Arian Galdini: Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme

485
Arian Galdini, kryetari i Partisë për Liri Demokraci dhe Etikë, në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon se keqqeverisja, hiqet nga shpina e popullit vetëm me zgjedhje të parakohshme, sepse kryeministri, edhe pse e kupton që ministrat e tij sillen arrogant dhe janë të korruptuar, nuk i heq, por bëhet avokat i tyre. PLDE, si parti e re, do të sjellë një frymë ndryshe në politikëbërjen shqiptare, sepse, siç thotë zoti Galdini “Për fat të mirë pothuajse të gjithë ne që jemi ekipi nismëtar i LDE, jemi njerëz të lirë, të papërlyer me pushtetet, krimin, korrupsionin, a çdo lloj ligësie që ka ndodhur në këtë vend. 

-Zoti Galdini, ju keni krijuar një Parti politike. Si kryetar i LDE, a nuk e ndjeni se shqiptarët janë lodhur nga politika dhe krijimi i kaq shumë partive?
– E ndjej, e kam ndjerë e jam i sigurtë që do të jetë një nga shqetësimet e pyetjet bazë, që do të na shtrohet në vijimësi. Por nuk kemi përgjigjen e artë. Kemi të vetmen përgjigje që na lejon realiteti praktik. Në Shqipëri këto 25 vite, pra ky çerekshekulli i jetës sonë u shndërrua në një lëngatë të pashoqe për qytetarët shqiptarë. Kjo quhet tirani e shpërfilljes. Demokracia na është katandisur në votime, ku ne shkojmë për të zgjedhur sipas Kodeve Zgjedhore që partitë bëjnë, e ne nuk zgjedhim, ne thjesht votojmë. Zëri qytetar është krejtësisht i papërfaqësuar. Pra as dëgjohemi, e as përfaqësohemi. 
– Cili është ndryshimi mes ndalimit të mendimit dhe fjalës që bënte Diktatura, me lejimin e mendimit dhe fjalës, të cilat, gjithsesi, na shpërfillen?
– Diktatura na vriste e poshtëronte, politikanët dhe qeveritarët e sotëm na kanë vënë të vrasim njëri-tjetrin për konflikte banale e na poshtërojnë çdo ditë. Ja në këtë pikë kemi mbërritur. 
– Atëherë, cila është mënyra që kemi për ta ndryshuar këtë realitet?
– Mediat janë të blera, klienteliste, si topa të politikës që gjuajnë me gjyle propaganda banale partiake. Shoqëria civile është shndërruar në xhepin e vogël të politikës. Lëvizjet qytetare janë të vakëta. E të gjitha këto unë i them si një njeri që e ka përshkruar të gjithë trajektoren e njeriut që ka zë publik, ka bërë aktivizëm politik e civil, e gjithsesi nuk kam parë ende një zgjidhje tjetër, përveçse përballjes dhe konkurrimit të sistemit. Një parti politike, është e vetmja mënyrë ligjore, kushtetuese dhe praktike për ta konkurruar dhe përballur sistemin. Nuk ka zgjidhje tjetër. Kur thirren protesta qytetare, shihen aty vetëm 5, 6, apo maksimumi 50 vetë. Kur thirren protesta nga partitë politike, shihen aty mijëra, apo dhjetëra- mijëra vete. Protestat qytetare të dekurajojnë, kur sheh numrin tmerrësisht të vogël. Protestat partiake të lemerisin, kur sheh hordhitë që kërkojnë fitoren sa janë në Opozitë, që të bëjnë plaçkë mbi shtetin, kur fitojnë zgjedhjet. Ky cikël barbar duhet ndalur. Prandaj duam t’i konkurrojmë dhe përballim, sepse besojmë e veprojmë e jemi ndryshe. Jo pse e themi, por sepse e kemi dëshmuar me shembuj jetësore. 
– Pse LDE- Partia për Liri, Demokraci dhe Etike? Pse ju jeni ndryshe?Të gjithë flasin bukur e në fund të gjithë zhgënjejnë…
– Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë, sepse çerekshekulli dhe ende beteja për një liri të përgjegjshme është e pafituar. Sepse demokracia na është tjetërsuar. Dhe etika na është zëvendësuar me babëzinë, amoralitetin dhe imoralitetin. Janë parime bazë këto për t’u kthyer në shkaqe e kauza beteje politike e qytetare. Ky shpirt përfitimi që na ka kapluar e po na trysnon ngado duhet konkurruar me shpirtin e solidaritetit. Kemi humbur e bjerrur njeriun brenda nesh. Ndaj edhe kërkohet një alternativë e Njeriut. Liria na shpall ndërgjegjet, demokracia na jep mundësinë e përfaqësimit, etika na jep fuqinë e virtytit. Së pari, mos besoni askënd nga ne. Dyshimi është fillimi i mençurisë. Dyshoni tek ne e tek çdokush që merret me politikë. Edhe unë dyshoj tek çdokush që merret, a flet për politikë. E ky është fillim i mbarë. Së dyti, mos besoni fjalët. Kurrë. Shihni shembullin jetësor personal të njeriut që flet, a shkruan. Vëzhgoni me kujdes jetët tona. Nëse jetët tona ju flasin për vepra të ligshta, atëherë mos na besoni. Ky është edhe qëllimi ynë, që të hapim mendjet, sytë, veshët, ndërgjegjet e vëmendjet e qytetarëve. Niseni me ne ushtrimin e dyshimit. 

