Arian Galdini Kryetar i LRE – Lëvizja e Re/ Djegia e mandateve edhe mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale, një gabim historik i PD dhe Opozitës

1013
Sigal

Qeveria Rama është qeveria më antipopullore dhe më jopopullore që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Çuditërisht, Opozita, e kambyllur e mbytur këtë revoltë popullore në Çadrën e Lirisë a “Shtratin e 17 – 18 majit 2018”, ose e ka futur si xhindin në shishen e molotovit dhe e ka djegur si fijen e kashtës

Jakup B. GJOÇA

Arian Galdini Kryetar i LRE – Lëvizja e Re në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se qeveria e kryeministrit Rama është  qeveria më antipopullore, por Opozita e ka mbytur revoltën popullore. Zoti Galdini thotë se djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale nga PD është një gabim historik.

Zoti Galdini Çfarë domethënie ka kryesimi I OSBE nga Shqipëria kur kjo mazhorancës zhvilloi zgjedhje në 30 qershor 2019 në kundërshtim me Kushtetutën dhe Raporti Përfundimtar i OSBE/ODIHR evidentoi shkeljetë standarteve demokratike të zgjedhjeve?

Para pak ditësh isha në Londër në një debat ndërkombëtar mbi zhvillimet e fundit BE – Ballkani Perëndimor. Ndër të tjera ish – Ministri Francez i Indurstrisë dhe aktualisht Këshilltari i Presidentit Macron, Frederic Lefebvre mbajti një fjalë aty ku mbrojti qëndrimin e Shefit të tij mbi Jo-në franceze. Atëherë unë nuk mund të heshtja më dhe në fjalën time iu drejtova drejtpërdrejtë politikanit të lartë francez duke i thënë:  Kush e jep Legjionin e Nderit, zotëri, qytetari shqiptar apo Presidenti Macron? Kush ia bën pritjet me nderime e protokoll në Paris, Bruksel, etj, udhëheqësve plaçkaxhinj dhe të korruptuar, qytetari shqiptar apo Presidenti Macron dhe Kolegët e tij Europianë?

E pra, Edi Rama është Legjionar i Nderit nga Macron, Edi Rama pritet me atlete dhe shallvare e lejohet të çalltiset si arlekin me albume pikturash nëpër kancelaritë e larta të Europës dhe trajtohet si fenomen subekzotik nga Presidenti Macron.

E pra ndajeni mendjen ju në Paris, Berlin, Bruksel, Romë e kudo. Nëse keni një problem me plaçkaxhinjtë, të korruptuarit politikë, krimin e kësolloj ligësishë, mos e bëni strumbullarin e tyre Legjionar Nderi. Nuk mund të jetë i njëjti person edhe Legjionari i Nderit edhe i ndëshkuari i madh. Sepse kështu, ai veç fuqizohet dhe shqiptarët mpaken, çshpresëzohen dhe ose zhyten në skamje e dorëzim ose mësyjnë drejt Europës.

Jua tregova këtë ngjarje të para pak ditëve për tju ilustruar mendimin tim se ka një Skizofreni Politike në këto momente ngado në Botë. Nga njëra anë kërkohet nga Shqipëria e shqiptarët që të mbështesin Reformën në Drejtësi, e nga ana tjetër nuk ka vendime e qëndrime të prera e të qarta për tua prerë shtigjet Udhëheqësve Politikë Plaçkaxhinj dhe të Korruptuar. Sa për OSBEnë nuk kam çtë them. Për Shqipërinë them se është një nder e privilegj e mision tejet i lartë e dinjitetprurës për vendin tonë. Por për Qeverinë tonë e cila do të jetë edhe përfituesja dhe zbatuesja e Presidencës së OSBE, them se shkon për shtat shqipërimi i asaj që një miku im Senator Italian më tha para pak kohësh: OSCE nuk është më (Organisation for Security and Cooperation in Europe)  Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, por është shndërruar në (Organisation for Spreading Confusion in Europe) Organizatën për Shpërndarje Broçkullash (konfuzioni) në Europë.

Opozita nuk bën më protesta, ndërkohë që akoma ka protestues në burg nga protestat e mëparshme. Sipas jush,  Pse opozita nuk  proteston?

Me thënë të drejtën, këtu në këtë pyetje unë kam një vështirësi njerëzore dhe emocionale për tu përgjigjur ngase e shkuara ime ka qenë 20 vjet si anëtar i PD dhe deri në janarin e këtij viti si aleat i PD.

