Ardit Çela:Integrimi i Shqipërisë pengohet nga papërgjegjshmëria e politikës

504
Sigal

Sekretar i LSI-së për marrëdhëniet me publikun

Çuditërisht, PD dhe PS kanë arritur që në fushatën elektorale Integrimin e Shqipërisë ta zhvendosin nga axhenda zgjedhore, ndërsa qëllimi i tyre politik është marrja e pushtetit. Ardit Çela, sekretari i LSI-së, për marrëdhëniet me publikun, në intervistën për “Telegraf”,thotë se, integrimi pengohet nga papërgjegjshmëria politike. Ndërkohë, sipas zotit Çela,  programet elektorale të PD-PS  janë jashtë realitetit dhe logjikës ekonomike dhe zhvillimit të vendit. LSI-ja, sipas zotit Çela është që të mos ndryshohet kuadri aktual fiskal, duke bërë të  qartë divergjencat politiko-ekonomike me PS-në.

– Zoti Çela, edhe pse konfliktualiteti politik mbizotëron në klimën elektorale, palët kundërshtare PD dhe PS integrimin e Shqipërisë nuk e kanë në axhendën zgjedhore. Ju si e shpjegoni?

Mendoj se Integrimi i Shqipërisë në BE ka qenë dhe mbetet prioritar për qytetarët shqiptarë, por që avancimi i mëtejshëm me këtë proces për fat të keq është penguar nga papërgjegjshmëria e politikës shqiptare. Procesi i integrimit duhet të kishte ecur me hapa më të shpejtë dhe Shqipëria duhet ta kishte marrë statusin e vendit Kandidat shumë kohë më përpara. Klima e konfliktit të vazhdueshëm politik, që ju me të drejtë e përmendni është një fenomen që duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Shqiptarët presin stabilitet, dialog dhe bashkëpunim. LSI-ja do ta ketë Integrimin e vendit prioritet kryesor. Ndaj edhe jemi të mendimit që forcat politike, pavarësisht kohës së humbur në mënyrë të pakuptimtë, pavarësisht etheve elektorale, e kanë mundësinë, që të tregohen të pjekura e të përgjegjshme, e që mund të miratojnë detyrimet e ngelura në mënyrë që Shqipëria të përparojë më tej në procesin e integrimit.

– Mendoni se kompromisi dhe konsensusi politik për çështjen e integrimit do të arrihet pas 23 Qershorit, pavarësisht se cili do të jetë fituesi?

Pavarësisht se shanset dhe gjasat janë të pakta, tashmë me kalimin e kohës, uroj dhe shpresoj që ky konsensus të arrihet përpara zgjedhjeve të qershorit, dhe inkurajojmë të gjitha forcat politike që të investohen në drejtim të përmbushjes së një detyrimi të tillë. Nëse nuk ndodh diçka e tillë, atëherë qytetarët shqiptarë do të dinë të vendosin drejt përpara kutisë së votimit dhe do të dinë që me zgjuarsinë e tyre t’i japin më shumë peshë në vendimmarrje atyre forcave politike, të cilat janë përpjekur dhe kanë treguar që kanë qenë në të njëjtën linjë veprimin me interesat e qytetarëve.

– Mendoni se forcat politike i flasin elektoratit me realizëm për situatën ekonomike, apo ato bazohen në politikën bardhë e zi, sipas interesit të tyre elektoral?

Sigurisht, që me afrimin e fushatës zgjedhore, të gjithë kemi ndjekur edhe qëndrime apo premtime nga forca të ndryshme politike, të cilat qëndrojnë jashtë realitetit  dhe logjikës ekonomik dhe politike. Vendit i duhet një politikë e përgjegjshme, që të jetë në gjendje të identifikojë drejt problemet, t’i analizojë ato me realizëm e me ftohtësi, e më pas të ofroj ato alternativa të cilat janë realisht të mundura për t’u kryer, në mënyrë që vendi të përballet ashtu si duhet me problemet e në mënyrë që vendi të ecë më shpejt përpara.

– Si do ta vlerësonit qeverisjen e kësaj maxhorance dhe   çfarë motivimi ofroni ju elektoratit që t’ju  besojë votëbesimin?

Mendoj se kjo maxhorancë ka arritur rezultate vërtetë të rëndësishme, si përsa i përket ruajtjes së stabilitetit politik, ashtu edhe të ruajtjes së parametrave normale të një stabiliteti makroekonomik në vend. Kemi arritur të përballojmë mirë krizën, kemi vazhduar me investime, me rritjen e pagave e të pensioneve. Ndërkohë, që sot shqiptarët lëvizin lirisht, pa viza në të gjithë zonën Shengen. E megjithatë, probleme ka.

– Në 2009-n, ju motivuat marrëveshjen për bashkëqeverisje, në saj të   nevojës së integrimit të Shqipërisë. Kjo, pavarësisht shkaqeve, nuk u arrit.  Në 2013-n, LSI-ja, për çfarë nevoje politike mund të bashkëpunojë, pas zgjedhjeve?

Procesi i integrimit është bllokuar, pasi kërkon një vullnet më të gjerë politik, se sa thjesht dhe vetëm ai i maxhorancës. Për LSI-në stabiliteti i vendit, integrimi dhe rritja e punësimit, si mënyra më e mirë për të luftuar varfërinë dhe për të ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, ka qenë, është dhe ngelet prioritet.

– Cila do të ishte reforma  më e përshtatshme ekonomike që do të jepte shtysë për një start të ri ekonomik? Apo, besoni, se zgjidhja është te zgjedhja midis taksës progresive dhe asaj të sheshtë?

Për  LSI-në zgjidhja nuk vjen tek ndryshimi i kuadrit aktual fiskal. Ne jemi për të qëndruar me këtë sistem që kemi. Por, ashtu sikurse kemi premtuar në 2009, jemi për një “fytyrë sociale” të taksimit të sheshtë, e për këtë mund të merren një sërë masash, sikurse ishte edhe ai i përjashtimit nga tatimi për të ardhurat personale për të gjitha pagat deri në 30 000  lekë, premtim ky i bërë ngaLSI-ja në vitin 2009 në Planin për Veprim.

– Nga kush duhet mbrojtur vota? Dhe a mundet ky Kod Zgjedhor të garantojë zgjedhje të ndershme?

. Nëse do të ishin marrë parasysh propozimet eLSI-së   lidhur me çështjet e kodeve zgjedhore, nuk do të kishte patur asnjëherë vend për kontestime. Për fat të keq, ata që hartojnë rregullat për menaxhimin e zgjedhjeve, ata që administrojnë zgjedhjet, ata edhe i kontestojnë zgjedhjet. Votën e mbron ligji dhe vetëm ligji.. Prandaj, është e nevojshme që forcat politike të investohen për zgjedhje të lira e të ndershme.

– Z. Çela, ju drejtoni në të njëjtën kohë edhe LSI-në e Kombinatit në Tiranë. Si mendoni se do të jetë rezultati i LSI-së në këtë zonë?

LSI-ja në Kombinat është në rritje të vazhdueshme dhe do të arrijë një rezultat të shkëlqyer në zgjedhjet e qershorit të 2013. Çdo ditë të rinj e të reja të shkëlqyera po afrohen tek LSI. Profesionist, intelektual, përfaqësues me integritet të komunitetit po zgjedhin LSI-në si përfaqësuesen më të mirë të interesave të komunitetit të mrekullueshëm të njësisë Nr.6. Nga ana tjetër, gjatë gjithë kësaj kohe, qytetarët e kësaj zone janë të ndërgjegjshëm se Kombinati zhvillimin dhe transformimin rrënjësor e ka patur në kohën kur Kryeministër ishte Ilir Meta, dhe Monika Kryemadhi  deputete. Prandaj, jam i bindur se rezultati iLSI në këtë njësi do të jetë vërtetë i shkëlqyer.

Premtimet elektorale të punësimit

– PS-ja zotohet për 300.000 vende të reja pune, PD-ja për 250.000 vende të reja pune, ndërsa LSI-ja ka parësore në programin e vet elektoral punësimin. Atëherë, ku është dallimi dhe përse ju mendoni se jeni  për një qasje më reale?

Ne nuk mendojmë se një çështje kaq e rëndësishme siç është punësimi, duhet të kthehet në një lojë kungulleshkash me shifra. Ne mendojmë se çështja e punësimit duhet zgjidhur duke patur një qasje të drejt me realitetin. LSI-ja mendon se stabiliteti politik është kushti themelor për një stabilitet ekonomik, e sidomos për të nxitur thithjen e investimeve të huaja, çka ndikon drejtpërdrejt në punësim. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për profilin konstruktiv të LSI-së, e për përpjekjet e panumërta të saj për të nxitur dialogun , bashkëpunimin , në mënyrë që klima politike në vend të mos jetë ajo që është sot. Në të njëjtën kohë, për LSI është tejet e rëndësishme që investimet dhe energjitë ekonomike të orientohen në ato sektor prioritar, të cilat ndikojnë në rritje ekonomike, e sidomos në punësim. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm në politikat e hartuara dhe në vendimet e marra, si produkt i propozimeve të LSI-së për mbështetjen e biznesit fason, si një nga sektorët që kanë numrin më të madh të të punësuarve në vend, në politikat e ndjekura nga LSI-ja për mbështetjen e sektorit bujqësor për rritjen e prodhimit, atë të industrisë agro-përpunuese e sidomos në politikat e LSI-së për të promovuar ashtu sikurse duhet produktet “Made in Albania”, duke nxitur kështu eksportet shqiptare. Programi i LSI-së ka qenë dhe do të jetë gjithmonë konkret, gjithnjë real dhe gjithnjë në funksion të nxitjes së punësimit.