Ardi Stefa: Prag diktature. Qeverisja është zëvendësuar me sundimin autokratik. Kriza ndëshkon qytetarët

522
Sigal

Ardi Stefa, student i Grevës së Urisë 1991 Krijues i ProjectSyndicate/OpenDemokracy

 

Prag diktature. Qeverisja është zëvendësuar me sundimin autokratik

 

Ardi Stefa konsiderohet si njëri prej penave të mprehta të publicistikës shqiptare. Ka krijuar portalin elektronik ProjectSyndicate/OpenDemokracy (seksioni shqip) dhe ën intervistën për gazetën “Telegraf”, duke skanuar krizën politike, thotë se jemi në prag diktature, qeverisja është zëvendësuar me sundimin autokratik, ndërsa 30 qershori, nëse bëhen zgjedhjet do të jetë 31 marsi i 1991-shit.

-Zoti Stefa, si mund të përshkruhet me pak fjalë gjendja aktuale e Shqipërisë sot?

Prag diktature ose diçka që nuk mund të perceptohet apo ta përmbajë fjalori demokratik. Gjithçka e shtrirë në këmbët e një kryeministri. Një shoqëri tejet e polarizuar. Gjykatë Kushtetuese nuk ka, as Gjykatë të Lartë, sistemi gjyqësor vazhdon të jetë i korruptuar. Qeverisja është zëvendësuar me sundimin autokratik. Politika ka një pushtet të pakufizuar, pasi u ka grabitur shqiptarëve të gjitha liritë politike, ekonomike, sociale, duke e zhytur vendin ditë pas ditë në një kolaps të paparë. Krimi është ulur këmbëkryq dhe blen vota për kastën politike shqiptare. Klasa politike ka zënë (të paktën në aparencë) istikamet dhe ka marrë armët. Vënë përpara “çunat problematikë” dhe shantazhojnë çdo mendim apo veprim ndryshe. Flasin me një gjuhë rrugaçe, e cila në çdo vend normal, apo demokraci normale do të kishte mjaftuar që populli të ngrihej e t’i zinte me dru. Ndërkombëtarët na kanë prerë çdo shpresë integrimi me Evropën dhe po rikthejnë edhe vizat. Shqiptarët nuk kanë punë, as shpresë dhe vazhdojnë të ikin nga sytë këmbët nëpër botë. Ky është eksodi i dytë masiv pas vitit 1991. Kryeministri e qeveria janë të deligjitimuar për shkak të largimit të 500.000 shqiptarëve në këto pesë vite. Opozita, po ashtu, sepse shpesh herë nuk ka qenë transparente.

 

Zoti Stefa, 30 qershori i 2019-s ngjan me marsin e 1991-shit ku zgjedhjet “pluraliste” bëhen pa Opozitën, me dallimin që 30 qershori mbështetet edhe nga ndërkombëtarët. Pse demokracia u rikthye në fillesën e saj?

Pyetja është interesante, pasi këto votime ngjajnë shumë me zgjedhjet e 31 marsit 1991. Shqipëria sapo kishte “dalë” nga diktatura komuniste dhe vinte nga një faliment i plotë ekonomik, politik, por edhe pas protestash popullore në rritje që pasuan lëvizjen studentore dhe rënien e bustit të diktatorit. Në 31 mars 1991 PPSH fitoi. Por fitorja e PPSH u prit me revolta në disa qytete të vendit. Por protesta më e fortë u zhvillua në Shkodër. Atje shënohet edhe ngjarja më e rëndë e atyre viteve, ajo e 2 Prillit ku u vranë katër të rinj dhe u plagosën afërsisht 30 të tjerë.

A ngjajnë këto votime me marsin e 1991-shit?

Po. Vërtet janë regjistruar 54 parti, por vetëm dy prej tyre kanë paraqitur lista kandidatësh. Të tjerat jo. Dhe njëra prej atyre partive që ka paraqitur lista kandidatësh është e dyshimtë, pasi u krijua me një shpejtësi marramendëse, të pazakontë për një demokraci e shtet normal dhe flet me të njëjtën gjuhë si partia në pushtet. Edhe ajo ka kandiduar pjesërisht nëpër zonat elektorale, duke ndihmuar që i gjithë procesi të jetë farsë.

Mbështeten këto zgjedhje nga ndërkombëtarët?

Vërtet?! Përtej deklaratave shabllon nuk kam parë mbështetje të hapur. Ndërkombëtarëve nuk u interesojnë trazirat, ndaj kërkojnë kryerjen e votimeve, duke e shtyrë “zgjidhjen e krizës” në një afat e kohë tjetër. Demokracia shqiptare ashtu si edhe shoqëria shqiptare është jodemokratike në konceptet e saj për shtetin dhe demokracinë. Midis reagimit ndaj të keqes dhe bashkëjetesës me të keqen zgjedh të dytën, midis përballjes me sfidat dhe ikjes prej tyre, zgjedh gjithashtu të dytën. Fatkeqësisht Shqipëria nuk ka një tregues të rëndësishëm të Demokracisë: Shoqërinë Civile dhe Ndërgjegjen Civile e Qytetare.