I kam thënë e shkruar papushim mendimet e mia edhe në mbledhjet e Koalicionit Opozitar asokohe, edhe në takimet e mia me Kryetarin e PD Basha, edhe ne media ku kam mundur e jam lejuar të flas e shkruaj, e sidomos në rrjetet sociale. Qeveria Rama është Qeveria më antipopullore dhe më jopopullore që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ndaj edhe gjendja opozitare dhe e revoltës dhe pakënaqësisë popullore është në pikën e saj të vlimit prej shumë kohësh. Çuditërisht ne si Opozitë Politike ose e kemi mbyllur e mbytur këtë revoltë popullore në Çadrën e Lirisë a “Shtratin e 17 – 18 majit 2018”, ose e kemi futur si xhindin në shishen e molotovit dhe e kemi djegur si fijen e kashtës.

Opozita që të protestojë duhet të jetë mendjendarë, e qartë, e pastër, properëndimore dhe e udhëhequr nga kauzat. Një Opozitë që paketon kauza, e gjen tregun monopol nga Qeveria. E kështu përfundon ose e shtypur nga qeveria ose e drejtuar nga Qeveria. Unë jam ndarë nga Koalicioni Opozitar, kur kuptova se drejtuesit e tij donin më shumë të paketonin kauza sesa të udhëhiqeshin nga kauza. Mu desh një periudhë kohe e gjatë që të vrisja PD-në brenda meje. Ballafaqimi me gjithë egërsinë dhe akuzat e shpifjet e baltën e pafundme që mu mveshën nga shumë miq tashmë ish-miq të mij në PD dhe Opozitë, nga janari e deri në shtator, më ndihmoi pafundësisht që ta vras e gropos njëherë e mirë PD-në brenda meje. Kam kuptuar këto muaj përballjeje me PD, se graviteti që PD ka pasur brenda meje, dashuria dhe ndërvartësia që unë kam pasur për PD, kanë qenë edhe shkaku madhor i të gjitha dështimeve të mia. Prandaj edhe e pranoj publikisht se kam gabuar rëndë për shumë vite që e kam dashur aq shumë PDnë e kam ndëshkuar veten, nismat e mia, idetë e mia, duke u tërhequr ngahera nga graviteti i PD. Për fat të mirë, fakti që unë i kam dashur dhe ata nuk më deshën kurrë, ka qenë edhe mburoja ime e bekuar që më mbajti jashtë loje por edhe jashtë çdo mëkati dhe implikimi. Andaj, jam mendjendarë tani me LRE – Lëvizjen e Re. Jam mendjendarë që ta kthejmë Lëvizjen e Re në partinë opozitare dhe të djathtë që rritet në mëvetësinë saj për tu udhëhequr kauzat, e jo për ti paketuar ato.

A ishte e gabuar apo e qëllimshme dorëzimi i mandateve të deputetëve?

Themelisht i gabuar si vendim.

Po mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore a e ndihmoi  kauzën e Opozitës?

Edhe djegia e mandateve edhe mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale, kanë qenë një gabim historik i PD dhe Opozitës. Vendime të tilla ekstreme janë as më shumë dhe as më pak, veç braktisje e detyrës. Sot pas 9 a 10 muajsh që nga kredhja e PD dhe Opozitës në këtë spirale marrëzie, PD dhe Opozita humbën pothuajse gjithçka.

  1. Humbën opozitarizmin si gjendje. Opozitarizmi nuk është strukturë, as ligjësi, as fotografi elektorale. Opozitarizmi është mision dhe misioni përmbushet kur je në krye të detyrës, e jo kur i braktis detyrat. Të bësh opozitarizëm strukturor dmth, vetëm duke përdorur organizatën dhe njerëzit që ke, sado zemëratë të thuash në fjalë apo përmbledhësh në shishe molotovi, ti je vetëm duke bërë medemek. Pse ndodh kjo? Sepse kur braktis detyrën, braktisesh edhe nga populli.
  2. PD dhe Opozita humbën popullin. Rigrumbulluan partinë, e bënë grushtin e partisë të ndjeshëm e flakërues, por mbetën vetëm partia përballë rregjimit. Rregjimi mundet nga populli, jo nga partia. Populli ngrihet në këmbë nga fryma, jo nga mllefi. Populli ngrihet në këmbë nga besimi, jo nga vërvitja e molotovëve.
  3. Opozita humbi Perëndimin. Për herë të parë pas 30 vitesh, ne pamë një PD dhe Opozitë, që me djegien e mandateve, mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale dhe hedhjen e molotovëve, u vendos krejt përballë Perëndimit. Në vitin 1990, ishte Perëndimi, kryesisht SHBA, që nëpërmjet LDKsë së Kosovës sollën frymën dhe modelin lëvizës që u reflektuan tek të gjitha zhvillimet themeluese të PDsë. Perëndimi, kryesisht SHBA, mbrojti paqen në Shqipëri, në vitet e vështira 1997 – 1998.

