Arian Starova: “Besoj tek vota që do të më japin qytetarët e Elbasanit”

200

Intervista/ Kryetari i PBLD, Arian Starova kandidat për deputet, në Qarkun e Elbasanit

Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, zoti Arjan Starova njëherazi dhe kandidati për deputet i pari në listë për Qarkun e Elbasanit rrëfen arsyet pse zgjodhi këtë qartë për të kandiduar më 23 Qershor, cilat janë pritshmëritë e kësaj force politike jo vetëm në këtë qark, por dhe më gjerë, cila do të jetë platforma që do të sjelli hapjen e vendeve të reja të punës dhe çfarë ngërçi sjell mungesa e anëtarëve të PS në KQZ.

Z.Starova ju jeni kryetari i PBLD, përse vendosët të kandindoni në Qarkun e Elbasanit dhe jo në një tjetër?

Jam lindur, rritur e kam punuar në Elbasan deri në fillim të viteve ‘80. Babai im është gjysmë elbasanlli, pavarësisht se kemi mbiemrin Starova, kemi mbi 45 vjet në Elbasan. Kurse nëna vjen nga një fis i njohur, nga fisi Dardha në këtë qytet, madje është motra e Beqir Dardhës që është një nga dëshmorët e parë të LANÇ-it në vitin 1943 dhe një lagje në Elbasan mban emrin “Beqir Dardha”. Pra siç duket në Elbasan kam lidhje fis dhe kam shumë koleg pune, prandaj vendosa të kandidoja këtu. E kam për nder të kandidoj në Elbasan, por ky ishte edhe një vendim që e mora me konsultime brenda koalicionit.

Cilat janë pritshmëritë e forcës tuaj politike në Qarkun e Elbasanit dhe në 12 qarqet e vendit?

Për shkak të lidhjeve që kam me Elbasanin, besoj se elbasanllinjtë do të ma japin mundësinë që t’i përfaqësoj në kuvendin e ardhshëm. Pra, ne synojmë që në Elbasan të marrim një mandat deputeti. Ndërsa për më shumë si një parti e vogël që jemi nuk mund të them që do të fitojmë kaq e aq deputet. Ne jemi realist, nuk jemi si përfaqësuesit e partive të tjera që janë kthyer në ëndërrimtarë. Partia është përfaqësuar në 12 qarqe dhe pretendojmë të dalim mirë, por kam besim që për shkak të lidhjeve që kam me Elbasanin, mendoj që do të përfaqësohemi në Parlament, por kam dhe 2-3 qarqe të tjera që pres shumë, e tillë është Lezha dhe Tirana. Po të flasim përtej përfaqësimit në Kuvend, po t’i referoheshim numrit të votave, shpresoj që këtë radhë të kapim kuotën e 12-13 mijë votave me kontributin e të gjitha qarqeve, sepse të gjithë njerëzit që kemi vënë në të gjitha qarqet përfaqësojnë diçka, thonë diçka për komunitetin, qoftë si profesione, qoftë si moral, qoftë si sjellje politike. Besojmë që do të kemi një mbështetje të mirë me vota nga elektorati në të gjithë Shqipërinë.

Cila është platforma juaj që po shpalosni para elektoratit tuaj?

Natyrisht, kur bëhet fjalë për platformën e PBLD në këto zgjedhje duhet t’i referohemi një platforme më të gjerë koalicionit, ku ne bëjmë pjesë dhe kjo është kryesorja e qendrës së djathtë, të PD-së. Thelbi i kësaj platforme është që neve, jemi në prag të zbatimit dhe të realizimit të projekteve të mëdha të zhvillimit për Shqipërinë. Nuk bëhet fjalë për projekte të vogla, por neve në këto katër vite të tjera do ta kthejmë Shqipërinë në një vend të zhvilluar. Kemi projekte të mëdha në energjetikë, industri, do të mbyllim projektin në masë të rrugëve, pra në çdo fshat do të ketë rrugë të asfaltuara, këtu nuk është thjesht për komoditet privat apo vetjak të qytetarëve fermerëve, por ideja është që të ndihmohet biznesi dhe qarkullimi i vlerave kulturore për Shqipërinë. Nëse dikur Shqipëria ka patur rrugë lufte, të ndërtuara nga pushtuesit, rrugë të cilat nuk ishin aspak komode, ne sot kemi ndërtuar rrugë për zhvillim,  që janë të shkurtra, ku lëvizim me shpejtësi, ku komunitetit ka bërë që qytetarët të lëvizin në mënyrë të mirë. E këto të gjitha bëjnë që njerëzit të jenë të lidhur me njëri-tjetrin e të harmonizojnë vlerat. Pra kjo i shërben shumë kohezionit social të kombit. Sigurisht, do të vazhdojmë programin e rritjes së rrogave, program i krijimit të lehtësira për biznesin, do të ecim më tej në rrugën e integrimit euroatlantike, evropiane, sepse neve tashmë jemi një vend i NATO-s, ajo që është kryesore anëtarësimi është bërë. Në kuadrin e këtij drejtimi Liberal Demokratët ofrojnë përvojën, eksperiencën e tyre në ekzekutiv në Kuvend. Nëse kjo do të ishte e mundur, ofrojnë një sjellje korrekte dhe të moderuar me elektoratin, ofrojmë frymë konstruktive, një përfaqësim dinjitoz.