Na dyshoni, por edhe na shqyrtoni shembujt jetësore. Nëse shembulli jetësor i Arian Galdinit, si kryetar i LDE, apo i cilitdo që do t’u flasë me e nën siglën e LDE, do t’u flasë ndryshe nga fjalët, atëherë mos na besoni. Besimin dhe mirëbesimin i kërkojmë vetëm bazuar në vepra e shembuj jetësore personale. Së treti, për fat të mirë pothuajse të gjithë ne që jemi ekipi nismëtar i LDE, jemi njerëz të lirë, të papërlyer me pushtetet, krimin, korrupsionin, a çdo lloj ligësie që ka ndodhur në këtë vend. Asnjeri nga ne nuk ka përfituar kurrë nga ndonjë parti, pushtet a politikan. Jemi njerëz e shpirtra të lirë, profesionistë të zotë, të ndershëm e të përgjegjshëm, që suksesin dhe arritjet e jetës sonë i kemi siguruar me shumë mund, studime, sakrifica e përplasje. Jemi të gjithë të arrirë në jetët tona personale. E as jetojmë nga politika, e as do të jetojmë ndonjëherë nga politika. Jemi bërë bashkë që t’i japim politikës një ngjyrë ndryshe, ngjyrën e moralit, dinjiteti dhe integritetit.

– Çfarë qëndrimi keni për Reformën në Drejtësi? 
– Janë ndryshuar 28 mandate deputetësh në këtë Kuvend. Pra Kuvendi, të cilin shqiptarët e kanë votuar në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, nuk është më. Nëse ju më thoni, se vlen vota për listën e partisë, si argument që justifikon këtë që ka ndodhur, unë ju përgjigjem se pikërisht ky është problemi. Pra vullneti i partive, e përdhos e nënçmon, vullnetin e qytetarëve. Kjo është dëshmi se ky sistem elektoral që kemi është Kështjella e partive dhe balta e qytetarëve. E si mundet ky Kuvend të miratojë reformën në drejtësi? Si? Kryeministri flet për një reformë të bërë vetëm nga specialistët. Por gënjen. Vizioni, fryma dhe qëllimshmëria e Reformës janë tërësisht partiake, madje më pak se kaq. Janë tërësisht të një njeriu. Për këtë duhet një vizion, duhen pyetje të mëdha, ku e si do të veprojmë me drejtësinë? Çfarë lloj drejtësie e të drejtë do të ngremë në këmbë? Cili është modeli më i përafrueshëm me mendësinë dhe kapacitetet institucionale dhe antropologjike në Shqipëri? Kjo reforma teknike në drejtësi, duket më shumë si kalim lumi për të hequr ca gjykatës e prokurorë të Saliut, e për të sjellë ca të Edit. Kriminalizimi i këtij Kuvendi, nuk mund të lejojë as moralisht e as politikisht askënd nga udhëheqësit politikë që të vazhdojnë me votime kaq të rëndësishme, sikurse është Reforma në Drejtësi. Të gjitha palët e kanë pranuar kriminalizimin e Kuvendit, përderisa së bashku kanë ngritur një Komision Parlamentar për Dekriminalizimin. A ka kuptim që ky Kuvend të na bëjë Reformën në Drejtësi? Jo dhe jo. Duhet një kontratë e re sociale dhe politike. Klasa politike shqiptare duhet të kërkojë të rivotohet. Shqipërisë i duhen patjetër zgjedhje të parakohshme dhe e gjithë klasa politike të kërkojë të falur për këtë mynxyrë që u ka shkaktuar shqiptarëve me nivelin e përfaqësimit nga deputetët në Kuvend. 