 

Pse ende shqiptarët nuk kanë fituar Ndërgjegjen demokratike por sillen si militantë ndaj Elitës politike?

Unë kam jetuar jashtë Shqipërisë për rreth 20 vite dhe për shkak të profesionit të gazetarit kam ndjekur shumë procese zgjedhore. Dua t’ju përmend këtu një shprehje të liderit historik të PASOK-ut dhe Greqisë moderne: “Ne nuk kemi politikanë të emancipuar, të cilët mund të emancipojnë popullin!” Mendoj se kjo shprehje është shumë sinjifikative. Ne në Shqipëri në këto 30 vite tranzicioni kemi pasur një klasë politike krejtësisht të korruptuar, me rekorde kriminale, shpesh herë të paarsimuar. Kemi pasur një klasë politike, e cila ka shërbyer si shembulli më i keq për shoqërinë dhe kombin tonë. Një klasë politike të ngritur e të lidhur me krimin, drogën, prostitucionin, vjedhjen, gjuhën arrogante e rrugaçe. Manipulimi i zgjedhjeve dhe marrja e votave me presione, dhunë dhe para janë shenja flagrante e ulëritëse të degradimit të thellë të partive tona politike. Por faji nuk është vetëm i klasës politike shqiptare. Është edhe i mentalitetit të vetë shqiptarëve. I atij mentaliteti komunisto – otoman, i cili ka pjellë “sulltanët” e politikës shqiptare dhe vazhdon t’i mbajë ende në lojë, duke dëshmuar, në rastin më të mirë mungesë të përgjegjësisë personale për vendimet e veprimet. I mentalitetit tonë primitiv e fisnor, i cili na ka penguar gjithmonë të jemi shtetformues. Ne i trajtojmë politikanët si mbretër. Në një vend normal do të duhej që politikanët e korruptuar, arrogantë, abuzues me pushtetin dhe pa formim e lidhje me kulturën demokratike, – të ndëshkoheshin nga shumica qytetare, përmes veprimit të ligjit ose përmes sistemit të llogaridhënies e përgjegjësisë publike. Por kjo në Shqipëri nuk ndodh! Shqipëria dhe shqiptarët janë sot të kërcënuara prej atyre që votojnë për ne, numërojnë për ne, vendosin për ne, drejtojnë në emrin tonë, sundojnë në emrin tonë, i japin imunitet njëri tjetrit në emrin tonë, krijojnë kriza në emrin tonë, bëjnë marrëveshje në emrin tonë, pasurohen me pasurinë tonë, kanë sukses me dështimet tona dhe kanë marr peng shumicën e të drejtave themelore tona.

 

Edhe nëse ndryshon data e zgjedhjeve përtej 30 qershorit, edhe nëse bëhen zgjedhje të parakohshme parlamentare, a thua se do të jetë ndryshimi i pritshëm demokratik, apo do të kemi rotacion partiak?

Votimet do të mbahen në 30 qershor dhe pastaj…: “Zot na ruaj!” Së dyti, kjo është një krizë, e cila fillesat i ka shumë larg. Që në përpjekjet demokratike foshnjore të vitit 1991. Për të ardhur tek ajo që e prodhoi direkt këtë krizë, marrëveshja e 18 majit e vitit 2017. Por kriza reale e këtyre ditëve qëndron jo vetëm në faktin se zgjedhjet kanë vlerë kur janë konkurruese, pasi fituesit dihen, ndërsa humbës nuk ka, por edhe në faktin që Kushtetuta nuk e parashikon pragun ligjor të pjesëmarrjes në votime. Mjaftojnë vetëm votuesit e një partie dhe zgjedhjet bëhen legjitime. Mazhoranca aktuale qeverisëse ka interes të shkohet më 30 qershor në votime jo për shkak të nevojës së saj për të fituar 100%, por nga nevoja e saj për të fituar nga agresiviteti i opozitës, nga incidentet e mundshme dhe nga klima kritike ndërkombëtare ndaj saj. Opozita ka interes të vijojë konfliktin politik për të maksimalizuar mbështetësit e saj dhe aksionin e tyre politik.

 

Po pse “luftojnë” kaq shumë partitë politike për të fituar “zgjedhjet” e 30 Qershorit?