Elbasani njihet si qarku me numrin më të madh të papunësisë, cila është alternative juaj në këtë drejtim?

Punësimi është një nga synimet kryesore, prandaj në dy mandatet e para është investuar në themelet e një ekonomie të zhvilluar dhe tani janë krijuar kushtet që punësimit të vendoset si një përparësi. Ideja është që ne do të hapim rreth 250 mijë vende punë të reja, ku kryesisht do të realizohen duke stimuluar biznesin e huaj dhe atë vendas. Qytetarët shqiptarët duhet ta dinë që të gjitha premtimet janë mbajtur deri tani edhe ky premtim për hapjen e këtyre vendeve të punës sigurisht që do të mbahet dhe ky është një objektiv madhor, sepse me të lidhet edhe mirëqenia, prandaj dhe slogani ynë është “punësim, mirëqenie, integrim”.

Gjatë takimeve që keni pasur me elektoratin tuaj në të gjithë qarkun, cili është problem kryesor që keni hasur?

Kam lëvizur në të gjithë qarkun dhe njerëzit kanë probleme të ndryshme, por çështja kryesore është punësimi, sepse me ardhjen e emigrantëve numri i të papunëve është rritur ndjeshëm. Sigurisht që ka edhe probleme me rrugët në disa fshatra. Probleme të tjera janë problemet e subvencioneve të bujqësisë, por politika që ka ndjekur shteti këto vitet e fundit, për të mbjellë ullinj, vreshta apo lloje të tjera drufrutorë, ka bërë që fshati të eci më shpejt. Mbështetja nuk mund të jepet njëherësh, sepse çdo gjë varet nga mundësit, por këto probleme kam besimin që qeveria jonë e ardhshme në mandatin e tretë do të përpiqet t’i zgjidhi më së miri.

Si do ta komentonit mungesën e anëtarëve të KQZ-së?

Po të lexosh me kujdes ligjin dhe mënyrën se si konstituohet KQZ-ja, ku thelbi janë balancat politike, po të shikosh ligjin për statusin e një anëtari të KQZ, besoj që PS për arsye që i di vetë ka bërë një gabim trashanik që ka braktisur KQZ-në në një gjendje të tillë. Gabimi i parë është që u tërhoqën anëtarët dhe gabimi i dytë është që ata nuk po i plotësojnë dhe nuk kanë asnjë argument për të. KQZ krijohet duke ruajtur balancat politike, mbasi krijohet çdo anëtarë është i pavarur politikisht, por meqenëse balancat politike të pa parishikuara u prishën ato duhej të rivendoseshin prapë. Ju e keni parë që debati politik në Shqipëri është tepër i nxehtë, kështu që është normale që asnjë palë të mos lëshonte çështjen e ruajtjes së raporteve brenda KQZ-së. Kështu që besoj që është një gabim i tyre, nuk kam asnjë shpresë dhe unë kam qenë nga ata që kam shpresuar që do t’i plotësojnë, por besoj që me masat e marra dhe me rrugët ligjore që ekzistojnë nuk do të pengohet veprimtaria e KQZ. Ndoshta do të bëhet më e sforcuar do të duhet të hyjë në lojë Kolegji Zgjedhor e që do të zgjaten punët, por pengesa dhe ndonjë handikap ligjor nuk ka që ajo të vazhdojë të punojë për të kryer veprimtarinë e vet.

Një mesazh për qytetarët e Elbasanit për zgjedhjet?

Qytetarët e Elbasanit duhet të mendohen mirë se Arjan Starova i përfaqëson ata edhe si Liberal Demokrat edhe siç do parti  tjetër e partive të koalicionit dhe si përfaqësues i koalicionit të djathë do të kenë besim tek unë, sepse n.q.s zgjidhet Arjani është njësoj sikur zgjidhet çdo anëtarë tjetër i koalicionit të qendrës së djathë, kështu që shpresoj dhe besoj te vota e tyre.