Ardian Turku ndjehet i braktisur nga PD

789
Kandidati opozitës në Elbasan, ish deputeti PD Ardian Turku, pothuajse është braktisur nga partia e tij. Fushata e nisur edhe për kandidatin e djathtë në këtë qytet, po shoqërohet nga vetëm dy ardhjet e kreut demokrat Lulëzim Basha dhe asgjë tjetër, asnjë aktivitet që do të shënonte dhe tregonte mbështetjen për Turkun. Ambiciet, zilia, xhelozia, qejfmbetjet, kontradiktat e vjetra, kontestimet me dhe pa shkak dhe inatet e dikurshme, duket se do ta dëmtojnë seriozisht edhe nga e djathta Ardian Turkun. E njëjta situatë, siç ka ndodhur me Durim Hushin, kur 4 vjet më parë edhe pse Berisha erdhi plot 5 herë dhe e mbështeti fuqishëm, edhe pse ai dha porosi të shpeshta për ta mbështetur atë, ai pësoi humbjen më të thellë që ka pësuar ndonjëherë një kandidat me mbi 7 mijë vota më pak. Kjo situatë duket se po e ndjek edhe Turkun, i cili edhe pse ka qenë në vitet 2003-2007 kryetar i Bashkisë Elbasan, ka harruar se ka mjaft punë për të bërë, për të bindur fillimisht degën lokale të PD-së dhe më pas bazën e saj për ta mbështetur në luftën e ashpër elektorale që ka nisur. Në kampin dhe shtabin e Turkut, mungojnë drejtuesit dhe emrat me peshë në kryesinë e degës lokale, mundojnë të deleguarit e Bashës, dhe për pasojë edhe pjesëmarrja e qytetarëve në takimet që ai zhvillon mbetet ende e vakët. 
Veç prononcimit të Sali Berishës në një emision televiziv, ku edhe e mbështeti atë duke e quajtur “kandidati i fitores”, asnjë titullar tjetër nga PD, asnjë anëtar i kryesisë qendrore nuk shihet të jetë në krah të Ardian Turkut në takimet e tij në Elbasan. Kjo fushatë duket se ka veçantitë e saj, më së shumti në kampin e djathtë në Elbasan. Një ish-deputet, një ish-nënkryetar Kuvendi, dhe kontribues me peshë në PD, nuk mbështetet nga partia e tij dhe kjo mbetet paksa e habitshme dhe që ngjet me një lojë. Dihet se mungesa e mbështetjes nga lideri i partisë, mbetet shansi më i keq për çdo kandidat që garon të paktën për bashkitë në Shqipëri kur ka fushata elektorale. Por Turkun, veç selisë qendrore, po e shoqëron edhe braktisja nga dega lokale e PD, e cila nuk shihet të jetë prezante në takimet e tij elektorale. Madje Turkun nuk e shoqërojnë në takimet e tij edhe deputetët demokratë të Qarkut, dhe kjo ka krijuar një klimë negative tek baza e kësaj partie. Gjithmonë sipas burimeve nga Elbasani mësohet se “Ardian Turku, paralelisht me ambicien për tu bërë kryetar Bashkie, ka edhe një tjetër ambicie e cila lidhet me marrjen e postit të Rektorit të Universitetit, pas përfundimit të mandatit nga ai aktuali Liman Varoshi, në Janar 2016”.
Gara për postin e kryetarit të Bashkisë, (pavarësisht rezultatit) pritet t’i hapë udhën Turkut, për një tjetër garë, atë të Rektorit, post të cilin e ka pasur në axhendën e tij edhe kur ishte thjesht pedagog në UE. Në rast se është e vërtetë, kjo gjë thjesht do ta bëjë fushatën në Elbasan më interesante, më të veçantë dhe do ta justifikonte deri diku mungesën e pjesëmarrjes dhe mbështetjes nga PD për Turkun. Edhe nga dega e PD së Elbasanit burimet thanë se “përzgjedhja e kandidatit duhej të ishte një proces më transparent, pasi në listë ishin edhe 8 emra të tjerë, por i pari doli ai i Turkut”. Situata në të cilën gjenden aktualisht strukturat e PD në Elbasan, e bën edhe më të vështirë fushatën dhe mbështetjen e kandidatit Turku, i cili duket se i ka konceptuar takimet elektorale si rrugën e vetme për ta njohur nga afër realitetin në Elbasanin e pas 2007.
Sigal