– A ka afera, në nënshkrimin e marrëveshjes në zgjidhjen “paqësore” të CEZ?
-Afera e CEZ është çështje e publikut e nuk duhet luajtur si debat me publikun. Palët e përfshira dhe të akuzuara për aferën CEZ, urgjentisht duhet të dorëzojnë tek publiku të gjithë autoritetin për ta çuar këtë çështje dhe hetimin e saj gjithëpërfshirës, të paanshëm, të pambivendosshëm, e të thellë, deri në fund. 

– Kryeministri përditë po manifeston një ngërç edhe me vetveten. Ka pranuar që ministrat e tij janë arrogantë, por nuk pranon ndryshime në kabinet, për të dhënë impulse të reja. Ju, si e shpjegoni kontradiktën e kryeministrit?
– Ministrat? Arroganca e këtij pushteti është e pashembullt. Një kryeministër që qytetarit i çon furgonin për t’i sekuestruar 3 qese majdanoz, nuk ka sy për të parë, e as gojë për të dëshmuar skandalet e njëpasnjëshme, që po i plasin nga ministrat e tij. Tashmë rolet janë ndryshuar. Kryeministri haptazi nga njeriu i parë që duhet të qeverisë shqiptarët e mbajë përgjegjësi për ta, e t’u japë llogari atyre, është shndërruar në kryeavokatin e ministrave të tij. Qytetarët janë vetëm subjekt taksash, gjobash, sanksionesh dhe represioni shtetëror. Tipike për qeverisjet antiqytetare dhe antibiznes. Fajin gjithmonë e kanë qytetarët, Ministrat kanë ngaherë të drejtë. Ky është edhe slogani i kësaj qeverie. Kumti i kësaj qeverie është i thjeshtë: Qytetarët janë informale, hajdutë, vjedhës, shkelës ligji, ndërsa ministrat janë shteti, ligji, të pagabueshmit. Por nëse Kryeministri është çekani, e policia kudhra e qytetarëve, nuk ka sesi të besojmë se po ndërtohet shtet i së drejtës. Rama nuk mund ta bëjë shtetin e së Drejtës së tij Personale, as me taksat tona, as me votat tona e as me lejen tonë. Ne si qytetarë duhet ta ndalim këtë shkarje drejt shtetit të së Drejtës personale të Ramës. 

-E si mendoni ta ndalni Kryeministrin, kur ju jeni një Parti e re, e vogël dhe pa përfaqësim në Kuvend?
– Nuk do të ndalim vetëm Kryeministrin. Edhe Opozita është bashkëfajtore në këtë lojë të varfërimit të shqiptarëve, për t’i blerë. Të gjitha palët që na kanë qeverisur, apo po na qeverisin, janë shkaktarë të kësaj mynxyre. Ne do të përballemi me këtë sistem dhe do ta konkurrojmë. Do të jemi çdo ditë në komunikim me qytetarët. Pak nga pak, si pikat që bëjnë rrëkezën dhe rrëkeza që sjell furinë. 
Sigal