungesa e orientimit në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, etj. Kështu siç është, ajo nuk mund të bëjë asgjë. E para gjë e nevojshme është hapja ndaj mendimeve të kundërt brenda saj dhe përcaktimi i një programi të qartë politik për një qeverisje krejtësisht të re në synime dhe mendësi. Por idetë e reja duhet të lidhen me njerëz, të cilët nuk mund të bartin mbi vete gabimet e tanishme. Duhet të jemi të qartë se opozita nuk duhet barazuar vetëm me PD-në.

– Zoti Çuçi deklaroi dje se në Reformën e re Zgjedhore nuk do të ketë ndryshim të Sistemit Zgjedhor, duke lënë të kuptohet se ka dakordësinë edhe të Opozitës. Cili është qëndrimi juaj politik për këtë Reformë të re zgjedhore pa ndryshuar Kodin Zgjedhor?

Për mua sistemet zgjedhorë janë fare të parëndësishëm, nëse krahasohen me ndershmërinë e zgjedhjeve, ku para së gjithave, përfshihet numërimi i votave. Ajo që për mua është shumë e rëndësishme është shkëputja e procesit të kryerjes së zgjedhjeve bashkë me numërimin e votave prej partive politike dhe komisionerëve politikë. Në këtë çështje nuk po shoh ende të ndryshojnë diçka.

– Sipas jush pse PD nuk kërkon te ndryshojë Kodi Zgjedhor derisa ka 2 zgjedhje parlamentare që i ka humbur?

– Humbja e PD-së dhe e gjithë opozitës nuk ka lidhje me kodin zgjedhor, por me politikëbërjen e saj që nuk është ajo e duhura. Thuhet shpesh se u “blenë” vota, por pyetja fare e thjeshtë është se përse “shiten” mbështetësit e opozitës dhe të PD-së, ose përse nuk shkojnë për të votuar!?

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA