Ardit Konomi: Prioritet, zgjidhja e problemeve të trashëguara nga qeveria “Berisha”

594
Sigal

Intervista/ Prefekti i Qarkut të Korçës, z.Ardit Konomi: “Institucioni i Prefektit drejt sfidave, për një rilindje ligjore, në dobi të së drejtës komunitare”

Qarku i Korçës është prezantuar së fundmi me prefektin e saj të ri, z. Ardit Konomi. I pyetur, se cilat do të jenë masat kundër korrupsionit, prefekti i ri shprehet se: “Tashmë kemi marrë në dorë një trashëgimi institucionale për të cilën nuk mund të ndjehesh krenar dhe për më tepër edhe institucione pa memorie. Kjo për shkak të faktit të thjeshte se puna rrallëherë është lënë në dorë të profesionistëve, njëkohësisht edhe kërkesa e përgjegjësisë dhe efekti i shtrirë në popull i aksioneve të ndërmarra deri më sot, lë shumë për të dëshiruar”.                                                                      

-Z. Prefekt, lexuesi ynë, por edhe tërë komuniteti i Qarkut Korçë do të kishte interes të njihej me prefektin e ri të Korçës.

Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për mundësinë për t’u prezantuar. Unë jam lindur dhe kam banuar në Korçë gjatë pjesës më të madhe të jetës sime. Jam inxhinier, por eksperienca ime e punës lidhet pak me këtë degë, duke qenë se kryesisht kam punuar me programet e zhvillimit për Shqipërinë. Gjatë rreth 14 viteve eksperiencë, jam specializuar kryesisht në hartimin dhe menaxhimin e tyre edhe kam pasur bashkëpunim të ngushtë me pothuaj të gjitha agjencitë dhe donatoret e mëdhenj që operojnë në Shqipëri. Paralel me eksperiencën e punës, jam diplomuar dhe certifikuar në një serë programesh dhe fushash me interes për karrierën time. Së fundmi e kam orientuar këtë karrierë drejt fushës së mjedisit dhe natyrës dhe kam pasur mundësinë e çmuar të kontribuoj në disa projekte flamurtare në këtë aspekt. Megjithatë inxhinieria dhe mekanika mbeten një nga pasionet e mia të mëdha, të cilat i ndjek dhe i kam pjesë aktive të kohës sime të lirë.

-Si përfaqësues ligjor i qeverisë së re, ç’rol do të luajë institucioni i prefektit në luftën kundër korrupsionit dhe padrejtësive, si prioritet i programit qeveritar?

Prefekti, si përfaqësues i Këshillit të Ministrave, pra Qeverisë në nivel qarku, e ka detyrim ligjor observimin e veprimtarisë së shumicës së institucioneve kombëtare në nivel rajonal, sigurimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe rrjedhimisht edhe gjithë sektorët e ndërlidhur me to. Keni të drejtë kur cilësoni luftën kundër korrupsionit dhe padrejtësisë si prioritete të programit qeverisës sepse në fakt këto elemente janë në bazë të shumë prej politikave dhe aksioneve të hartuara dhe planifikuara. Tashmë kemi marrë në dorë një trashëgimi institucionale për të cilën nuk mund të ndjehesh krenar dhe për më tepër edhe institucione pa memorie. Kjo për shkak të faktit të thjeshte se puna rrallëherë është lënë në dorë të profesionistëve, njëkohësisht edhe kërkesa e përgjegjësisë dhe efekti i shtrirë në popull i aksioneve të ndërmarra deri më sot, lë shumë për të dëshiruar. E kam thënë edhe më herët se po marrim në dorë institucione të keqpërdorura, ku është menduar pak ose aspak për performancën e tyre dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara, ku militantizmi partiak ishte aseti më i vlefshëm për tu konsideruar ndërsa profesionalizmi shihej vëngër si kërcënim për turbullimin e komoditetit parazit. Gjithë kjo atmosferë negative, patjetër që ka pas krijuar probleme të thella që lidhen direkt me funksionimin e këtyre institucioneve, deformimin e rolit të tyre dhe krijimin e hapësirave për afera korruptive dhe padrejtësi në kurriz të njerëzve të thjeshtë. Kjo është një situatë që po merr fund. Prefektura do të jetë në ballë të përpjekjeve për të instaluar njëherë e mirë drejtësinë, profesionalizmin dhe atë paketë të shumë dëshiruar kriteresh që avantazhojnë të aftin, të kualifikuarin dhe punëtorin e përgjegjshëm.

-A do të ketë në organikë zv/prefektë nëpër rrethe dhe në qoftë se po, do të vazhdojnë të mos ndihen si deri tani?

Po, zv/prefektët do të vazhdojnë të jenë në organikën e institucionit dhe do të marrin të gjitha rolet, funksionet dhe përgjegjësitë e paracaktuara për ta. Ata do të jenë përfaqësimi ynë nëpër rrethe dhe për t’i dhënë një përgjigje shqetësimit tuaj të  drejtë, më lejoni t’ju them se pa u bërë ende dy javë nga emërimi i tyre, të tre zv.prefektët nëpër rrethet Devoll, Kolonjë dhe Pogradec, janë në krye të detyrës, po punojnë pa orar dhe po ndërmarrin aksione konkrete sipas specifikave dhe prioriteteve respektive.

-Në institucionin e Prefektit ka funksionuar dhe Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, do të vazhdojë të funksionojë dhe a do të lejojë që institucione si zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme “të tallet” si deri tani, në mënyrë abuzive duke krijuar mbivendosje fiktive?                                                                      

Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë është në detyrë dhe do të vazhdojë të jetë deri në fund të mandatit të tij. Po punohet intensivisht për të përfunduar proceset e nisura dhe për të sjelle rezultate konkrete. Përsa i takon marrëdhënies me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive, unë mendoj se me administrimin dhe menaxhimin e ri të saj, puna do të jetë shumë më e lehtë. Gjithsesi, jam i ndërgjegjshëm se problematika e lidhur me këtë çështje dhe e trashëguar prej rreth 20 vitesh tashmë, do të dojë shumë punë dhe përpjekje për t’u zgjidhur. Për fat, ekziston vullneti i mirë për t’i dhënë fund katrahurës së shkaktuar me pronat dhe unë jam i bindur se rezultatet e para do të duken shpejt.

– Cilat do të jenë risitë e reformës administrative territoriale?

Reforma administrative territoriale është një kusht i domosdoshëm për normalizimin e funksionimit të vendit. Aktualisht Shqipëria ka më tepër se 300 komuna dhe 60 bashki. Ndërsa neper bashki jetojnë pjesa më e madhe e popullsisë, ato vete si njësi administrative në shumicën e rasteve kufizohen nga vija e verdhë dhe kanë burime shumë të kufizuara. Nga ana tjetër ka komuna me disa dhjetëra banorë që në fakt posedojnë toka buke, lumenj, përrenj, liqene, rezervuare, pyje dhe kullota dhe nuk kanë as kapacitete menaxheriale, as administrative ndërkohë që në shumicën e rasteve nuk janë në gjendje të prodhojnë të ardhura as për të mbuluar rrogat e administratës së tyre dhe i varen buxhetit të shtetit nga ku presin të mëkohen dhe të thellojnë gropat financiare. Reforma administrative do të sigurojë një menaxhim më të mirë dhe efikas të territorit duke krijuar njësi administrative të fuqishme, të vetëmbështetura dhe në gjendje që të fitojnë gradualisht pavarësinë e tyre sipas përcaktimit dhe nivelit të paracaktuar me ligj.

-A do të ndryshojë metoda e punës dhe vënia para përgjegjësisë të njësive të qeverisjes vendore, në mënyrë që të forcohet zbatimi rigoroz i ligjeve në dobi të së drejtës të komunitetit?

Stili ynë i punës është i qartë. Ai konsiston tek marrja e përgjegjësive, kualifikimi dhe aftësia për t’u përballur me sfidat dhe kërkesat e sotme të zhvillimit dhe kërkesa për të qenë në lartësinë e duhur profesionale dhe humane. Në detyrën që kam marrë përsipër, unë do të jem garant i zbatimit të së drejtës, funksionimit të mirë të institucioneve, mbështetjes së pakursyer për njësitë e qeverisjes vendore qofshin këto komuna apo bashki, njëkohësisht duke qenë gjithmonë një derë e hapur për njerëzit dhe për t’ju gjendur afër problemeve të tyre.

Vehbi FURXHI