Perëndimi, kryesisht SHBA, luftuan dhe i dhanë lirinë Kosovës.

Perëndimi, kryesisht SHBA kanë premtuar dhe do ta mbajnë premtimin se të gjithë plaçkaxhinjtë e politikës shqiptare, të majtë dhe të djathtë, të cilët e kanë sunduar dhe plaçkitur Shqipërinë në keto 30 vite, do shkojnë e ballafaqohen me Drejtësinë. Dhe kjo do të ndodhë.

Kur PD dhe Opozita vendosen përballë Perëndimit dhe bëhen shurdhe e të verbëta ndaj thirrjeve dhe këshillimeve publike dhe jopublike të Perëndimit dhe SHBA, atëherë kanë cënuar interesat më strategjike të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kush vendoset përballë Perëndimit dhe SHBA, me dashje apo pa dashje cënon dhe lëndon interesat e kombit shqiptar.

Them se shtegu i marrëzisë ku hyri PD dhe Opozita, me djegien e mandateve, mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale dhe molotovprotestat e ka dobësuar deri në ashtë energjinë opozitare në Shqipëri.

Opozita nuk ka marrë pjesë as në procesin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, të gjitha institucionet e reja të Drejtësisë po mbushen me kandidatë anëtarë të preferuar nga  mazhoranca politikisht.  Si e vlerësoni këtë strategji politike te PD? 

PD dhe Opozita Zyrtare, nuk u përfshinë në Reformën Territoriale, dhe humbën.

PD dhe Opozita Zyrtare, dogjën mandatet, dhe humbën.

PD dhe Opozita Zyrtare nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale, dhe humbën.

Prandaj ripërsëris, se çdo bojkotim, shmangie, devijim, mospërfshirje e PD dhe Opozitës Zyrtare, janë braktisje e detyrës. Dhe çdo braktisje e detyrës, është në fakt dorëzim i çdo fuqie tek kundërshtari.

A është ky dhjetor i 2019, një kushtrim ndryshimi për shqiptarët? A sjell ndonjë porosi për shqiptarët ky dhjetor i cili vjen 29 vjet pas atij dhjetori të lavdishëm të 1990?

Sipas meje porositë e dhjetorit 2019 janë:

  1. Miq, dhjetori ndodhi para 29 viteve. Ata që e administruan dhjetorin 1990, janë po ata që edhe na plaçkitën 29 vite. Dikush u fsheh mbas Azem Hajdarit e ca të tjerë mbas John Lenon, por rural a urban sido që të kenë qenë, hajna kanë qenë, hajdutë kanë qenë e vijojnë të jenë. Pikë.
  2. Kush e bëri vërtetë dhjetorin, kush besoi vërtetë tek dhjetori i 1990, u plaçkit, drobit, përzu, izolua, dëmtua, lëndua e rrënua nga Tërmeti 29 vieçar i një Grushti Plaçkaxhinjsh të majtë dhe të djathtë.

Nderim pafund atyre që e bënë dhe e besuan dhjetorin si nisje, ngjizje qëllimmbarë, shqiptariste dhe properëndimore, demokratike dhe pro lirisë.

  1. Ky dhjetor i 2019, duhet të jetë kushtrim për ne. Nëse administratorët e dhjetorit 1990, u treguan të zotë e na rrëmbyen 29 vite nga jeta jonë me pluralizmin e stisur të bijve të Ramizit dhe Nexhmijes, ne nuk duhet të lejojmë që ata që administruan rënien e komunizmit për të instaluar plaçkëbërjen, të na rrëmbejnë edhe 30 vjet të tjera me Katovicën e tyre të re.

Pluralizmi i Komunistëve Plaçkëbërës dhe AntiKomunistëve Plaçkëbërës, i këtyre 3 dekadave, ka qenë pluralizmi i bijve të Ramizit dhe Nexhmijes.

Si për inat të shqiptarëve, nëna e pluralizmit shqiptar, këllira Nexhmije Hoxha vijon të jetë gjallë edhe këtë dhjetor, si për të na treguar se ajo do vdesë kur bijtë e saj të 90ës do tua lënë të sigurtë gjithçka katovicarëve të rinj të 2019.