Sepse nga zgjedhjet buron pushteti dhe paraja. Pra përfitimet janë politike dhe ekonomike. Në këto votime mazhoranca llogarit se duke fituar 61 bashkitë (ose me ndonjë lëshim për ndonjë bashki për partiçkat aleate informale) të fitojë disa zona që nuk i ka fituar kurrë. Pasi t’i fitojë të gjitha (kjo është njëra nga arsyet e zhvillimit të fushatës) ajo ndoshta llogarit të ulet në bisedime, – pasi i marrë opozitës bastionet dhe me to, edhe burimet njerëzore (elektoratin) dhe burimet e tjera financiare mbështetëse, si dhe duke llogaritur se në zgjedhje të parakohshme me ose pa Ramën kryeministër baza elektorale e saj është më e fortë dhe më e shtrirë gjeografikisht e politikisht. Opozita llogarit se kalimi 100% i pushteteve politike në një dorë do të kthehet në bumerang politik, siç ka ndodhur më 1991, 1996, … etj. Ekonomikisht gjithmonë zgjedhjet në Shqipëri kanë funksionuar si një lavatriçe e pastrimit të parave të pista.

 

Kush ndëshkohet nga kjo krizë e “30 Qershorit?”

Nga kriza ndëshkohen qytetarët, shteti e shoqëria, jo politikanët. Ata amnistojnë në konsensus njëri- tjetrin, riciklojnë njëri- tjetrin, mbulojnë njëri- tjetrin, pasurojnë njëri- tjetrin. Cili u largua nga politika për shkak të kostove të krizave që nga viti 1991 e deri në vitin 2017? Asnjë. Dhe pak shpresa kam se do të ngjasë edhe kësaj here.

 

Edi Rama është e keqja? Është e mjaftueshme vetëm largimi i tij?

Personalisht jam kundërshtar politik i tij për dhjetëra e dhjetëra arsye. Që nga fjalori arrogant, kërcënues e përçarës; që nga mënyra se si futi e institucionalizoi “krimin” në PS thjesht e vetëm për pushtetin, për mënyrën se si përçau shqiptarët në “ne”e “ata”, etj, etj. E keqja në Shqipëri qëndron tek e gjitha kjo klasë politike. Tek kjo klasë politike, e cila, pavarësisht deklarimeve e gjuhës së urrejtjes ndaj kundërshtarit është bërë e gjitha bllok për të imunizuar veten nga pasojat e ardhshme të zbatimit real dhe efektiv të Reformës në Drejtësi. Kjo krizë duhet të shërbente për katarsis përfundimtar për Shqipërinë që të dalë përfundimisht nga tranzicioni.

 

Keni shpresë se Reforma në Drejtësi një ditë do të japë Drejtësi?

Por si mund të kem shpresë? Kush e bëri Vettingun në Drejtësi? Politika! Si mund të dalë “produkti” kundër prodhuesit. Vettingu u keqpërdor dhe krijoi një klimë mosbesuese tek shqiptarët. U krijua opinioni se u hoqën gjyqtarët e një pale për t’u zëvendësuar me gjyqtarët pro palës tjetër. Kemi kaq kohë pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, ende pa Prokuror të Përgjithshëm, pa numrin e nevojshëm të Prokurorëve të SPAK, pa asnjë arrestim VIP zyrtarësh të korruptuar. Mos ta gënjejmë veten, Reforma në Drejtësi mbetet më shumë produkt ndërkombëtar sesa shqiptar. As qeveria dhe as opozita, nuk kanë interes për funksionimin real e të pavarur të institucioneve realisht të pavarura të drejtësisë, dhe për më tepër, strukturën e SPAK. Ato i frikësohen hetimeve të mundshme, i frikësohen një sistemi jashtë kontrollit të tyre ndaj edhe si më 2016 dhe 2017, janë të gatshme për një akord të ri të personalizuar për të penguar ecurinë e reformës, sidomos përbërjen dhe fokusin e SPAK.

 

Pse nuk kanë zë, rol, forcë, reputacion intelektualët në Shqipëri?

Heshtin shumë: Nuk kanë dinjitet, ndaj nuk indinjohen. Kjo është e tmerrshme dhe e pabesueshme: mungesa e revoltës.” Shumë mendojnë: ç’më duhet mua të ekspozohem? Ndoshta, një ditë do të kem nevojë për diçka, për një nder apo ndihmë nga ai që po kritikoj sot. Çdo gjë luhet përmes shantazhit, për të siguruar ndonjë avantazh. Nëse fillon të kritikosh, nëse kundërshton, nëse ofron qoftë edhe refleksione të pamirëpritura, të fshijnë menjëherë. Tashmë është bërë zakon bërja e listave me emrat e të gjithë atyre që “sillen keq”. Kush nuk futet në rresht, dëbohet. Dëbohet nga gjithçka. Ky lloj mendimi krijon, praktikisht, një shoqëri të paaftësh dhe sahanlëpirësish. Dikur intelektualët orientonin opinion publik. Po sot, kush guxon të ngrejë krye?