Ndaj ka rëndësi madhore, jetike, historike, që shqiptarët ta konsiderojnë misionin e tyre edhe rithemelimin e pluralizmit.

Pluralizmi rithemelohet vetëm kur lindin parti pa porosi, pa sponsorizime, pa financime, pa oligarkë, pa ishër të korruptuar të pushteteve të vjetra që krijojnë parti e thurrje e alternativa të reja.

  1. Të djathtët duhet të kuptojnë se këto 30 vite kanë qenë shtrëngesë e hile kundër tyre.

U tha kapitalizëm u ndërtua plaçkëbërje.

U tha treg i lirë, u ndërtua hajni.

U tha, prona tek i zoti, u bënë zaptime, rishpërndarje prone me vendime gjykate e mashtrime, plus barbaria e 7501.

U tha pluralizëm politik, u bë Klub Plaçkaxhinjsh.

U tha, zgjedhje të lira, u bënë votat mall pakice e shumice për treg.

U tha, E duam Shqipërinë si gjithë Europa, e bëmë Europën të na thotë: Mos Shqipëria….

E kështu me radhë.

Ky ka qenë misioni i Klubit të Plaçkaxhinjve të majtë dhe të djathtë që na erdhën si Udhëheqës të Pluralizmit të Ramizit dhe Nexhmijes.

Koha që prona të shkojë tek i zoti dhe të jetë e shenjtë e paprekshme dhe e patjetërsueshme pa vullnet e tregëti të lirë.

Koha që ish të përndjekurit të rimarin fatet e demokracisë në vend. U takon atyre dhe klasave që dikur i quanim të deklasuar, që të rivendosin balancën historike duke marë fatet e lirisë së vendit në duart e tyre.

Koha që e djathta e vërtetë të lindet pa porosi.

  1. E djathta e vërtetë është LRE – Lëvizja e Re.

E vetmja Parti me zero para, zero media, zero logjistikë, zero përfitime në Shqipëri sot është LRE – Lëvizja e Re.

Ne jemi e vetmja parti as e Ramizit, as e Nexhmijes, as e Saliut as e Fatosit, as e UDB e as e Grekëve, as e Sigurimit e as e Sorosit, as e Edit dhe as e kurrkujt nga Liderët e Pluralizmit të pas ’90, as e Gylenit dhe as e Erdoganit.

Jemi e vetmja parti që është thjeshtësisht e djathtë, kombëtariste, shqiptariste dhe proSHBA e pro Perëndim, pro jetës, pro pronës, pro lirisë dhe pro familjes.

Koha e re po thërret Lëvizjen e Re dhe ne jemi këtu.

Zoti  Galdini, ju si Kryetar i Lëvizjes së Re, si do ta përshkruanit Qeverinë Rama me pak fjalë, sot?

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, korrupsioni i kushton botës në 1 vit së paku 2 trilion dollarë.

Kontributi i Shqipërisë në këtë shifër është së paku 800 milion euro çdo vit të vjedhura direkt nga Buxheti i Shtetit sipas dokumentave dhe letrave të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si edhe disa qindra miliona euro të tjera të pakapura me letra.

Psh, nëse Buxheti vjetor i Shqipërisë shkon diku tek 4.7 a 4.8 miliard euro, me siguri 2.5 miliardë vidhen.

Prandaj nuk kemi para në Buxhet për Emergjencat Civile, as për rrugë, as për Spitale, as për Shkolla e as për Shërbime.

Kemi para në Buxhet vetëm për live, ERTV, TVSH Edi, RamaTCH, KlanEdRama, Neës 24 Edi, EdiReport, Ora e Edit, e kështu me radhë…

Por Plaçkaxhinjtë dhe Hajdutët e Qeverisë sonë janë më spektakolarët.

Këndej vjedhin gjysmën e Buxhetit të Shtetit, nga ana tjetër bredhin të veshur si fashionista duke lypur lekë nga Bruno Vespa tek Rexhep Taipi nën moton: Please, help Albania, because ëe are GJYNOF from Tërmeti….

Edhe hajdutë, edhe bamirësa, edhe fashionista edhe lypësa…

Të paparë këta plaçkaxhinjtë që na qeverisin neve…

Edhe tërmetit po ia masin kokën me pe…. Jetojmë në Epokën e Pacipësisë dhe Edi Rama është Mbreti i Pacipësisë.

– Faleminderit!